Kryesore

Protesta kundër masave kufizuese, policia procedon 7 persona





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:36 - 08/05/20 |
mapo.al

Policia e Tiranës bën me dije se ka proceduar penalisht “7 persona, ndërmjet tyre edhe 3 organizatorët e tubimit”, lidhur me protestën e djeshme në qendër të kryeqytetit. Protestuesit kërkuan heqjen e masave të vendosura nga autoritetet në kuadër të COVID, ndërsa policia ndërhyri dhunshëm duke shpërndarë protestën.


Këtë të Premte, Policia njofton nisjen e procedimeve penale ndaj protestuesve, pasi akuzohen se organizuan e morën pjesë në protestë të paligjshme dhe për prishje të rendit e qetësisë publike.


“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, proceduan penalisht në gjendje të lirë 7 shtetas.


Procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi “Skënderbej” kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situtatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.


Shtetasit Zaçe Islami (avokat), Klajdi Bello (sudent) dhe Sazan Guri, profesor e ambientalist, në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime. Në vijim të veprimeve janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë  këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga  këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime.

Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Po punohet për masat plotësuese sipas Aktit Normativ, si dhe për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë, pasi janë fotografuar dhe identifikuar nga ana e Policisë”, thuhet në një njoftim të Policisë.


Etiketa: , ,

Pas