Para dy ditësh, Gazmend Bardhi, i cili mban detyrën e Sekretyarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, ka treguar detaje rreth asaj se çfarë përmban dosja 184, për të cilën opozita pretendon se janë të tjera përgjime të ngjashme me ato të dosjes 339, ku drejtues të lartë të PS-së sipas Bardhit, janë të përfshirë direkt në shit-blerjen e votës. Ai tha se në dosjen 184 është vetë Edi Rama, i cili është kapur në përgjime duke folur me elementë të inkriminuar, të cilët bëjnë pazare me votën e shqiptarëve.
Kurse dje për herë të parë nga Dibra, lideri i opozitës Lulzim Basha zbuloi emrat e “Dosjes 184”. Sipas tij, janë përgjuar në blerje votash dhe kontakte me Ymer Lalën dhe dy ish-ministra të qeverisë Rama, si Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj.
Edhe pse zyra e shtypit e organit të akuzës nuk pranon të japë emra dhe detaje mbi këtë çështje, por ajo konfirmon për A2 CNN se veprimtaria e disa politikanëve është nën hetim.
Një ditë më pas, deklaratave të kreut të PD-së, Prokuroria e Përgjithshme, pranon zyrtarisht se po heton mbi veprimtarinë e disa politikanëve dhe pozicionet e tyre në zgjedhjet elektorale.
Çështja është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe mësohet se pjesë e hetimit janë pamje filmike, përgjime si dhe dëshmi.
Dosja 184 është e para çështje hetimore që nis ndaj fenomenit të blerjes së votave në vend. Për të është folur shumë, pasi dyshohet se në këtë veprimtari janë përfshirë emra të lartë politikanësh, siç pranon Prokuroria e Përgjithshme.