Më mijëra studentë u ngritën në një protestë të jashtëzakonshme në muajin Dhjetor 2018 që zgjati deri në mes të Janarit. Qeveria u zotua për realizimin e kërkesave të tyre, duke publikuar dhe Paktin për Universitetin.
Por sa po realizohen premtimet që Kryeministri bëri publikisht për studentët?
Monitorimi 3-mujor i Qendresës Qytetare nxjerr në pah shtyrjen e afateve për realizimin e kërkesave të studentëve.
Nga 22 pikat që rrjedhin prej Paktit për Universitetin, vetëm 4 janë realizuar në kohë.
Migen Qiranxhi nga “Qendra Qytetare tha se “Reduktimi i tarifave të studentëve, investimi në konvikte, shkarkimi i anëtarëve të bordit dhe punësimi i ekselentëve”, janë pika që po realizohen në kohë.
Për periudhën 1 janar deri më 22 mars, 10 premtime kanë qenë të parealizuara si dhe dy të tjera janë mbajtur jashtë afatit të caktuar. “Nga Pakti për Universitetin kishim muajin shkurt si afat për të realizuar VKM-të që do jetësonin Kartën e Studentit, e cila nuk po funksionon. Për bibliotekat online ashtu si edhe për portalin e u-transparencës, kryeministri e premtoi në janar dhe afati u shty për në mars”.
Ndërkohë që 6 pika të tjera kanë hapësirë realizimi deri më muajin qershor: “Për sa i përket Kontrollit anti-plagjiaturë, krijimit të arkivit digjital, ligjit të ri të kodit të sjelljes për integritetin e kërkimit shkencor, janë pika që janë premtuar të realizohen deri në muajin qershor dhe ne po monitorojmë situatën”, tha më tej Qiraxhi.