Një tjetër libër tronditës nga gazetarja Eni Vasili. Pas rrëfimeve tek “Unë kam vrarë”, Vasili tashmë sjell librin “Zëra nga errësira”, që u promovua sot në Universitetin Europian të Tiranës nën logon e UET-Press dhe Institutit Europian Pashko.
Shtatë personazhe, disa pasardhës të familjeve të vjetra shqiptare dhe pjesa tjetër fillimisht kundërshtarë politikë të të parëve rrëfejnë ferrin e kampeve të internimit dhe burgjeve të regjimit komunist, ku kanë jetuar të gjithë për shumë vite.
Eugjen Merlika, Klara Merlika, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Simon Miraka dhe Gjon Rrethi vijnë në intervista që hedhin dritë mbi atë çfarë ka ndodhur me njeriun nën diktaturë. Këto rrëfime janë dhënë në emisionin “Studio e hapur” në News 24.
Projekti i Kujtesës është i rëndësishëm për Institutin Europian Pashko si një kontribut për të njohur të shkuarën, pasi njohje e saj është një kontribut për të tashmen dhe të ardhmen.
Një nga personazhet e librit është edhe gjenerali i tre kohëve, Rrahman Parllaku.
Ai dha një mesazh interesant gjatë promovimit.
“Falenderoj Enin që e botoi këtë libër. Eni ka bërë një punë që duhet ta bëjnë shumë nga ne. Duhen dokumentuar këto histori për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Për t’u ruajtur në kujtesën e njerëzve, që është e domosdoshme, duhet që gjërat të shkruhen. Do përdor një shpreje që e kam të rëndësishme: “Çfarë është shkruar me fjalë, nuk shkulet dot me sëpatë”. Brezat duhet ta dinë se e gjitha kjo nuk është hakmarrje, por është një përpjekje që ajo së çfarë ka ndodhur të dokumentohet dhe mos të përsëritet më. Sepse ne e dimë se çfarë është hakmarrje dhe s’duhet të përsëritet,” tha Parllaku.