Presidenti Ilir Meta i mëshon gjendjes së rënduar ekonomike në vend, teksa paralajmëron protesta në mbarë vendin.
Mbështetur tek raportet e organizatave të huaja, Meta shkruan në “Facebook” se me përshkallëzimin e krizës politike, veçanërisht pas shkeljes “brutale” të marrëveshjes së 5 Qershorit, pritet një katastrofë ekonomike kombëtare.
Kreu i shtetit e konsideron varfërinë dhunim flagrant të të drejtave të njeriut, dhe lufta për çrrënjosje, sipas tij, nuk mund të mbështetet në progragandë dhe në fenomenet kriminale.
Teksa përmend aferat korruptive qeveritare, Meta duket se paralajmëron protesta.
“Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit”, shprehet Meta.
Postimi i presidentit Ilir Meta në “Facebook”:
Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike, sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze.
Banka Botërore në konkluzionet e fundit vjetore e rendit vendin tonë me recesionin më të lartë në rajon, me një rënie të madhe ekonomike që parashikohet nga – 8% në -9% për vitin 2020.
Edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me mijëra biznese janë mbyllur, ndërkohë që niveli i papunësisë krahasuar me një vit më parë ka arritur në 11.9% në gjashtë mujorin e parë të vitit.
Dërgesat nga diaspora janë ulur ndjeshëm duke ndikuar në një rënie drastike të të ardhurave të familjeve më në nevojë, që reflektohen në uljen e konsumit.
Tronditës është fakti se niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është rritur në 41.5%, nga 35.6% krahasuar me vitin e kaluar.
Niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton 2 herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit, ku konkretisht kjo përqindje rezulton:
në Maqedoninë e Veriut 23.3 %,
në Kosovë 22,9%,
në Malin e Zi 20,4%
në Serbi 18,9%.
Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.
Varfëria është dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, ndaj lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni në radhë të parë është luftë për të garantuar dinjitetin e çdo qytetari dhe drejtësinë sociale, aq të domosdoshme, që meriton një shoqëri si e jona, për t’u zhvilluar sipas standardeve europiane.
Varfëria nuk zgjidhet as me propagandë, as me statistika nga televizori, as me një thes miell, as me nxitjen e fenomeneve kriminale si kanabisi, që dihet se çfarë dëmesh dhe pasojash tepër të rënda sociale kanë shkaktuar.
Është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 USD/dita, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve.
Çdo i varfër në Shqipëri dhe çdo qytetar i ndershëm, më shumë se për solidaritet ka nevojë sot t’i dëgjohet zëri i tij.
Ndaj është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të arritur drejtësinë sociale të munguar.
Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit.
ZËRI I POPULLIT, ZËRI I ZOTIT!
ORA E PËRBALLJES PO AFRON!