Prokuroria për Krimet e Rënda ka dhënë pretencën për Denis Shtrazën, duke kërkuar burgim përjetë.
Ai akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2016 në qytetin e Durrësit.
33 – vjeçari i ka mohuar akuzat.
Ai e ka pritur pretencën duke buzëqeshur, pa shfaqur shenja tensioni.
Prokuroria tha se Shtraza duhet të mbyllet në një burg të sigurisë së lartë.
Mbrëmjen e 6 janarit, në qendër të Durrësit u rrëmbye nga disa persona Gazmend Çollaku.
Ai u gjet të nesërmen i pajetë në fshatin Murqin të Krujës, i lidhur dhe i qëlluar nga disa plumba në kokë.
Denis Shtraza është njëri nga personat e akuzuar për rrëmbimin e Çollakut, ndërkohë që për ish-oficerin e dyshuar bashkë me të, Ervin Dalipaj, gjykimi u pushua pas vrasjes së tij.
Por Denis Shtraza pretendon se nuk ka lidhje me akuzën pasi, sipas tij, ai ishte shok me Çollakun, të cilin e njihte që kur të dy ata mbaheshin në burg për vepra të tjera.