Aktualitet

PROFILE/ Dy rrugët krejt të kundërta, të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 15/02/20 |
mapo.al

Dy profilet e kundërta të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës po përvijohen çdo ditë e më shumë. Kryeministri po thellon kursin e daljes në sallone të mëdha, në skena të rëndësishme, teksa Kryetari i opozitës, po ruan me insistim, edhe pse mes shumë debatesh, rrugën që ka zgjedhur të jetë me njerëzit e zakonshëm.


Teksa Edi Rama del te debati më i rëndësishëm në vend, dhe nuk e fsheh arrogancën, e më pas në skena si ajo e Mynihut ku është konferenca që mbledh liderët e planetit, Lulzim Basha është tek ofiçina e Nikut, apo me programuesit e rij, që i fton të qëndrojnë e të ndërtojnë të ardhmen këtu.



Edi Rama nuk e ka fare problem të shtojë dozat e forcës dhe të sundimit, siç u përpoq të bëjë edhe në Opinion, duke na imponuar si normë, se ai mund të bëjë ç’të dojë, të thotë ç’të dojë, se ai nuk mban përgjegjësi, se ai qenka mbi çdo moral, dhe po ashtu edhe mbi ligjin. Se atij i takon, se s’dihet prej ku e paska marrë këtë mandat, për të bërë çfarë i thotë rradakja.


Me gjasë, Rama po ndjek teorinë, që ky popull kështu e do, duhet me tregu forcë, ashpërsi, sundim. Këtë e mbajti deri në fund edhe të Enjten, edhe pse dërrasa iu thye disa herë, pasi doli që gazetarët përballë jo vetëm që nuk u intimiduan, po gjetën rastin shpesh edhe të talleshin me të. Çka tregon se ai është tjetër nga çfarë po e shet veten, është i dobët në fakt.

Më anë tjetër, Lulzim Basha ka një gjuhë të përmbajtur, të shtruar, të zakonshme, gjuhën e komunikimit të përditshëm të njerëzve, në ambientet ku ai po i bën takimet. Në një bar, në një punishte, në një treg, nëpër shtëpi, ku troket dhe kërkon të dëgjojë, siç dhe e ka emrin fushata e tij.

Edi Rama ngjan se po bën një ngjitje të siziftë për të korrektuar një prej pikave më të dobëta të tij, për të cilën është akuzuar vazhdimisht, lidhjet me krimin. Ka nisur një aksion spartan, krejt të diskutueshëm nga ana ligjore, që nuk i dihet ku e ka fundin, por u ka çuar fermanin bash atyre që mendohej se ishin të paprekshëm, që do të thotë se kishin lidhje të forta politike. Lidhje që Rama vetë nuk i mohon. Kur pyetet se çfarë bën ai në hotelin e Çapjave në Elbasan si mysafir i tyre, Rama thotë se do ta përsëriste prapë. Se ai hyn kudo.

Terreni është shumë i brishtë. Kryeministri këtu nuk po luan me befasinë, dhe me shpresën se mund të manipulojë popullin me propagandë. Njerëzit dinë gjithçka rreth të fortëve, çdo lidhje të tyre, me kë pinë kafen, me kë bëjnë pazare, cilit deputet i shërbejnë, me cilin ministër e kanë mirë. Është pasion tavolinash. Pra, do të duhet ta ketë vërtet seriozisht, nëse njëmend kërkon të bindë se ka vullnet për ta çuar në fund këtë nismë. Duke e ditur se kështu do të jetë duke shkallmuar ndoshta bash shkallët e tij, zor të gjesh dikë që beson se ka diçka gjenuine këtu.

Mjaft të kujtojmë se si i mbronte cubat, kur thoshte fjala vjen; i kam kandiduar se kanë reputacion në komunitet, për shkak se u gjenden njerëzve afër, i dërgojnë me makinë në spital kur kanë hall.

Kësaj përpjekjeje, Rama po i shton edhe kostumin e liderit global, pasi ka vënë kravatën e shefit të OSBE, për të treguar se është në një tryezë me burrat e rëndësishëm të planetit dhe që rreket të zgjidhë çështjet më të mprehta të botës. Kjo, padyshim do t’i japë atij kënaqësi personale, por shpresa është se do të ndikojë për të magjepsur gjindjen këtu.

Nuk ka dyshim se çdo dekikë në secilin drejtim, është një qasje elektorale. Zgjedhjet, në mos të parakohshme, janë në prag. Nga ana tjetër, kemi liderin e opozitës, Lulzim Basha, që po ndjek një kurs krejt të kundërt me atë të dukjes, me atë që kërkon të impresionojë, me atë madhështorin, globalin, planetarin.

Basha, edhe pse me shumë diskutime e debate, sidomos në rrjetin social, po shfaqet si i zakonshëm, si një nga njerëzit e këtij vendi, që dëgjon. Nuk ka dyshim se do të gjenden gjithnjë sa të duash kritikë e filozofë për ta tallur këtë strategji, domatet, shegët apo ç’të jetë. Po fakt është se kreu i PD është gjithnjë e më shumë në kontakt me njerëzit.

Dalëngadalë kritikat po bien, dhe duket se fushata e tij “Të dëgjoj”, po pranohet, po ngjit.

Mund të duket si plan mediatik në pamje të parë, por sidoqoftë ai është me studentin, me pensionistin, me familjarin që lufton të mbyllë muajin. Kjo në kontrast të plotë me Ramën, i cili prej kohësh nuk është parë të jetë me qytetarët, takimet i ka zëvendësuar me platforma, dhe tashmë nuk ka as kohë fizike, për shkak se gjysmën e vitit do të duhet ta kalojë jashtë si drejtues i OSBE-së.

Dikush mund të thotë me të drejtë, se ishte diçka tjetër që Basha duhej të nxirrte në pah në këto kohë të vështira ku pushteti sa vjen e bëhet më represiv e frikësues. Duhej të dilte si prijës që nuk tutet, që ia bën fora shefit të rilindjes, e që u jep zemër njerëzve. Po me siguri, kështu do të ishte i ngjashëm me ambientin politik përreth.

Ndaj, mesa duket, Basha e ka vendosur të ndjekë këtë kurs që kemi parë të dalë pa shumë bujë. Të paraqitet i ndryshëm, dhe mes njerëzve. Në fund, janë pikërisht njerëzit që do ta bëjnë diferencën, që do ta marrin vendimin.

Një gjë është e sigurt. Rama me stilin e tij, me forcën dhe arrogancën e ka kaluar apogjeun. Është patjetër në zbritje dhe zor të gjesh dikë, përpos në mëhallën e rilindjes, që të jetë ende i joshur apo frymëzuar, sidomos kështu siç po shkojnë punët në vend.

Sfida ngelet te Basha, te projekti i tij, për të treguar se ai është një nga njerëzit e kësaj shoqërie, që jeton këtu, i di, i njeh hallet dhe shqetësimet. Dhe me gjasë, do jetë duke punuar edhe për një projekt, program, alternativë që merr përsipër zgjidhjet, dhe nxjerrjen e vendit nga kriza.

Mapo.al

 


Etiketa: , ,

Pas