Gjykata ka dhënë sot masën e detyrimit për paraqitje për 3 banorët e “Unazës së Re” të arrestuar një natë më parë gjatë protestës në zonën e Astirit.
Gjykata vendosi detyrim paraqitje për shtetasin Tomorr Gjata, Eduard Ferratin dhe Ruzhdi Dacin. Mbi ta rëndonin akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe bllokimi i rrugës.
Po ashtu në polici u shoqërua edhe ish-deputeti i PD, Klevis Balliu. Për këtë të fundit, Gjykata pritet të japë ditën e nesërme masën e sigurisë.
Protestat e ditëve të fundit në “Astir” janë shoqëruar me tensione mes banorëve dhe policisë. Kjo pasi me ndryshimet në Kodin Penal, bllokimi i rrugëve përbën vepër penale. Një ditë më parë Gjykata e Tiranës la në burg tre prej atë arrestuarve të tjerë Skënder Doda, Gramoz Shehu dhe Ilias Katiraj.
Përplasje mes banorëve dhe uniformave blu ka pasur ditë më parë edhe përpara Drejtorisë së Policisë të Tiranës, ku mbahen të ndaluar disa protestues.