Gjykata e Apelit Tiranë shtyn për të mërkurën shqyrtimin e ankimimit të Prokurorisë kundër vendimit që liroi ish-deputetin Klevis Balliu. Seanca e sotme u shty për shkak të problemeve në njoftimet e palëve.
Prokuroria e Tiranës kërkon “arrest shtëpie” për Balliu, pas incidenteve me policinë në një prej protestave të banorëve të “Astirit”. Jashtë sallës, Klevis Balliu u shpreh se kjo tregon se shteti nuk funksionon. Ai e konsideroi procesin ndaj tij politik dhe po ashtu arrestimet e protestuesve opozitarë. Ai akuzoi gjithashtu se qeveria ka uzurpuar drejtësinë dhe vijon të vjedhë shqiptarët.
“Ne jemi gati, kudo që të na thërrasin, nuk do të ketë asnjë moment që opozita të ndalet për kauzën më të drejtë, liria e fjalës, e votes dhe e drejta per te jetuar te lire. Rama te largohet, jo pse duam ne, por se kemi fakte ku ai ka qene arkitekti i qindra miliona vjedhjeve nga buxheti, para të taksapaguesve shqiptarë. Këta që nuk kanë 30 mln euro për të ndërtuar Teatrin kanë maftueshëm para për të vjedhur 300 mln euro në Milot, 40 mln euro në Unazën e Re. Ne nuk do të ndalemi, në rrugë, në prokurori, në polici. Kemi çuar me video në prokurori dhunën e ushtruar nga policia ndaj banorëve të Bregut të Lumit dhe prokuroria e pushon çështjen”, u shpreh Balliu.
Sa për masën e kërkuar nga Prokuroria, ai ka thënë që kjo bëhet për ta penguar që ai të jetë në protestë në krah të qytetarëve. “Arrestime politike nga një qeveri që është në ditët e fundit, të mos e vazhdojnë më këtë rrugë do të mbajnë përgjegjësi për çdo arrestim te paligjshëm dhe dhunën kundër shqiptarëve. Policia do mbajë përgjegjësi për çdo arrestim të paligjshëm për t’i dalë në mbrojtje kësaj qeverie që ka rënë. S’do ketë vendim gjykata që do na ndalojë ne për të mbrojtur qytetarët”- tha Balliu.
Ndërkohe që avokati i tij, Genc Gjokutaj, u shpreh se se një masë e tillë është e pambështetur. ““Arrest shtëpiak”, procedimi është i paligjshëm, do e shihni fundin e kësaj çështje si të gjitha të tjerat, nuk ka asnjë kusht për këtë punë, do të presim ditën e mërkurë që të jepet vendimi”- tha ai.