Universiteti Europian i Tiranës vijon punën në kuadër të projektit të Menaxhimit Financiar, Kontabilitetit dhe Kontrollit për ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike (FINAC).
Qëllimi kryesor i projektit është të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive në administratën publike nëpërmjet zhvillimit të programeve master në fushat e menaxhimit financiar, kontabilitetit dhe kontrollit. Projekti po zbatohet në Shqipëri dhe Serbi, dhe konsorciumi përbëhet nga 12 anëtarë (nga Shqipëria, Serbia dhe katër vende të BE-së). Institucioni koordinues i projektit FINAC është Universiteti i Beogradit, Fakulteti i Shkencave Organizative. Partnerë nga Shqipëria janë Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.
Projekti mbështetet nga Erasmus+.
Çfarë synohet të arrihet?
Impakti final i projektit është të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve të punonjësve të administratës publike sa i takon menaxhimit financiar, auditit dhe kontrollit duke ndihmuar kështu në një ndër pesë prioritetet e integrimit në Bashkimin Europian, pra në reformën e administratës publike.
Çfarë ka bërë UET?
-Në vitin e parë të projektit, kërkuesit dhe profesorët e UET kanë realizuar një studim të nevojave të administratës publike sa i takon menaxhimit financiar, auditit dhe kontrollit.
-Sipas këtij studimi rezultoi që ka nevoja në rritje për zhvillim kapacitetesh në administratën publike për të përmirësuar më tej procedurat e menaxhimit financiar, auditit dhe kontrollit të brendshëm në linjë me standardet europiane dhe me synim rritjen e llogaridhënies dhe transparencës.
-Më konkretisht u evidentuan nevojat kryesore të funksionimit të sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik (KBFP/PIFC) në administratën publike.
-Këto nevoja shërbyen më pas si baza e hartimit të programit për masterin e ri në kuadër të projektit FINAC të programit Erasmus+ qe UET përgatiti në vitin e dytë të projektit.
-Kështu, sipas nevojave të identifikuara, UET lançoi këtë vit Masterin Profesional në Audit me fokus administratën publike, si edhe është në proces licencimi për një Master Ekzekutiv në Manaxhim Financiar që targeton drejtuesit e administratës publike.
-Tashmë për vitin akademik 2018-2019 në kuadër të projektit Erasmus+ FINAC, UET ofroi 10 bursa të plota studimi për punonjësit e administratës publike të interesuar për të realizuar masterin profesional ne audit. Përmes një thirrje të hapur dhe bashkëpunimit përgjatë jetëgjatësisë së projektit me institucionet publike, UET tashmë kontribuon në plotësimin e disa prej nevojave të administratës publike në këtë drejtim.
Gjithashtu, në nëntor dhe dhjetor 2018 UET po realizon trajnime të dedikuara për punonjësit e administratës publike në fusha të identifikuara si të nevojshme gjatë studimit të bërë në vitin e parë: IT Audit, menaxhimi dhe kontrolli i performancës, kontrolli dhe auditi i brendshëm dhe financat publike. Këto trajnime realizohen nga profesorët dhe kërkuesit e UET si edhe nga ekspertët më të mirë të fushës. Targeti arrin në 60 punonjës të administratës publike.
Ç’po ndodh me të tjerët në projekt?
Partneri tjetër shqiptar në projekt është Universiteti Luigj Gurakuqi i Shkodrës, të cilët kanë hapur një Master profesional në Kontroll Financiar me fokus administratën e qeverisjes vendore.
Ndërkohë partnerët e tjerë në projekt në Serbi gjithashtu kanë lançuar programe studimi në nivel master ne menaxhim financiar dhe audit për punonjësit e administratës publike.
Pra, universitetet në Serbi e Shqipëri po punojnë në të njëjtin drejtim në këtë projekt, në atë të zhvillimit të kapaciteteve të administratës publike sa i takon menaxhimit financiar, auditit dhe kontrollit si pjesë thelbësore e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Ndërkohë Universiteti i Split, Kroaci, Universiteti G. Marconi në Itali, Universiteti Matej Bej në Sllovaki dhe Masaryk në Çeki janë partnerët e Bashkimit Europian, të cilët kanë mbështetur universitetet në Shqipëri dhe në Serbi në zhvillimin e programeve të masterit, si edhe në shkëmbim përvoje sa i takon reformimit të administratës publike.