Prokurorët që hetojnë vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat do të rikthehen në vendin e krimit për të organizuar një eksperiment me armët e gjetura në fshat.
Burimet thonë se do bëhet qitje me armët e gjetura në pusetën mbrapa shkollës së mesme në Lazarat, armë që dyshohet se u përdoren nga Arbion Aliko, vellai i tij Albani dhe Edmond Boci, personat që ishin e arrestuar mëngjesin e sulmit me armë.
Me anë të këtij eksperimenti në vendin e ngjarjes, hetuesit synojnë të kenë të dhëna më të sakta për vendin nga ku u qëllua Ibrahim Basha, trajektoren e plumbit dhe vendin ku mund të ketë përfunduar predha, që ende nuk është gjetur nga prokuroria.
Në kërkim të predhës që i solli vdekjen efektivit Basha, mësohet se është kërkuar ndihmë nga forcat ushtarake.
Kërkimi do të bëhet me një detektor metalesh pranë vendit të ngjarjes.
Nga ana tjetër ende nuk kanë përfunduar ekzaminimet e gjurmëve të gishtave në armët e Lazaratit, per t’i krahasuar me gjurmët e gishtave të të arrestuarve.
Të dyshuarit për sulmin me armë ndaj policisë, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha, do të mbajnë përgjegjësi penale edhe për akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
ABC News ka mësuar se Prokuroria për Krime të Rënda, krahas akuzës së vrasjes në rrethana cilësuse ndaj punonjësit të policisë, në ngarkim të të dyshuarve si grupi i zjarrit ngre akuzën edhe të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas prokurorisë, Arbion Aliko dhe Bajram Boci, i shpallur në kërkim, dyshohet se janë ideatorët e organizimit të të rinjve të Lazaratit për të sulmuar policinë dhe janë ata që kanë grumbulluar rreth vetes rreth 17 persona.
Burimet thanë se është provuar tashmë se sulmi ishte planifikuar disa muaj më parë, me takimet e herëpashershme mes tyre, mbledhjen e armëve, ndarjen e detyrave për gjithësecilin, përgatitja dhe qepja e maskave të kokës tek një rrobaqepëse në fshat, prishja e murit rrethues dhe ndërtimi i istikameve sulmuese.
Hetuesit thonë se edhe ditën e sulmit me armë, janë Arbion Aliko dhe Bajarm Boci personat që kanë dhënë edhe urdhërin për të qëlluar në drejtim të policisë./ABC