Kadri Voga, babai i Mandi Vogës që është shpallur në kërkim për rrahjen e avokatit Ilia Ilia, ka bërë një deklaratë të fortë në media, ku ka bërë përgjegjës për ngjarjen pikërisht prokurorin Arian Ndoja.
Ai thotë që i biri i tij është keqpërdorur nga Ndoja, dhe ngjarja është shumë e rëndë.
Kadri Voga shkon deri atje sa thotë që do të bëjë vetëgjyqësi ndaj prokurorit, në rast se organet e drejtësisë nuk zbardhin ngjarjen.
‘’Avokati Ilia Ilia është një figurë e nderuar, i kërkoj ndjesë familjes së tij dhe të gjithë opinionit publik, për këtë ngjarje të rëndë. Prokurori Ndoja po e përdor djalin tim si të fortë, Mandi është një viktimë e paguar e Ndojit”, është shprehur në deklaratën e tij të fortë Kadri Voga.
Në rrëfimin e tij Kadri Voga shkon më tej duke thënë se prokuropri Ndoja ka arritur që të shkatërrojë familjen e tyre, madje duke i marrë dhe lokalin e ndërtuar me shumë vite mund.
Voga tregon se i biri i tij dhe prokurori Ndoja kanë qenë shokë shkolle, po pavarësisht kërkesave të tij si prind, Mandi nuk është larguar nga ky person.
‘’Me Arjan Ndojin jam në gjyqe prej 10 vitesh, e kam denoncuar për veprime anti-ligjore. Prokurori Arjan Ndoji përkrah kriminelët, më ka marrë lokalin e familjes sime”, shprehet më tej Kadri Voga.