Me anë të një reagimi në rrjetin social Facebook, deputeti i LSI-së Petrit Vasili ka komentuar vendimin e policisë për të mos lejuar mbajtjen e protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të paralajmëruar nga emigrantët e diasporës.
Vasili shkruan se kryeministri Rama po lufton edhe diasporën, duke argumentuar se Policia e tij dhe e Lleshajt kanë konsumuar turpin më të madh të pluralizmit shqiptar.
Gjithashtu ai akuzon Pandeli Majkon si Ministri i parë i Diasporës në histori i cili rri e vështron këtë turp dhe nuk jep dorëheqjen.
“Pandi, po ti rri kot akoma në atë zyrë. Diasporës qeveria jote dhe kryeministri psikopat ia mbyllën derën, megjithatë rri Pandi rri, nuk je as i pari as i fundit që e ha turpin me bukë” – shkruan Vasili.
Organizatori i kësaj proteste Genc Sejko, bashkë me shqiptarët e tjerë të diasporës kanë lajmëruar se pavarësisht vendimit të policisë protesta do të vijojë, madje tashmë do të kërkohet dhe shkarkimi i drejtuesit të parë në polici Kastriot Skendaj, firma e të cilit është hedhur në shkresën ku qytetarëve iu mohohet e drejta e protestës.
Por meqë Shqipëria është në valën e protestave, mjeshtri Bujar Kapexhiu e sheh Majkon pranë karriges së kryeministrit në karikaturën e radhës. Seancën e fundit të Kuvendit, opozita e ngacmoi Majkon se krimet e qeverisë po fshihen pas thinjave të tij. Kurse Majko është munduar të mbajë një qëndrim më të zbutur kur bie fjala për tensionet sociale në vend.