Aktualitet

Prokurori i dosjes 184: KPK bëri një sy qorr ndaj dënimit të kunatit






               Publikuar në : 18:59 - 12/09/19 |
mapo.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit fshehu nga seanca dëgjimore publike denoncimin që kunati i Klodian Brahos ishte arrestuar në Itali për trafik droge– fakt që prokurori i Krimeve të Rënda nuk e kishte pohuar në formularin e deklarimit të kontrollit të figurës.


Seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ndaj prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Klodian Braho – e mbajtur në mëngjesin e 25 qershorit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, kaloi në dukje pa telashe për subjektin e rivlerësimit.

Shpjegimet e prokurorit që synon të bëhet pjesë e prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përpara trupës gjykuese të KPK-së të përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Roland Ilia relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, janë përqendruar kryesisht në mungesën e dokumenteve për një hua me vlerë 5 mijë euro nga babai i tij fermer.

Gjatë prezantimit të gjetjeve të raportuara nga institucionet mbështetëse dhe të hetimit administrativ të Komisionit në seancë dëgjimore, relatori Roland Ilia u shpreh që Drejtoria të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe KPK nuk kishin konstatuar kontakte të subjektit me persona që kishin lidhje me krimin e organizuar.

Megjithatë, vendimi i zbardhur i KPK-së për konfirmimin në detyrë të Brahos –  i cili është marrë me shumicë votash, tregon se një muaj përpara seancës Komisioni kishte marrë një denoncim, sipas të cilit rezultonte se kunati i prokurorit ishte dënuar në vitin 2011 për trafik droge.

Megjithëse ky fakt është pranuar në komunikimet me postë elektronike me komisionin edhe nga vet prokurori Baho, i cili ka mohuar të ketë pasuar informacion për të shkuarën e kunatit përpara se të vihej në dijeni nga KPK, ai nuk është përmendur as nga relatori dhe as nga subjekti në seancë dëgjimore, duke e lënë publikun në hije të së vërtetës.

I pyetur nga BIRN mbi dënimin e kunatit dhe arsyen pse ky fakt nuk ishte bërë prezent gjatë seancës dëgjimore, prokurori Braho preferoi të mos komentonte.  Komisioneri Roland Ilia, i kontaktuar nëpërmjet zëdhënëses të KPK-së, nuk ishte i arritshëm për koment të enjten.

“Nuk kam koment sepse është çështje familjare,” tha Braho nëpërmjet telefonit.

Prokurori i dosjes “184”

Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie dhe si ekspert në Shkollën e Magjistraturës. Ai u kualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mes kandidatëve për SPAK, por për t’u emëruar nevojitet vendimi i formës së prerë nga institucionet e vetingut.

Dy javë përpara seancës dëgjimore në KPK, prokurori Braho mori vendimin për transferimin e çështjes së famëkeqe e njohur si ‘dosja 184’ – e cila përmban dyshime se një grusht zyrtarësh vendorë të Partisë Socialiste ishin pjesë të një skeme për blerje votash në hedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Dibër në vitin 2016.

Pas gati tre vjet hetimesh nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe qindra orë përgjimesh –disa prej të cilave kanë rrjedhur dhe janë publikuar në media, Braho vendosi me 12 korrik për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale nga “grupi i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”; që sipas Prokurorisë së Përgjithshme përcaktoi edhe juridiksionin e dosjes jashtë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

I pyetur nga BIRN nëse procesi i vetingut kishte ndikuar në vendimin e tij për ‘dosjen 184’, prokurori Braho refuzoi të komentonte.

Në KPK Braho është vlerësuar për të tri kriteret e vetingut, por ka qenë vlerësimi i figurës që e ka ndarë trupën gjykuese.

Në  vendimin e saj, KPK zbulon se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, në vitin 2017 ka kryer kontrollin e figurës të prokurorit Klodian Braho, dhe ka dërguar në KPK një raport sipas të cilit ai është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

“Sipas këtij raporti, subjekti i rivlerësimit ka plotësuar saktë dhe me vërtetësi formularin e deklarimit për kontrollin e figurës, si dhe nuk ka informacione se subjekti ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar,” shpjegon KPK në vendimin.

Megjithatë, me datë 25 qershor 2019, një muaj përpara seancës dëgjimore publike, në KPK ka ardhur një denoncimin nga shtetasi E.D, sipas të cilit kunati i prokurorit (vëllai i gruas) ishte i përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në shtetin Italian dhe gjithashtu kishte përfituara pasuri në bazë të favoreve të bëra nga subjekti i rivlerësimit.

Nga kërkimet e komisionit në internet ka rezultuar se denoncimi i shtetasit E.D, ishte një fakt botërisht i njohur. Sipas një artikulli të publikuar në media italiane “Romagna Noi’, kunati i prokurorit Ergys Veraj është arrestuar në maj 2011 në rajonin e Forlisë me 65 gram kokainë sëbashku me një tjetër shtetas shqiptar. Pas bastisjes së banesave të dy të ndaluarave policia italiane ka zbuluar dhe 85 gramë heroinë dhe kokainë.

Në lidhje më këtë denoncim, KPK i ka kërkuar shpjegime prokurorit Klodian Braho, i cili është shprehur se nuk ka pasur dijeni për dënimin e kunatit, duke nënvizuar se ai dhe bashkëshortja janë njohur disa vite pas ndalimit të tij të raportuar në vitin 2011.

“Artikulli mban datën 27.05.2011 dhe nuk kam pasur mundësi objektive dhe reale që të kem pasur dijeni për këtë çështje,” ka thënë Braho.

“Në këtë periudhë kam qenë në detyrë në qytetin e Beratit. Me bashkëshorten jam lidhur në vitin 2015 dhe jam martuar në vitin 2016, pesë vjet më vonë nga koha kur është botuar artikulli në mediat e huaja,” shtoi ai.

Bazuar në shpjegimet e dhëna nga prokurori, shumica e trupës gjykuese e përbërë nga Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari, është shprehur se sipas verifikimeve të sistemit TIMS dhe deklarimeve të subjektit të rivlerësimit, kontaktet e subjektit me kunatin kanë qenë të rralla, çfarë ka krijuar besimin e brendshëm tek dy komisionerët se prokurori nuk pasur dijeni mbi arrestimin të kunatit për trafik lëndësh narkotike.

Pas rivlerësimit edhe të dy kritereve të tjera të vetingut – pasurinë dhe profesionalizmit, për të cilat Komisioni nuk ka konstatuar probleme, Sanxhaktari dhe Ilia kanë votuar për ta konfirmuar në detyrë prokurorin Klodian Braho.

Mendimi i pakicës

Ndryshe ka arsyetuar për sa i përket pastërtisë së figurës së prokurorit, kryesuesja e trupës gjykuese Xhensila Pine. Pine nënvizon se sipas nenit DH, “kontrolli i figurës,” të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve,” e ka pasur detyrim plotësimin me saktësi të deklaratës për kontrollin e figurës.

Sipas parashikimi të ligjit, kunati i prokurorit Braho – shtetasi Ergys Veraj, konsiderohet si i përfshirë në krimin e organizuar dhe subjekti i rivlerësimit kishte detyrim ta deklaronte këtë fakt. Sipas Pines subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, “përpara se të plotësonte deklaratën për kontrollin e figurës duhet të bënte të gjitha verifikimet e nevojshme me qëllim plotësimin me vërtetësi dhe saktësi sipas detyrimit kushtetues.”

Kryesuesja e trupës gjykuese shpjegon se rrethanat lehtësuese për një subjekt në rrethanat e Brahos, sipas ligjit aplikohen vetëm kur shkalla e ndikimit apo afërsia e subjektit me kontaktin do të ishte e largët dhe/ose ky fundi ka dhënë deklarime të plota dhe të vërteta në lidhje me këtë kontakt.

Pine shprehet se ndryshe nga sa ka arsyetuar shumica e trupës gjykuese, Braho nuk është në kushtet e përfitimit nga rrethanat lehtësuese të ligjit, pasi afërsia e kontaktit të papërshtatshëm është konfirmuar nga hetimi administrativ, ndërkohë subjekti nuk ka dhënë deklarime bindëse në lidhje me këtë kontakt për të vërtetuar se marrëdhënie e tij me shtetasin E.V janë të largëta.

“Kjo afërsi,si dhe shkalla e ndikimit,u konfirmuan edhe nga fakti që për kreditë e marra nga bashkëshortja e  tij si  bashkëkredimarrëse, këstet mujore paguheshin dhe vijojnë të paguhen,edhe aktualisht ndër të tjera,edhe nga të ardhurat e shtetasit E.V.,” shprehet Pine.

Sipas kryesues së trupës, pagesa e kredive të marra nga bashkëshortja e subjektit me të ardhurat e të vëllait, e vendos Brahon në kushtet e mosdeklarimit të kontakti me të cilin ka shkëmbyer pasuri. Pine gjithashtu nënvizon se pasi u pyet nga Komisioni, Braho nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi numrin dhe llojin e dënimeve të marra nga kunati në shtetin italian, duke mos qenë i hapur dhe sqarues në lidhje me arrestimin e tij.

Në mendimin e pakicës komisionerja gjithashtu vë re se në dokumentacionin e paraqitur komisionit për pagesën e kredisë ku bashkëshortja është kredimarrëse, subjekti ka paraqitur dokumentacion për punësimin e një prej vëllezërve por jo të shtetasit E.V.

Sipas Pines, deklarimi nga subjekti i të ardhurave të shtetasit E.V vetëm në Shqipëri, ku sipas sistemit TIMS, ai ka qëndruar vetëm për një kohë të shkurtër, është indicie se prokurori Braho ka pasur informacion mbi procedimin penal të kunatit.

Komisionerja nënvijëzon se për shkak se subjekti ka njohuri të posaçme, ai duhet të bënte kujdes të shtuar dhe të sigurohej se të ardhurat e përdorura për pagesën e kredisë kishin burime të ligjshme.

“Subjekti  i rivlerësimit ka plotësuar  në mënyrë të pasaktë dhe jo me vërtetësi deklaratën për kontrollin  e  figurës, dhe  ngarkohet  me  përgjegjësinë  e  mosplotësimit  të  saktë,  pasi  nuk  ka deklaruar faktin se vëllai i bashkëshortes së tij ka qenë i proceduar penalisht për veprën penale të  shitjes  së  lëndëve  narkotike në shtetin  italian, as  shkëmbimin  e  pasurisë  me  persona të përfshirë në krimin e organizuar,” shkruan Pine.

“Subjekti  i  rivlerësimit nuk  provon bindshëm  se  s’ka  qenë  në  dijeni  të  faktit  se  vëllai  i bashkëshortes  së  tij,shtetasi  E.V.,ka  qenë i  proceduar  penalisht  në  shtetin  italian dhe  me argumentet  e  dhënë  në  drejtim  të  shfajësimit  apo  të  padijenisë,  nuk  provoi  me  motive apo argumente, zhveshjen nga kjo përgjegjësi,” shtoi ajo.

Për shkak të fakteve të sipërpërmendura, komisionerja Xhensila Pine ka arritur në përfundimin se prokurori Klodian Braho ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për sa i përket kontrollit të figurës dhe duhet të shkarkohej nga detyra.

/Besar Likmetaj- BIRN


Etiketa: , , , , , ,

Pas