… Adhurim i një pushteti që i ke frikën dhe brenda vetes nuk e beson, madje përpiqesh ta godasësh sapo të të jepet mundësia.
Lidershipi në Shqipëri është karakterizuar nga kjo lloj tipologjie sjelljeje. Jo vetëm me Perandorinë Osmane, të cilës i ndenji besnik deri në fund të shekullit XIX, madje edhe në vitet e para të shekullit XX, dhe më pas i vuri në ngarkim të gjitha përgjegjësitë e prapambetjes së vet. Aq sa “turkoshak” në shqip mori kuptimin e njeriut të prapambetur.
Edhe propaganda totalitare, nisur nga viti 1944 deri në 1948 adhuronte jugosllavizmin, për ta shpallur më pas atë si armikun më të egër ndaj shqiptarëve dhe rrezikun më të madh për “Nënën” Shqipëri. Nga viti 1949 deri në vitin 1960 adhuronte sovjetizmin, për ta shpallur Bashkimin Sovjetik pas vitit 1960 si kërcënimin më të madh për Shqipërinë. Nga viti 1960 deri në fund të viteve ’70 adhuronte Kinën, për ta shpallur më pas atë si rrezik për pushtetin në Shqipëri.
Qytetari shqiptar adaptonte një sjellje të njëjtë por këtë radhë përballë pushtetit të brendshëm. Adhurim – frikë – urrejtje. Manifestimi gjigant që rrëzoi monumentin e Enver Hoxhës në Tiranë në 1991, dhe që më pas mbushi sheshet udhëhequr nga slogane antikomuniste, ishte prova e një urrejtjeje të mbledhur në dekada kundër pushtetit totalitar. Por, po qe se sheh manifestimet në vitet pararendëse në përkrahje të pushtetit, duket se kemi një energji masive mbështetëse ndaj komunizmit, po aq energjike sa edhe energjia e rrëzimit të monumenteve.
Pyesin me habi: Cili është qëndrimi i vërtetë? Cili është qëndrimi autentik i masës? Adhurimi apo urrejtja? Këtu ndahen kampet nga përgjigjet që u japin këtyre pyetjeve. Ndërkohë në fakt kemi përjetime kolektive që për një kohë përzihen së bashku, bashkëjetojnë. Pushteti i fortë adhurohet në pamje të parë, dhe urrehet dhe ndruhet në thellësi të përjetimeve personale. Pushteti i dobët, i njëjti në thelb, urrehet, goditet, por nuk përjashtohet që të adhurohet në mënyrë nostalgjike ashtu sikurse ai ka qenë në zenit!