Policia e Shtetit ka njoftuar PD se nuk do të lejojë që protesta të zhvillohet në dy rrugicat anash Kryeministrisë. Ambasada e SHBA: Refuzoni dhunën! Rama të shtunën ikën në Vlorë.
Në një letër drejtuar selisë blu, demokratëve u kërkohet që protesta të zhvillohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin përpara Kryeministrisë, pasi në dy anët e godinës qëndrojnë forcat e policisë për të garantuar sigurinë. Por, Partia Demokratike ka reaguar menjëherë, duke deklaruar se policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës. PD, me anë të një deklarate të saj shprehet se “nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve”. Qëndrimi i PD-së, thuhet në deklaratë, i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara prej saj. Sipas PD-së, Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politikë të Edi Ramës, që i frikësohet bashkimit popullor.
Ambasada e SHBA: Refuzoni dhunën!
Në një deklaratë zyrtare, ambasada e SHBA-së thekson se qytetarët kanë të drejtë të mblidhen dhe të protestojnë kundër qeverisë, por dhuna ndaj njerëzve dhe apo pronës private është e papranueshme. Më tej ambasada iu bën thirrje udhëheqësve të partive politike që do protestojnë të shtunën që të refuzojnë dhunën dhe të sigurojnë një tubim paqësor. “E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht. Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën”, thuhet në deklaratën e ambasadës. Edhe ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman, kërkoi që protesta të jetë paqësore. “Të tilla demonstrata me patjetër duhet të jenë paqësore”, shkruan Norman në Twitter. Po ashtu Luigi Soreca, ambasadori i BE-së, kërkoi që protestuesit të shmangin dhunën: “Ne presim një protestë paqësore, jo të kthehet e dhunshme”. Ndërsa ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt ka bërë një tjetër vërejtje: “Trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet”, shprehet ai.
Rama “mbyll derën” e ikën në Vlorë
Dje pasdite pjesa e përparme te dera e Kryeministrisë është rrethuar me skela. Mjete të forta janë vendosur si mbrojtje edhe për pjesën e led-it, “markiza” që është edhe pjesa më delikate e ndërtesës. Ndërkohë po dje është konfirmuar se vetë kryeministri Rama ditën e protestës nuk do të jetë në Tiranë. Kreu i qeverisë do të jetë në Vlorë në kuadër të takimeve “Për Bashkinë që duam”. Ish-ministri Damian Gjiknuri e ka konfirmuar që kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në Tiranë. Gjiknuri sqaron gjithçka kur poston në faqen e tij në FB, një njoftim për aktivitetin e të shtunës në Vlorë në orën 10 e 30, ku tregon se merr pjesë Edi Rama. Aktiviteti është ai me logon, Bashkia që Duam, një tur që ka nisur shefi i qeverisë prej ditësh. Drejtues të lartë të PD prej fillimit të javës e kanë komentuar largimin e mundshëm të Ramës drejt Vlorës, dhe i kanë kërkuar madje të qëndrojë në zyrë e të dëgjojë popullin. Ndërkohë të mërkurën në mbrëmje nga studio e ABC, Berisha u bëri thirrje vlonjatëve që ta kthejnë Ramën në Tiranë, mos ta lejojnë të qëndrojë në Vlorë.