Tiranë Prokuroria dështoi dje për herë të tretë me kërkesën për izolimin në qeli të ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, i dyshuar për vrasjen e Faik Myrtajt në demonstratën e 21 janarit. Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi arrestin e shtëpisë që Shkalla e Parë caktoi ndaj Ndrea Prendit pak ditë më parë. Prova e shumëpërfolur që fakton tërheqjen e pistoletës së krimit nga ish-komandanti i Gardës nuk u paraqit as dje në Gjykatën e Apelit. I pyetur nga gjykata, lidhur me provën e munguar gjatë seancës në Shkallë të Parë, përfaqësuesi i akuzës tha se prokuroria e disponon këtë provë, por ajo do të depozitohet në ankimet e tjera që do të bëhen për këtë çështje. Seanca për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë nisi me rreth 20 minuta vonesë, ndërsa ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, nuk ishte paraqitur në sallën e gjyqit. Nëpërmjet një deklarate të shkruar, ai kërkonte të përfaqësohej nga avokati i tij Genc Gjokutaj, i cili njëherësh kishte depozituar një ankim ku kërkonte caktimin e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje” për klientin e tij. Në seancë nuk munguan as debatet mes palëve, ku një prej anëtarëve të trupit gjykues, Edmond Gogo, i kërkoi avokatit Gjokutaj të specifikonte se çfarë kuptonte me sulm ndaj Kryeministrisë. “Zgjerohuni në koncept avokat. Çfarë do të thotë sulm? A mund të quhet sulm nëse qëllohet me grushte muri i Kryeministrisë”- ndërhyri gjyqtari Gogo, teksa avokati i Prendit kundërshtonte apelin e prokurorisë, duke i kërkuar gjykatës një masë me të butë ndaj klientit të tij. Përfaqësuesi i akuzës tha se Ndrea Prendi ka qëlluar 11 herë me armën e tij tip pistoletë “Bereta” me numër P52796Z, nga e cila 5 predha janë qitur me tytën e pistoletës së shoferit të ish-komandantit të Gardës, Margarit Kume. Sipas prokurorit, të 11 gëzhojat janë gjetur brenda Kryeministrisë. “I dyshuari Ndrea Prendi ka qëlluar 11 herë me armën e tij në drejtim të turmës me qëllim vrasjen e personave që ndodheshin në tubim” -tha prokurori, duke shpjeguar se një predhë e qitur nga arma e ish-komandantit të Gardës është gjetur në palmën pranë Kryeministrisë dhe tre të tjera në godinën e UNHCR-së, e cila ndodhet mes kullave binjake dhe Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ndrea Prendit thuhet se të gjithë personat e vrarë kanë qenë larg godinës së Kryeministrisë dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë duke kryer veprime të dhunshme në momentin kur janë qëlluar me armë zjarri. Sipas prokurorit, ish-komandanti i Gardës ka shkelur ligjin për Gardën dhe atë për përdorimin e armëve të zjarrit, pasi asnjë prej protestuesve nuk ka qenë i armatosur duke mos sjellë asnjë të plagosur në radhët e gardistëve. Por kjo pjesë e kërkesës së prokurorisë është kundërshtuar nga avokati Genc Gjokutaj, i cili tha se një nga të plagosurit ka qenë klienti i tij, i cili është qëlluar me sende të forta nga ana e demonstruesve. Sipas Gjokutajt, Apeli duhet të ndryshojë masën ndaj klientit të tij, duke caktuar masën “detyrim për paraqitje”. Sipas tij, gjatë një viti Ndrea Prendi ka qenë në dispozicion të hetimit, duke u treguar i gatshëm rreth kërkesave të prokurorisë në lidhje me çështjen, çka sipas tij rrëzon një nga kriteret e rëndësishme për caktimin e masave shtrënguese të sigurisë, që është fshehja apo dëmtimi i provave. Po ashtu, avokati argumentoi se klienti i tij nuk ka rrezik ikje nga vendit, pasi gjatë një viti ai ka qenë pjesë e disa delegacioneve, duke udhëtuar vazhdimisht jashtë vendit dhe nuk ka menduar asnjëherë t’i fshihet drejtësisë. Rasti më i fundit, sipas Gjokutajt, ishte në dhjetor të vitit të shkuar, kur Ndrea Prendi ka qëndruar për rreth një muaj e gjysmë në Turqi për një problem shëndetësor të një prej të afërmve të tij, duke i pasur të gjitha mundësitë për të mos u kthyer, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Gjokutaj kërkoi nga gjykata ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë, duke caktuar për Prendin masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe mospranimin e Apelit të Prokurorisë. Pasi dëgjoi palët, gjykata u tërhoq për rreth pesë minuta për të komunikuar vendimin që la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Komandantin e Gardës së Republikës, i dyshuar nga prokuroria për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj në protestën e opozitës më 21 janar të vitit të shkuar.
Zbardhen debatet mes gjykatës, prokurorit e avokatit
Gjyqtari: Në lidhje me provën që vërteton se pistoleta është e Prendit, a e keni depozituar këtë provë?
Prokurori: E disponojmë këtë provë, por nuk duam ta konsumojnë në këtë fazë të procesit. Ajo do të depozitohet në ankimet e tjera që do të bëhen për këtë çështje.
Avokati Gjokutaj: Kërkoj detyrim paraqitje për klientin tim, pasi ai ishte në mbrojtje të institucioneve kushtetuese, gjatë sulmit që iu bë kryeministrisë!
Gjyqtari Edmond Gogo: Ju lutem, specifikoni se çfarë nënkuptoni me sulm kundër Kryeministrisë. Zgjerohuni në koncept avokat. Çfarë do të thotë sulm? A mund të quhet sulm nëse qëllohet me grushte muri i Kryeministrisë?
Genc Gjokutaj: Klienti im është një nga të plagosurit, i cili është qëlluar me sende të forta nga ana e demonstruesve gjatë këtij sulmi.
Prokurori: I dyshuari Ndrea Prendi ka qëlluar 11 herë me armën e tij në drejtim të turmës me qëllim vrasjen e personave që ndodheshin në tubim. Një predhë e qitur nga arma e ish-komandantit të Gardës është gjetur në palmën pranë Kryeministrisë dhe tre të tjera në godinën e UNHCR-së, e cila ndodhet mes kullave binjake dhe Gjykatës Kushtetuese. Për këto arsye kërkojmë arrest me burg për të.
Avokati Gjokutaj: Klienti i tij nuk ka rrezik ikje nga vendi, pasi gjatë një viti ai ka qenë pjesë e disa delegacioneve, duke udhëtuar vazhdimisht jashtë vendit dhe nuk ka menduar asnjëherë t’i fshihet drejtësisë. Rasti më i fundit ishte në dhjetor të vitit të shkuar, kur Ndrea Prendi ka qëndruar për rreth një muaj e gjysmë në Turqi për një problem shëndetësor të një prej të afërmve të tij, duke i pasur të gjitha mundësitë për të mos u kthyer, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Liri për shoferin e Prendit: Ja
si e dorëzova armën në Gardë
Margarit Kume është liruar nga arresti shtëpiak, duke u lënë në detyrim paraqitje nga Gjykata e Apelit. Sqaron dorëzimin e armës, në mars 2011
Gjykata e Apelit vendosi dje të heqë masën e sigurimit “arrest shtëpie” për shoferin e komandantit të Gardës, Margarit Kume, i cili akuzohet nga prokuroria për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Prokurori tha se Kume ka ndërruar tytën e armës së tij me atë të ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit dhe për këtë arsye duhet të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Por avokati Qazim Gjonaj argumentoi se klienti i tij nuk është pyetur asnjëherë për këtë çështje dhe se nuk ka rrezik që ai të fshehë, zhdukë apo dëmtojë provat. Sipas avokatit, Margarit Kume e ka dorëzuar armën e shërbimit pistoletë tip “Bereta” më 22 janar të vitit të shkuar dhe prej atij momenti nuk ka patur më asnjë të drejtë mbi pistoletën. Por Kume, i pranishëm në sallën e gjyqit, tha se armën e ka dorëzuar te shefi i armatimit të Gardës në mars të vitit 2011. Sipas tij, atë ditë e kanë marrë në telefon duke i thënë se prokurorët po e presin në zyrën e shefit të armatimit për të dorëzuar pistoletën. “Kur shkova në zyrën e shefit të armatimit, prokurorët ishin larguar dhe kishin lënë porosi që të mblidheshin të gjitha armët. Unë dorëzova pistoletën dhe nuk di më se çfarë është bërë më pas”- tha shoferi i Ndrea Prendit, i pranishëm në sallën e gjyqit. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, i njëjti trup gjykues vendosi masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” ndaj Margarit Kumes.
Te gjitha sa lexojme me krijojn bindjen se jane lojna me rrejt miletin se demek po bajme drejtesi.
Ky sot po rrin ne shtepi e neser po rifillon detyren pa i hyre ferre ne kame.
Rrofta Salia qe i nenshtron te gjithe me hafifije te padukshme.