Sa shumë është folur në media për këtë ngjarje të më shumë se një dekade më parë. Duhej të ishte një takim miqësor në fillim të nëntorit 2005 mes presidentit shqiptar të asaj kohe, Alfred Moisiu dhe homologut grek, Karolos Papulias. Por krejt papritur takimi u anulua. E çfarë nuk u tha në media për këtë takim të anuluar. Tashmë në një libër me titullin e gjetur, “Miqësi e trazuar: Greqia në kujtimet e një ambasadori”, Bashkim Zeneli na tregon detajet në një kronologji të shkruar me stil dhe vëmendje te detajet. Papulias nuk pranoi të vinte në Sarandë për shkak të një proteste që po mbahej para hotelit ku ishte planifikuar takimi. E ashtu siç ndodh me ne ballkanasit, stafi i presidencës kishte përgatitur një deklaratë me tone të forta. Moisiu i kërkoi ambasadorit Zeneli të shihte njoftimin për shtyp.
“Më duket shumë e rëndë. Nuk di se çfarë mund të thoshim më tepër. Është gjuhë shumë e ashpër… kemi thënë fjalën e fundit. Anulimi i vizitës ishte krejtësisht i nxituar dhe pa motivim, por mendoj që të tregohemi më të matur, më të qetë… të themi çfarë duhet thënë, por me një fjalor të përmbajtur… Unë kështu mendoj”, ndërhyri Zeneli si një diplomat karriere.
“Mua më duket një deklaratë shumë e mirë; ne duhet të mos tërhiqemi, të mos përkulemi… Papoulias na bëri atë që …”, tha dikush nga stafi i Moisiut. Edhe ndonjë tjetër tundi kokën për mbështetje. “Unë nuk jam aspak dakord me këtë tekst”, ndërhyri me nervozizëm presidenti Moisiu. “Në asnjë mënyrë. Ky ishte një incident i pakuptimtë, por ne duhet të dimë të jemi gjakftohtë… Ta kapërcejmë… të shohim se ç’do të bëjmë… Kështu si e keni shkruar duket se është fundi i marrëdhënieve… Jo kështu… Unë jam dakord me ambasadorin, të mos i trashim gjërat. Shikojeni kështu siç thashë… T’i themi gjërat që duhet, por me kujdes …”.
***
Në politikë, diplomaci e gazetari, por edhe në jetë, nuk duhet të themi fjalën e fundit pa e menduar mirë. Kjo këshillë e Bashkim Zenelit vjen e bëhet gjithmonë e më e rëndësishme sa herë kujtohemi sa delikate janë marrëdhëniet me fqinjët. Dhe këtij nëntori të dalldisur nuk i kanë munguar tensionet e pasionet. Ndaj një lexim i librit të Zenelit, me titullin “Miqësi e trazuar”, botim i UET-Press, na hap një dritare tjetër. Ai na ndihmon që të shohim se sa të ngjashëm dhe sa shumë e vlerësojnë dhe e duan njëri-tjetrin shqiptarët dhe grekët. Vërtet ka nga ata njerëz të vegjël që janë racistë ndaj të dobëtëve, siç thotë Pirro Dhima. Por panorama është shumë më e madhe se kaq.
Në libër do gjeni se çfarë thotë aq bukur poeti grek Janis Ricos për shqiptarët, se çfarë vlerësimi ka për ne Jorgo Leocakos apo se si shprehet i ndjeri Kadri Roshi se “grekët i dua se kanë histori të bukur”. Kjo nuk do të thotë se diplomati i mbyll sytë përpara problemeve, por ai i sheh ato me realizëm dhe me shpresën se gjithmonë do mbizotërojë e mira.
“Bashkim Zeneli ka një CV komplekse. CV të plotë në gazetari, në politikë, në shërbimin diplomatik, por mbi të gjitha ka një CV të plotë në jetën publike edhe pas largimit nga shërbimi diplomatik, çka e bën atë një nga personazhet më simpatikë të jetës publike, më të vlefshëm, më të saktë, më të plotë nga të gjithë njerëzit që kanë kontribuuar një jetë të tërë në detyrat publike, në kohë, qeveri apo regjime të ndryshme dhe që ka diçka për t’i thënë mjedisit publik shqiptar me përvojën e tij”, shkruan botuesi Henri Çili në një vlerësim për Mjeshtrin e Madh.
Bashkim Zeneli mori nderimin e lartë nga presidenti Ilir Meta në mes të korrikut të këtij viti.
“Kam luftuar dhe do të luftoj në çdo gjë për interes të vendit, atdheut dhe sot të duash atdheun, të jesh patriot do të thotë të punosh për të ardhmen pa shumë zhurmë, pa shumë bujë, pa i rënë gjoksit e pa bërtitur”, –thotë Zeneli në ceremoninë e marrjes së vlerësimit të lartë.
Patriotizmi, ndryshe nga nacionalizmi, është shumë i mirë për një vend, thekson një historian i njohur. Aq më shumë kur bëhet pa shumë zhurmë.