Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, libri me titull “Standardet Mjedisore – Shqipëria përballë Bashkimit Europian”, me autore studiuesen Orjana Hanxhari. Ky libër paraqet të parin kontribut shumë serioz dhe të strukturuar në këtë fushë. Ky botim paraqet një vlerësim të plotë të faktorëve dhe proceseve mjedisore monitoruese të Shqipërisë në raport me përmbushjen e detyrimeve dhe standardeve të kërkuara nga Agjensia Europiane e Mjedisit (AEM). Libri shfaq papërputhshmëritë që ekzistojnë në nivel kombëtar të të gjithë hallkave të zinxhirit raportues të vendit kundrejt AEM-së.
I pranishëm në promovim ishte edhe Prof. Dr. Romeo Hanxhari, Përgjegjës i Departamentit të Gjeografisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në Universitetin e Tiranës.
“Në kuadër të nevojës që ka vendi sot si dhe në kuadrin e proceseve integruese, ku kapitulli për mjedisin në negociatat me BE është një nga kapitujt që hapet ndër të parët dhe mbyllet ndër të fundit përshkak të kompleksitetit, i kemi kushtuar vemëndje kësaj tematike dhe një nga prurjet më interesante ka qenë pikërisht ky këndvështrim që lidh nevojat dhe realitetin e Shqipërisë me realitetin e Bashkimit Europian. E parë kjo jo si retorikë, por duke marrë në analizë pikërisht zinxhirin e standardeve mjedisore. Pikërisht ky studim i Orjanës është përqëndruar në këtë aspekt, duke analizuar cilat janë arritjet, cili është niveli i standardeve të Shqipërisë në këndvështrimin e këtij zinxhiri standardesh, në raport me atë që duhet të jetë në të ardhmen e afërt për Shqipërinë në kuadër të negociatave dhe më tej pastaj në kuadër të antarësimit potenical. Në këtë aspekt ky është një kontribut mjaft i veçantë”, është shprehur ai.
Ky libër plotëson një boshllëk të rëndësishëm në aspektin e dijes që duhet të zotërojnë ekspertët e mjedisit, por jo vetëm. Në parathënien e tij për këtë libër, Prof. Dr. Jamarbër Malltezi thotë: “Duket një ndërmarrje e veçantë dhe e vështirë për të paraqitur standardet, metodat e monitorimit, normat dhe parametrat që kryen Shqipëria. Ky studim ia ka arritur kësaj. Studimi është i pari në llojin e tij dhe është kontribut shumë i rëndësishëm në fushën e monitorimeve dhe raportimeve mjedisore në Shqipëri, qoftë nga ana akademike, por edhe paraqet vlerë të veçantë praktike gjatë proceseve integruese të vendit në BE.”
Vetë autorja, Dr. Orjana Hanxhari ka treguar mbi vështirësitë e krijimit të këtij punimi. “Ka qenë një punë shumë e vështirë, pasi të bësh bashkë të gjitha pjesët e një procesi që është i përbërë nga shumë hallka është shumë i vështirë. Arkiva mjedisore në Shqipëri pothuajse mungon dhe ne jemi mësuar fatkeqësisht që gjërat ti zerojmë dhe nuk kemi një trashëgimi raportesh, evidencash, faktesh, botimesh me natyrë mjedisore. Shpresoj që sado pak ky libër të shërbejë për këtë gjë dhe të japë një panoramë të situatës, të çështjeve të mjedisit sot, të standardeve që është shumë e rëndësishme pasi pak flitet për standarde. Ky nxjer në pah papërputhshmëritë e thella që ne kemi sa i përket proceseve që lidhen me vlerësimin dhe me mjedisin në tërësi”, ka treguar ajo.
Ndërkohë që edhe rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ka shprehur vlerësimin e tij për këtë punim. “Ne tek botimet UET PRESS, kemi qënë shumë të përqendruar, me libra teorik apo libra të tillë që kanë të bëjnë kryesisht me Shkencat Politike, Sociologjinë apo Marrdhënie Ndërkombëtare, me Drejtësin. Botimi i këtij libri nuk është pa qëllim, për arsyen e thjeshtë, se ne në kuadër të zgjerimit me programe të reja studimi në të dy ciklet e studimit, Bachelor dhe Master, në disa prej fakulteteve në dimensionin mjedisor e kemi përfshirë. Kemi qënë shumë të qartë në riorganizimet apo përshtatjet dhe ndryshimet në programet e studimit apo në njësitë bazë kryesore, ne do ta kemi patjetër mjedisin.
Duke njohur peshën që ka mjedisi sot, debatet e mëdha midis shkencëtarëve të kohës por dhe akademikë e profesionistë, zhvillimi versus mjedis dhe anasjelltas, menduam ta zgjerojmë gamën e botimeve dhe të dalim përtej atyre drejtimeve që ne kemi pasur në mënyrë tradicionale që të kemi dhe këtë dimension. Ky libër është një monografi jashtëzakonisht i mirë, natyrisht bazament është puna dhe kërkimi doktoral që ka pasur Orjana Hanxhari e cila është autorja e këtij libri. Padiskutim që për studentët tanë dhe ata të rinj që do vijnë të ndjekin këto programe studimi, do jetë një libër shumë i dobishëm dhe i rekomanduar,” tha Gjuraj.