Aktualitet

Propozimi i opozitës/ Qeveri kujdestare pa Edi Ramën kryeministër





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 08:48 - 14/02/20 |
mapo.al

Ekspertët e PD-së shprehen se një qeveri pa Edi Ramën garanton që institucionet do zbatojnë ligjin dhe jo urdhrat politikë. Hetimi zgjedhor i kalon SPAK, ndërsa prokuroria dhe BKH marrin rol kyç në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Mazhoranca kundërshton: Edi Rama nuk largohet, nuk jemi si Maqedonia e Veriut.


Opozita nuk do të hyjë në një marrëveshje tjetër me mazhorancën para zgjedhjeve të përgjithshme, siç ndodhi në vitin 2017, kur u krijua dhe një qeveri e përbashkët. Partia Demokratike dhe partitë aleate, propozojnë që në kodin zgjedhor të shtohet një nën që sanksionon një qeveri kujdestare që të përgatisë zgjedhjet. Përfaqësuesi i opozitës në tryezë Oerd Bylykbashi, së bashku me dy ekspertët e tjerë të opozitës Enkelejd Alibeaj dhe Ivi Kaso, që kanë punuar për paketën e propozimeve kanë dalë dje në një konferencë për shtyp, ku kanë sqaruar dhe arsyen e ndryshimeve të propozuara. Sipas tyre, me draftin e propozuar garantohen që institucionet të zbatojnë ligjin dhe jo të vihen në shërbim të pushtetit. Paketa e ndryshimeve parashikon që krimet zgjedhore t’i kalojnë SPAK, si dhe përcakton dënime jo vetëm për ata që blejnë vota por edhe për ata që shesin votën.



Qeveria tranzitore


Oerd Bylykbashi tregohet i prerë. Zgjedhjet me Edi Ramën kryeministër, janë në rrezik. Sipas tij në përbërje të qeverisë kujdestare, do të përbëhet nga njerëz me integritet që do të jenë në shërbim të ligjit “Paketa jonë, i qëndron asaj linje që opozita e bashkuar e ka bërë gjithnjë të qartë: Që një qeveri kujdestare është garancia që këto instrumenta të funksionojnë. Çdo gjë tjetër ul efikasitetin e instrumentave në mbrojtje të së drejtës së votës së zgjedhësve. Ta bëjmë të qartë që në fillim, nuk do të ketë bashkëqeverisje mes opozitës dhe Partisë Socialiste. Një qeveri kujdestare nga ana tjetër do të thotë një qeveri që është neutrale, një qeveri që zbaton detyrimet ligjore dhe standardet, në mënyrë që jo vetëm të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve, por edhe të mos ndërhyjë për të prishur zgjedhjet. Ne e dimë shumë mirë që situata reale në Shqipëri me Edi Ramën është krejt e kundërta, kështu që në kushtet aktuale një qeveri që nuk drejtohet nga Edi Rama, që është gati të shkelë çdo standard dhe çdo parim ndërkombëtar, vetëm e vetëm për të rrëmbyer pushtetin. Pra në kushtet aktuale një qeveri kujdestare do të thotë një qeveri pa Edi Ramën kryeministër. Një qeveri kujdestare do të përbëhet nga figura që kanë integritet” thotë Bylykbashi.

Mazhoranca

Por duket se nuk është i të njëjtit mendim mazhoranca, e cila shprehet se nuk do të pranojë kushtin e ndryshimit të qeverisë 100 ditë para zgjedhjeve. Sekretari organizativ i PS Arben Pëllumbi, është shprehur se Shqipëria nuk është në kushtet e Maqedonisë së Veriut ku aplikohet kjo formulë. “Unë besoj që ne nuk jemi në kushtet e Maqedonisë. Çdo lloj qeverie kujdestare apo teknike, në 6 muaj nuk do të bëjë asnjë punë tjetër, por do të merret vetëm me procesin zgjedhor dhe për rrjedhojë ekonomia e vendit do ta ndjekë këtë mungesë. Duhet të fillojmë të piqemi dhe të kemi më shumë besim te njëri-tjetri”, u shpreh Pëllumbi në një dalje televizive. Të njëjtën ide ndan dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla, që u shpreh se nuk do ketë marrëveshje politike më opozitën për të ndarë pushtetin, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet do të zhvillohen me Edi Ramën kryeministër. “Në qeverisje vihet vetëm përmes votës dhe shumicës në Parlament. Qeveri jashtë votës dhe vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë. As nuk merret në konsideratë. Nuk do të ketë më kurrë marrëveshje të cilat ndajnë pushtet”, tha Balla.

 

Edi Rama mbetet nyja gordiane e krizës politike dhe zgjedhore

Në zgjedhje të parakohshme apo jo, nyja gordiane e krizës politike shqiptare vazhdon të mbetet Edi Rama, dhe qeveria e tij. Në rast se mazhoranca nuk pranon të pranojë qeverinë tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve atëherë nuk është çudi që reforma zgjedhore të dështojë. Opozita, në funksion të ikjes së Edi Ramës, nuk pranoi të hynte zgjedhjet lokale të vitit 2019, ndërkohë që prej një viti ka dorëzuar dhe mandatet. Sot Edi Rama i ka të gjitha pushtetet, dhe natyrisht do ishte e vështirë për të që të pranonte një zgjidhje të tillë. Rama akuzohet nga opozita për manipulim sistematik zgjedhjesh që nga viti 2015 kur zhvilloi zgjedhjet lokale. Duket se në funksion të këtij kushti, opozita ka hequr dorë për momentin dhe nga reforma territoriale, një reformë e cila e favorizon dukshëm mazhorancën në zgjedhje, qofshin këto të përgjithshme apo lokale. Reforma zgjedhore u përshëndet dhe nga faktori ndërkombëtar, por duket se një tjetër ngërç do shfaqet në horizont. Nga ana tjetër kjo reformë është cilësuar si jo pak e rëndësishme dhe për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Opozita e di fare mirë se në kushtet që është Rama, nuk ka vend për shumë zgjidhje, por sërish s’ka asnjë siguri se socialistët do e pranojnë këtë propozim. Me emrin tij (Ramës) ata kanë të lidhura ngushtësisht suksesin apo dështimin në zgjedhje. Pranimi i këtij kushti në kodin zgjedhor, do rriste pikët e Bashës në elektorat, por kjo gjë s’do të ndodhte me Ramën. Ai deri më tani pavarësisht punëve të pambaruara, vazhdon të mbajë karikuar elektoratin me idenë e politikanit që nuk tërhiqet. Por do vazhdojë ta mbajë veshur këtë aureolë? Kjo mbetet për t’u parë!

Propozimet e PD-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Roli i policisë në zgjedhje

Për të siguruar besimin e subjekteve zgjedhore në funksionimin e paanshëm të Policisë së Shtetit, përjashtimisht nga rregullat e parashikuara në nenin 13 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, 100 ditë (njëqind) ditë përpara datës së zgjedhjeve, Ministri i Brendshëm në Qeverinë Kujdestare të zgjedhjeve, i caktuar sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

KQZ pajis me sistem monitorimi me kamera të gjitha qendrat e votimit. Në këtë sistem monitorimi kanë akses KQZ dhe salla operative e policisë së shtetit, që monitoron procesin zgjedhor.

Kur jashtë qendrës së votimit rrezikohet rendi ose pengohet procesi i rregullt i votimit, njësia e gatshme e policisë së shtetit përgjegjëse për territorin vepron menjëherë me nismën e saj ose me njoftimin e vëzhguesve të akredituar të qendrës së votimit. Njësia e gatshme e policisë mban procesverbal, ku dokumentohet saktësisht ora e ngjarjes, mënyra e marrjes së njoftimit dhe rrethanat e ngjarjes.

Roli i prokurorisë

Drejtuesi i prokurorisë organizon punën dhe merr masat e nevojshme për mirëfunksionimin e prokurorisë në periudhën zgjedhore, si dhe garanton zbatimin korrekt të udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm që lidhet me periudhën zgjedhore.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, brenda dy javëve nga caktimi i datës së zgjedhjeve: nxjerr udhëzim për procedurat administrative të veçanta gjatë periudhës zgjedhore; rivlerëson dhe nëse është e nevojshme rishikon rregulloren e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme; miraton rregulloret e nxjerra nga Drejtori i BKH-së që lidhen me hetimin e veprave penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.


Etiketa: ,

Pas