Opozita oganizoi sot protestën e gjashtë përballë sallës së Parlamentit, teksa paralelisht zhvillohej seanca plenare. PD dhe aleatët e saj thirrën mbështetësit që të jenë para ndërtesës së Parlamentit që në orën 09:30, përpara se deputetët e shumicës të hynin në sallë. Ligjvënësit u panë teksa hynin në sallën e Kuvendit të shoqëruar nga forcat e rendit, mes tyre edhe nga FNSH, për të shmangur përplasjet me protestuesit.
Protesta nisi me një incident pasi policia tentoi të pengojë banorët e “Astirit” të cilët po marshonin drejt pedonales “Murat Toptani”. Ndërkohë që nuk munguan shtyrjet dhe tentativat e protestuesve për të çarë kordonin e policisë para Parlamentit herëpashere. Moment tensioni ishte ai pas fjalimit të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi e cila tha se opozita do ecë drejt pasi nuk ka asgjë për të humbur. Në këtë çast një turmë protestuesish iu drejtuan kordonit të policisë, por u sprapsën.
Në protestën e sotme mungoi kryetari i PD, Lulzim Basha për shkak të vizitës në Bruksel, ndërkohë që peshën kryesore të tubimit e mbajtën drejtuesit e partive të tjera opozitare dhe funksionarë të lartë të PD-së. Në mesin e protestuesve ishin kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, krerët e partive aleate të djathat dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Pas rreth 4 orësh protestë para Parlamentit, opozita zhvendosi protestën para Policisë së Tiranës, pasi ishin ndaluar nga uniformat blu 14 protestues të rinj. Drejtuesit e opozitës pas takimit të zhvilluar me shefat e policisë, kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre.
Në përfundim, turma e protestuesve iu drejtua selisë së PD, ku përmes një fjalimi të nënkryetarit demokrat, Edi Paloka, përfundoi tubimi për ditën e sotme. Ndryshe nga 5 protestat e kaluara, sot policia nuk përdori gaz lotsjellës pavarësisht se përplasjet apo tensionet në momente të caktuara nuk munguan në krahasim me protestën e 16 marsit.
Opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore e cila do përgatisë zgjedhjet e parakohshme. Edhe sot masat e policisë para parlamentit ishin mjaft të forta. Siç duket edhe nga pamjet e sjella nga MAPO, para ndërtesës së Parlamentit ndodheshin gjatë gjithë kohës forca të shumta policie, ndërsa sërish ishte vendosur gardh metalik për të penguar protestuesit.
Skenari i protestës ishte bërë i ditur që një ditë më parë ku opozita kishte planifikuar të rrethonte në mënyrë simbolike parlamentin me protestues në 6 pika përreth tij.
LEXO EDHE:
Shashka drejt policisë, protestuesit presin Berishën me entuziazëm
(Foto) Njerëz me maska në protestë/ Policia i bën thirrje Bardhit
Protesta/ Balliu tenton të çajë kordonin e policisë me ‘Astirin’
Protesta te Policia e Tiranës, Kryemadhi: Nuk ikim pa liruar djemtë