Kryesore

Prokurorisë i mbaron koha, Tahiri shënon “fitoren” e parë






               Publikuar në : 09:39 - 12/02/19 |
mapo.al

Gjykata e Krimeve të Rënda refuzon shtyrjen e hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe i la afat deri më 10 mars Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dërguar në gjykatë dosjen. Tahiri: “Kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund. Deri më 10 mars koha numërohet mbrapsht…”. Partia Demokratike akuzon kryeministrin se shantazhoi gjykatën, ndërsa ngre dyshime se po tentohet të mbyllet çështja, pa pritur provat komprometuese që do mbërrinin nga Mali i Zi.


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka afat deri më 10 mars të këtij viti për të mbyllur hetimet dhe dorëzuar dosjen në gjykatë, në ngarkim të të pandehurit Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm. Ky ka qenë vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda që pranoi kërkesën e ish-ministrit duke i dhënë afat prokurorisë për të vendosur mbi hetimin deri në 10 mars 2019. Kjo nënkupton se nuk do të pranohet më kërkesa e institucionit të akuzës për shtyrje të afateve hetimore dhe nëse dosja nuk dërgohet në gjyqësor brenda kësaj periudhe, atëherë hetimet pushohen automatikisht. Prokurorisë i ka nisur numërimi mbrapsht për dosjen e nxehtë të Saimir Tahirit, pasi do i duhet që brenda tre javëve në vijim të mbyllë hetimet dhe sigurojë çdo dokument, dëshmi apo akt ekspertize të çështjes Tahiri. Pas dhënies së këtij vendimi nga gjykata, ish-ministri Tahiri deklaroi për mediat se kjo çështje nuk mund të zgjaste pa fund. “Kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund. Deri më 10 mars koha numërohet mbrapsht, ka kohë deri atëherë. Nuk e shoh si lojë golash, e shoh si mundësinë time për të marrë drejtësinë që më takon. Kam pritur një vit e ca pa folur që drejtësia të flasë, me të gjitha akuzat politike me të cilat nuk po merrem. Ashtu si e thashë edhe herën e kaluar, merre me mend se çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë, kur kjo ndodh me mua që kam mundësinë të flas edhe me median”, theksoi Tahiri.

Prokuroria në luftë me kohën

Vetë prokuroria nëse do të kërkojë më shumë kohë, që nënkupton shtyrjen edhe me tre muaj të tjerë të hetimeve, do i duhet që t’i drejtohet Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për të apeluar vendimin e djeshëm. Në një situatë të tillë, më shumë se të mbahet pas procedurave, institucionit të akuzës i vlejnë edhe këto pak ditë që i kanë mbetur për të përfunduar hetimet ndaj ish-ministrit, i akuzuar për vepra të rënda penale, si: trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publikë dhe shpërdorim detyre. Dyshimet e prokurorisë janë se Tahiri gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm, veçanërisht në periudhën 2014-2016, ka favorizuar kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj, në trafikun e drogës. Ndonëse çështja është e ndarë, çështja dhe të dyshuarit për implikim janë të njëjtë edhe në rastin e hetimeve ndaj ish-kreut të Policisë së Vlorës Jaeld Çela. Ai po hetohet për lidhjet e tij me vëllezërit Habilaj dhe veçanërisht me kokën e grupit Moisi Habilaj. Ka dyshime të forta nga akuza se Çela gjatë kohës që ushtronte funksionin e numrit një të policisë së Vlorës ka favorizuar Habilajt për të kultivuar dhe më pas trafikuar rreth 3.5 tonë kanabis drejt Italisë. Bashkë me Çelën akuzohen edhe dy oficerë të tjerë madhorë të policisë së këtij qarku, Sokol Bode dhe Gjergj Kahila. Po ditën e djeshme është zhvilluar seanca e radhës edhe lidhur me ankesën e kryer nga ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, për të cilin gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më datë 14 shkurt për t’i dhënë kohë avokatit të të shpallurit të kërkim që të njihej me aktet e dosjes në ngarkim të klientit të tij. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-numri një i bluve të Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Tahiri i ka mohuar akuzat, ndërkohë që ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy drejtues të tjerë të policisë lokale. Tatëpjeta për Tahirin dhe tre ish-zyrtarët e lartë të policisë nisi menjëherë pas arrestimit në Itali të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të tjerë të kësaj organizate, në tetor të vitit 2017. Që nga tetori i vitit 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda hapi hetimet ndaj Tahirit, por për shkak të çështjes voluminoze dhe ndjeshmërisë së çështjes, kërkoi disa herë shtyrje të afateve të hetimit. Më e fundit është ajo e datës 17 janar 2019, Prokuroria për Krime të Rënda vendosi shtyrjen e afateve të hetimit me tre muaj për Tahirin, në pritje të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në autoritetet e drejtësisë italiane dhe atyre të Malit të Zi.

PD: Rama po përdor gjykatën për të shpëtuar Tahirin

Partia Demokratike ka denoncuar se vendimi i sotëm i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për Saimir Tahirin, është pjesë e skenarit të kryeministrit Edi Rama, sipas saj për të shfajësuar ish-ministrin e Brendshëm nga akuza për trafik droge. “Në vend që Rama t’u thotë shqiptarëve t’i kërkojnë falje Saimir Tahirit, ai duhet të përgjigjet, nëse babai dhe bashkëshortja e Saimir Tahirit, kanë udhëtuar së bashku me Habilajt”, deklaroi deputeti Flamur Noka në një komunikim zyrtar me mediat. Deputeti Ndoka u shpreh se Partia Demokratike ka paralajmëruar se Saimir Tahiri do të shfajësohet nga akuza për trafik droge dhe këtij skenari i shërbeu edhe vendimi i sotëm për të ndërprerë praktikisht hetimet e prokurorisë për Saimir Tahirin. “Tani, Edi Rama po përdor gjykatën për të penguar vijimin e hetimeve, pikërisht në kohën kur prokurorët presin përgjigje nga Mali i Zi për aktivitetin e Saimir Tahirit dhe lidhjet e tij me grupin e Habilajve. Kjo do të thotë se, nëse brenda 3 javëve Mali i Zi nuk kthen përgjigje, dosja mund të shkojë në gjykatë e paplotë”, -theksoi Ndoka. Më tej ai shtoi: “Vendimi i sotëm i Gjykatës është një tjetër goditje e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi. Është momenti që partnerët e huaj që i premtuan popullit shqiptar drejtësi të vërtetë dhe kapjen e peshqve të mëdhenj, të mbajnë premtimin dhe të mos lejojnë që një kriminel si Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar”. Partia Demokratike që në nisje të hetimeve ka qenë mjaft kritike, duke akuzuar kryeministrin Rama se ka ndërhyrë në çështje dhe ka shantazhuar prokurorët e çështjes duke përdorur kryeprokuroren Arta Marku.

 


Etiketa: , , , , ,

Pas