Shqipëria vijon të ketë pagat më të ulta për mjekët në rajon, pavarësisht nga premtimet e kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Kërkesa për rritjen e pagave të mjekëve është bërë sërish nga mjekët e Diasporës.
Dr.Elona Meta u shpreh sot se paga mujore minimale për mjekët në Shqipëri duhet të jetë 1500 euro, në mënyrë që të ndalohet fenomeni i largimit të bluzave të bardha nga vendi.
Mjekja shqiptare që punon në Gjermani, u shpreh gjatë një deklarate nga QSUT, se qeveria duhet të miratojë ligjin për rritjen e pagave për personelin shëndetësor për t’i dhënë fund kështu edhe korrupsionit në shëndetësi.
“Të zbatohet sa më shpejt kërkesa jonë për pagat e mjekëve shqiptarë 1500 euro. Nisma jonë është një nismë e cila do të ketë edhe impakt jo vetëm tek mjekët, por do të rrisë edhe ndërgjegjësimin e do të minimizojë hendekun e madh mes mjekut dhe pacientit. Ne jemi në një bashkëpunim edhe me një media të huaj, Euroneësi, ku i kemi informuar për çështjen tonë dhe shpresojmë që nëpërmjet medias shqiptare dhe asaj të huaj, në një kohë të shkurtër ligji të hyjë në fuqi në Parlamentin shqiptar dhe sa më shpejt rroga minimale për mjekët të jetë 1500 euro“, u shpreh Meta.
Sipas studimeve, shpenzimet mujore të çdo personi në Shqipëri janë 400 euro. “Nëse pagesa e një mjeku është 400 euro, atëherë nuk mund të mbulosh shpenzimet e 4 familjarëve, le të themi në një familje me 4 persona”, tha mjekja.
Ndëshkimet ligjore dhe arrestimi i mjekëve që marrin ryshfet, tha Meta, nuk po jep rezultat.
Në 30 vite demokraci janë arrestuar shumë mjekë për korrupsion dhe asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi korrupsioni është rritur ndërsa mjeket janë liruar disa ditë apo javë pas arrestimeve për mungese provash. Po kjo ka ndikuar që mjekët të bëhen gjithnjë e më të pakënaqur sa nga keqvlerësimi, paga e ulët, ngarkesa mbytëse në punë, dhuna fizike dhe verbale dhe arrestimet duke parë gjithnjë e më shumë mundësinë për ta braktisur vendin pasi oferta e Gjermanisë dhe e shumë vendeve në Europë është tunduese edhe për vende më të ngritura të rajonit ku mjekët nuk vuajnë si në Shqipëri. Kjo mendoj une është edhe problematika që ka filluar të ngrihet si shqetësim”, tha më tej mjekja shqiptare në Gjermani, Elona Meta.