Protesta e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, një grupi deputetësh të partisë socialiste dhe zyrtarësh të bashkisë të shumicës, kundër Gjykatës së Apelit, për një çështje në të cilën bashkia është vetë palë, dëshmoi se politika ka marrë fund. Veç një kryetari V. Prashant të bashkisë së qytetit Thiruvananthapuran në Indi, i cili doli në protestë kundër qeverisë së provincës për planin urbanistik në botë, nuk ka një rast të dytë ku një institucion shtetëror të zhvillojë protesta ndaj një institucioni tjetër, për çështje në të cilat vetë institucioni preket nga vendimi i marrë ose ai që do merret.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në vitin 2010 zhvilloi protesta ndaj qeverisë me thasë plehrash në dorë, në lidhje me një vendim që nuk lejonte pushtetin vendor të vendoste taksa përtej një kufiri të caktuar, por ky nuk mund të llogaritet si rast sepse protesta kishte të bënte me cenimin apo jo të autonomisë vendore. Protesta e kryetarit të bashkisë së Tiranës është kundër gjykatës dhe jo kundër qeverisë si kryebashkiaku në Indi. Kudo në botë dalin në protesta kryetarë bashkish, por jo në emër të institucionit dhe jo kundër institucioneve të tjera për vendime që prekin ato.
Në rastin e Veliajt kemi të bëjmë me një protestë kundër një prej degëve më të rëndësishme të pushtetit, atij gjyqësor. Shpjegimi i kryeministrit se në SHBA është e zakonshme protesta ndaj gjykatës nga kryetarë bashkish, është një spekulim. Asnjë rast nuk është vërejtur dhe nuk mund të ndodhë kurrë që kreu i bashkisë së Çikagos Rahm Emanuel, ai i Nju Jorkut Bill de Blasio apo Muriel Bowser i Washingtonit etj. etj., të protestojnë kundër gjykatave me stafet e tyre kur çështja është në gjykim dhe ata janë palë. Është thjesht e paimagjinueshme.
Pse është vdekje e politikës kjo sjellje e kryetarit të bashkisë? Politika është një veprimtari, në të cilën gjithkush njeh dhe pranon ekzistencën e grupeve, interesave, opinioneve dhe pushteteve të tjera. Kësisoj të qeverisësh do të thotë të gjesh një balancë dhe t’i pajtosh të gjitha këto gjëra duke iu përmbajtur rregullave, Kushtetutës, ligjit dhe normave apo moralit.
Shumë herë në politikë shkruante kohë më parë David Brooks, një sociolog i njohur në Nju Jork Times, nuk arrin atë që do por pikërisht ky është edhe thelbi i saj. Ajo kërkon maturi, negociatë, respekt të rregullave dhe njerëzve.
Alternativa tjetër është sjellja tiranike apo diktatoriale. Ka sosh që nuk duan t’ia dinë për rregulla, për legjitimitet institucionesh apo opinionesh. Ata as nuk i pranojnë fare të tjerët. Bernard Crick në librin “Në mbrojtje të politikës” thotë se këta vuajnë nga një lloj narcisizmi politik dhe janë antipolitika. Ata nuk duan t’ia dinë për kufizime, ata duan fitore totale për vete dhe për doktrinën e tyre, kur kanë një të tillë. Antipolitika nuk pranon se politika është një aktivitet i kufizuar. Ajo bën premtime gjigante dhe ngjall pritshmëri të mëdha por qesharake.
Në këtë kuptim, protesta kundër gjykatës së Apelit ishte krejtësisht antipolitike. Ajo duke qenë antipolitike ishte antiligjore, antikushtetuese por edhe kundër demokracisë. Etërit themelues të SHBA-së në kohën kur po përpilonin kushtetutën dhe në shpjegimet që dhanë në Letrat e Federalistit, u kujdesën shumë që gjykata të jetë një institucion i pavarur, i pandikueshëm nga pushtetet e tjera. Ata i dhanë asaj një rol gati të paprekshëm nga pushteti politik, me argumentin se është më mirë një vendim i keq gjykate, për shkak se gjykata është e paaftë apo e korruptuar se sa një vendim i keq gjykate, nën presionin politik.
Kongresi amerikan nuk i dha të drejtë presidentit Franklin Roosvelt kur i kërkoi të emërojë anëtarë shtesë në Gjykatën Supreme, në mënyrë që të krijonte një numër në favor të tij. Gjykata Supreme po rrëzonte vendimet e presidentit për të përballuar krizën e thellë (depresionin e madh) me argumentin se ishin antikushtetuese. Edhe në një moment të tillë, kongresi nuk e lejoi presidentin të ndikojë gjykatën. Dhe bëhet fjalë për një president të madh: Franklin Roosvelt.
Protesta e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj buron nga ideja se asnjë gjykatë nuk mund të dalë kundër vullnetit politik të atij që është votuar. Veliaj madje e përmendi këtë kur tha në një intervistë se ai ishte i zgjedhur nga populli ndërsa presidenti Nishani jo.
Në fakt, ideja se gjykatat nuk mund të rrëzojnë vullnetin e të zgjedhurve të popullit është një ide që vjen nga marksizmi. Në fillim u vu në jetë me Revolucionin Francez, kur u hodh ideja e gjykatave revolucionare, të cilat duhet të zbatonin ‘vullnetin e përgjithshëm’. Më pas, kjo ide prodhoi gjykata popullore në shumë vende.
Bota komuniste e njohu pushtetin e këtyre gjykatave dhe mizorinë që ato që prodhuan për shkak se ishin “duke ndjekur vullnetin e përgjithshëm”.
Më shumë se sa protesta para Gjykatës së Apelit është e rrezikshme këmbëngulja për të mos kërkuar ndjesë për atë akt dhe këmbëngulja për ta mbrojtur atë. Edhe mbrojtja që i bëri kryeministri është po kaq e rrezikshme. Ndoshta jemi zhytur plotësisht në antipolitikë.
I nderuari Zekthi, shkrimin t’uaj e kam kuptuar edhe si nje kontribut praktik per arsimimin politik te qytetareve te ketij vendi, i cili mungon, ose me mire me thene, eshte komprimituar nga halabak dhe sahanlepires te te gjitha ngjyrave.Shpresoj se , me kohe, shqiptaret do ti kuptojne dashamiret dhe udherrefyesit e sinqerte, te cilet angazhohe per nje shtet demokratik dhe funksional, ku qytetaret ne menyre te barabarte do ti realizojne interesat e tyre jetike.
I nderuari Zekthi, shkrimin t’uaj e kam kuptuar edhe si nje kontribut praktike per arsimimin politike te qytetareve te ketij vendi, i cili mungon, ose me mire me thene, eshte komprimituar nga halabak dhe sahanlepires te te gjitha ngjyrave.Shpresoj se , me kohe, shqiptaret do ti kuptojne dashamiret dhe udherrefyesit e sinqerte, te cilet angazhohe per nje shtet demokratik dhe funksional, ku qytetaret ne menyre te barabarte do ti realizojne interesat e tyre jetike.