Bashkimi Europian do të mbështesë zbatimin e një projekti të ri për modernizimin e menaxhimit financiar në Shqipëri dhe sistemin e kontrollit dhe inspektimit të financave publike në vend. Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe synon të kontribuojë për një përdorim të dobishëm, efikas dhe transparent e me përgjegjësi të fondeve publike, duke sjellë përvojën austriake dhe franceze në Shqipëri. Robert Gielisse, drejtues i buxhetit në Komisionin Europian, u shpreh se implementimi i sistemit modern të menaxhimit financiar në institucionet publike lokale dhe qendrore, do të mbështetet në praktikat më të mira të zbatuara në vendet e BE-së. Ndërsa projekti do të mbështesë Strategjinë e Shqipërisë 2014-2020 për financat publike, duke vënë theksin në forcimin e kontrollit të brendshëm, llogaridhënien dhe auditin e brendshëm si shtyllat kryesore për një planifikim dhe zbatim eficent të buxhetit për të fituar stabilitet makroekonomik.