Aktualitet

Program qeverie me gënjeshtra














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:10 - 15/09/21 |
Klodian Tomorri

Nisa të lexoj me kërshëri programin të saposhpallur qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Prisja të gjeja çdo gjë aty, premtime të fryra, zotime që nuk do të realizoheshin asnjëherë etj. Por nuk ma merrte kurrë mendja që do të gjeja dhe gënjeshtra zyrtare, brenda në një program qeverie.






Në një nga paragrafet e programit shkruhej me të madhe: “Në 8 vitet e fundit, paga minimale, paga mesatare dhe paga e punonjësve të shtetit ka njohur rritjen reale më të madhe ndonjëherë”.


Ai që ka shkruar këtë fjalinë është ose injoranti më i madh i statistikave zyrtare, që prodhon vetë qeveria ose një mashtrues i pacipë i kalibrit botëror. Gjithmonë duke përdorur metrin e qeverisë.







Në vitin 2005, paga zyrtare në sektorin shtetëror ishte, sipas INSTAT, 26 800 lekë. Në fund të vitit 2013, paga mesatare në shtet arriti në 52 150 lekë. Pra në 8 vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike paga mesatare në shtet u rrit me 94.5 për qind në terma nominale. Gati është dyfishuar. Tek rritja reale do kthehem më vonë. Vazhdojmë.



Në vitin 2013, paga mesatare në shtet ishte 52 150 lekë siç thamë më lart. Në fund të vitit 2020, paga mesatare në shtet arriti në 64 389 lekë. Pra në 7 vjet të qeverisjes socialiste paga mesatare në shtet është rritur me 12 239 lekë ose 23.4 për qind.



Për ta thënë më thjeshtë Berisha i dyfishoi pagat në shtet gjatë 8 viteve që qeverisi, ndërsa Rama i rriti me 23.4 për qind gjatë 7 viteve që ka qeverisur.

Tani të kthehemi tek pagat reale, të pastruara nga rritja e çmimeve. Në periudhën 2006-2013 paga reale në shtet u rrit me 46.4 për qind ose mesatarisht 5.8 për qind në vit. E thënë më thjeshtë punonjësit e shtetit, gjatë qeverisjes së PD-së janë pasuruar me 5.8 për qind në vit vetëm për shkak të pagës. Berisha këtë punë dinte ta bënte mirë se ishte e vetmja mënyrë se si i fitonte zgjedhjet.

Lexo edhe :  Rama: S’do kërkojmë ndërmjetësim ndërkombëtar për krizat tona politike

Në periudhën 2013-2020, paga reale është rritur me 9.8 për qind ose mesatarisht 1.4 për qind në vit. E thënë sërish më thjeshtë punonjësit e shtetit gjatë qeverisjes së Edi Ramës janë pasuruar me 1.4 për qind në vit për shkak të pagës. Tani se si mund të jetë 1.4 për qind rritja më e madhe në histori e di vetëm ai që e ka shkruar. Po po. Futeni dhe taksën progresive brenda në llogari po deshët. Prapë është shumë larg.

Megjithatë, nuk është tragjedi të mos i rrisësh pagat në shtet. Apo t’i kesh rritur më pak se paraardhësi. Sepse një qeveri mund të ketë arsye, do të konsolidojë financat publike, do të vendosë një ekuilibër më të mirë pagash mes privatit dhe publikut. Por tragjedi është të gënjesh, edhe në dokumentin më të rëndësishëm zyrtar të një qeverie, programin e saj. Kur programi ka gënjeshtra për ato që kanë ndodhur, merret lehtë me mend sa të besueshme janë premtimet për të ardhmen.

Në fund, kam dhe një dilemë të cilën sado përpiqem, nuk e zgjidh dot. Për çfarë i duhet programi qeverisës kësaj qeverie? Këta i fitojnë zgjedhjet edhe pa program. Pse duhet t’i hapin punë vetes me gënjeshtra kot?

102


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas