Një projektligj që nuk i është treguar publikut, për të cilin nuk ka pasur debat dhe informim të qytetarëve, e ndan territorin e vendit në 4 pjesë. Rajonet sjellin centralizim dhe më shumë kontroll e pushtet për Kryeministrin. Fondet, tashmë në duart e 4 komisarëve besnikë. Projekti është miratuar në fshehtësi ditën e ndryshimeve kushtetuese. Reagon ashpër opozita
Dje përmes denoncimit të Opozitës është mësuar një projekt i qeverisë që e ndan Shqipërinë në 4 rajone. Edhe pse flitet për kohezion social dhe subsidaritet, në fakt ligji në fjalë sjell përqendrim edhe më të madh të kompetencave dhe tagrave në duart e Kryeministrit, dhe largim të pushtetit nga qytetarët. Pasi shkriu komunat, pasi mori 61 Bashki, tani Edi Rama kërkon edhe më shumë kontroll duke e vendosur territorin në duart e 4 personave të besuar.
Ky projekt sjell, po ashtu, centralizim të fondeve e programeve. Krijimi i këtyre poleve të reja të pushtetit ka ngjyra elektorale pasi vjen para zgjedhjeve, dhe ka kosto financiare pasi qindra njerëz tashmë do të paguhen e do të kenë shpenzime që do të mbulohen nga taksat e qytetarëve. Edi Rama vijon të marrë vendime që e ndikojnë jetën e njerëzve pa pyetur askënd.
Reagon ashpër opozita
Dhurata Çupi: Edi Rama merr çdo pushtet në duart e tij
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, nëpërmjet një deklarate shprehet se ndarja e Shqipërisë në 4 rajone është kundër interesit të qytetarëve. Çupi thekson se Edi Rama po merr çdo pushtet në duart e tij dhe se fondet e BE-së centralizohen në një dorë, ku pushteti lokal dobësohet dhe shërbimet largohen nga qytetarët.
“Në muajt e fundit të qeverisjes, Edi Rama po thellon politikën e përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij. Miratimi i ligjit që ndan Shqipërinë në 4 rajone është kundër interesit të qytetarëve. Pas reformës së dështuar për ndarjen e Shqipërisë në 61 bashki, ky ligj largon akoma më shumë shërbimet nga njerëzit. Qytetarët e 57 bashkive të vendit duhet të shkojnë deri në 1 nga 4 bashkitë qendër rajoni, për të marrë një shërbim të caktuar. Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë sesa tani komunikimin mes pushtetit lokal dhe qytetarëve. Në këtë mënyrë qeveria centralizon pushtetin me të emëruarit e saj, duke dëmtuar rëndë interesin publik. Heqja e shërbimeve ndaj qytetarëve në vendin ku ata banojnë nuk i intereson Edi Ramës. Interesi i tij për miratimin e ligjit absurd që ndan Shqipërinë në 4 rajone është vetëm politik, elektoral dhe financiar. Ligji i miratuar pa zhurmë, ditën e miratimit të ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dobëson pushtetin lokal dhe rrit fuqinë e qeverisë qendrore, duke marrë kompetenca të bashkive apo të qarqeve. Dy janë tiparet kryesore të ligjit që shkel me këmbë interesin e qytetarëve: Sjell centralizimin e pushtetit në duart e Edi Ramës dhe Çon të gjitha fondet e Bashkimit Europian në duart e Edi Ramës. Çdo ndërhyrje e Edi Ramës ka të bëjë ose me pushtetin, ose me paranë. Njësoj si ndarja e dështuar territorial, ligji nuk ka për të sjellë as zhvillim, as shpërndarje më të drejtë fondesh. Diskriminimi i bashkive apo i rajoneve do të vazhdojë sipas interesit politik dhe elektoral të Edi Ramës. Qytetarët do të dalin më të dëmtuar, më të papërfaqësuar, më të braktisur”, ka deklaruar dje Çupi.
Vasili: Rama po ndan Shqipërinë në 4 vilajete
Me tone të forta ka qenë edhe reagimi nga LSI. Petrit Vasili e quan projektligjin vazhdim të rrugës që Rama ka nisur për rrënimin e Kushtetutës dhe demokracisë në vend.
“Qeverisja e Rilindjes po vazhdon në mënyrë të dëshpëruar të shtrembërojë ligjet në fuqi e Kushtetutën e vendit e të rrëmbejë ç’të mundet lidhur me pronën publike, me të drejtat e qytetarëve për të zgjedhur dhe për të vendosur për veten e tyre e duke shkelur e zhbërë edhe çdo lloj reforme të bërë apo të ashtuquajtur reformë të kryer nga ata vetë. Së fundmi, në mënyrë fantomatike në të njëjtën ditë kur ndryshoi Kushtetuta për sa u takon çështjeve që kishin të bënin me zgjedhjet, është miratuar dhe ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezionin. Ky ligj sipas të cilit ndërtohen 4 rajone të reja apo 4 rajone në të cilat ndahet e gjithë Shqipëria është një vendim vetëm i qeverisë shqiptare. Edi Rama me të tijtë vendos që të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete apo 4 çifligje, të cilat qeverisen nga një dorë, vetëm nga qeveria. Pra, ndan Shqipërinë në 4 vilajete apo 4 çifligje. Çfarë do të thotë me fjalë të thjeshta? Do të thotë pushtim nga qeveria i pushtetit lokal. Sepse këto rajone i mbivendosen dhe i rrëmbejnë kompetencat qarqeve të cilat janë të përcaktuara qartësisht në Kushtetutën e Shqipërisë e ku ndodhen atje edhe sot e kësaj dite. Pasi flitet shumë qartë që njësitë e qeverisjes vendore, në nenin 108 të Kushtetutës, janë komunat ose bashkitë dhe qarqet. Kufijtë e tyre thotë neni 108 pika 2, nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”, ka deklaruar dje Vasili.
Për drejtuesin e lartë të LSI ngjarja e re është mbivendosje për qëllime elektorale dhe për përqendrimin e sa më shumë pushteti në duart e Ramës.
“Ne kemi qarqet në Kushtetutë, kemi 12 të tilla, të cilat zgjidhen në bazë të një pushteti lokal i cili u reformua sipas socialistëve të cilët kanë duartrokitur e bërtitur shumë në 2015 e ku nga 384 njësi vendore u ndërtuan 61 vetëm bashki, e mbi bazë të këtyre ndërtohen qarqet, pra me votim. Këto institucione të zgjedhura, të ndërtuara në bazë të një reforme që vetë socialistët, rilindësit e promovojnë e bërtasin fort, sot zhbëhen dhe këto kompetenca i rrëmbyekan këto agjenci sipas të cilave ngrihet një agjenci e madhe kombëtare e cila drejtohet nga një komitet kombëtar i zhvillimit.
Ky komiteti kombëtar i zhvillimit rajonal i cili do u drejtuaka nga zv.kryeministri. Pra, pashallëqeve u është vënë dhe bedeli që do t’i drejtojë dhe të gjitha këto janë të tëra në varësi të qeverisë. Edhe disa institucione të tjera që duan të ndërtojnë, disa të ashtuquajtura borde, kanë funksione monitorimi. Shqiptarët duan të dinë, ca thotë Kushtetuta për qarqet aktualisht dhe që është në fuqi neni 110 pika 2. “Qarku është njësia ku ndërtohen e zbatohen, politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikat shtetërore”.
Më qartë dhe në mënyrë më të kristaltë se kaq, Kushtetuta nuk mund të shprehet. Por pushtuesit e pushtetit lokal, kanë shkelur mbi Kushtetutë e ligj duke qenë një ushtri në shpartallim e në ikje mendojnë që të rrëmbejmë në këtë mënyrë e të marrim ç’të marrim. Dhe Kushtetuta zhbëhet me një ligj të thjeshtë që miratohet me 36 vota, bazuar në disa nene të Kushtetutës që nuk kanë të bëjnë fare me organizimin e pushtetit lokal, ndërkohë këto institucione ndodhen në pushtetin lokal dhe krijimi i institucionit paralel apo i institucionit të ri është që t’i vdesë, t’i asfiksojë, t’i asgjësojë dhe përfundimisht pushteti lokal në Shqipëri është një zero e vërtetë, pasi çdo gjë është në duart e Kryeministrit”, shprehet Vasili.
“Jam këtu për të bërë një apel, shumë te qartë, të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivokë. Çdo njeri në detyrë shtetërore propozues firmosës edhe i akteve të tilla, përfshi dhe ata që votojnë në parlament duhet të dinë që kanë atribute përfaqësimi dhe përgjegjësi juridiko-individuale. Si të tillë asnjëri nuk mund të mendojë që nën ombrellën e vendimeve kolektive nuk do të përgjigjen individualisht gjithsecili për këto faje shumë të rënda ndaj vendit”, përfundon Vasili.