Vetëm pak minuta më parë, organi i akuzës njoftoi zyrtarisht se e kishte dërguar audio-përgjimin e publikuar nga PD-ja ku dëgjohet një bisedë e Agron Xhafajt, (vëllai i ministrit të Brendshëm) me një ish-trafikant droge, jashtë vendit për ekspertizë.
Burimet njoftuan se ky material është dërguar në laboratorë jashtë vendit.
Nuk dihet se pse Prokuroria e ka marrë këtë vendim…, a lidhet ajo me faktin se opozita e ka akuzuar për qëndrim të njënashëm dhe për pasojë vendimi i saj do të paragjykohej apo arsyet duhen gjetur gjetkë.
Ajo që dihet me siguri është se ky njoftim i Prokurorisë u ‘dekonspirua’ nga kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend paradite.
Dhe deklarata e Ramës nuk ishte një informacion, por një dëshirë e tij se si duhej ndjekur kjo çështje nga organi i akuzës.
“…Ajo që na duhet është që të na vijë përgjigja e analizës shkencore në një laborator shkencor të cilitdo vend partner me Shqipërinë…”, tha Rama.
Deri më tash rreth kësaj çështje ka folur vetëm kryeministri. Ai tha pas 10 orësh kur doli video, se ajo ishte e montuar dhe se për këtë kishte marrë ekspertizë nga një laborator i huaj.
Rama nuk e tha emrin e laboratorit duke thënë se prova zyrtare ishte përgjigja e organit të akuzës.