Aktualitet

Protesta në Bjellorusi, betejë e gjatë dhe e vështirë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:23 - 01/10/20 |
mapo.al

Inaugurimi i Presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko pas zgjedhjeve që u vlerësuan gjerësisht si të manipuluara solli një skenar të ri në politikën Bjelloruse. Presioni ndaj presidentit autoritar nuk është zbehur ndërsa opozita zotohet se do të vazhdojë protestat ndërkohë që shumë vende refuozojnë të njohin zotin Lukashenko si president legjitim të Bjellorusisë.


Pas zgjedhjeve të debatueshme, Aleksandër Lukashenko u betua për një mandat tjetër në një ceremoni inaugurimi të zhvilluar në fshehtësi për të parandaluar tubimin e dhjetëra mijëra protestuesve duke shkaktuar ngërç në qytet, siç ndodhi të nesërmen e inaugurimit.


Tani, protestuesit janë bërë të ndërgjegjshëm se beteja e tyre është një detyrë të gjatë dhe të vështirë. Mundësitë e tyre për largimin e zotit Lukashenko pengohen nga kontrolli i fortë që ai ka mbiaparatin shtetëror të sigurisë.



Megjithatë protestuesit duken të vendosur.


“Do të ketë një formë bisedimesh, por jam e sigurt se do ta largojmë nga pushteti sepse vendi është ngritur në këmbë dhe kjo është e pamundur të injorohet”, thotë Valeria, një protestuese.


“Mundësia jonë e vetme është të mbledhim sa më shumë njerëz në krahun tonë, që njerëzit të vendosin, jo një diktator, por njerëzit e mirë të Bjellorusisë“, thotë Anton, një protestues tjetër.

Presidenti e ka bërë të qartë se nuk futet në dialog me protestuesit. Madje ai i ka ofenduar ata, duke i quajtur “të droguar, alkoolistë dhe minj”.

Qeveria i akuzon protestuesit si të kontrolluar nga fuqi të huaja.

“Mund të pohojmë pa frikë se Bjellorusia është, për herë të parë në historinë e saj, në një skenar të një “revolucioni me ngjyra”, të organizuar nga forcat e huaja dhe të koordinuar nga Lituania dhe Polonia” thotë Savinykh Andrei nga Komisioni i Përhershëm për Çështjet Ndërkombëtare.

Konflikti i zotit Lukashenko me opozitën mori vëmendje globale. Shumë vende perëndimore refuzojnë të njohin atë si president legjitim, ndërsa Rusia e përkrah atë.

Por mbështetja nga një fqinj i fuqishëm, thonë analistët, shoqërohet me koston e trysnisë dhe vë në pikëpyetje sovranitetin e një shteti të vogël si Bjellorusia.

“Në kushtet e një pabarazie, të tillë çfarë kërkon nga ne Federata Ruse? Bindje të plotë? Shndërrim të Bjellorusinë në një kukull, apo protektorat, në vend të një partneriteti me të drejta të barabarta? Kjo është pyetja që shtrohet”, thotë analisti politik, Petr Piatrouski.

Për protestuesit në rrugët e Minskut ajo që ndodhi javët e fundit është vetëm fillimi i një procesi të pandalshëm.

“Para dy muajsh nuk e kishim imagjinuar se kaq shumë njerëz do të mblidheshin në rrugë. Prandaj mendoj se duhet të vazhdojmë kështu, të dalim në rrugë dhe të shprehim mospajtimin”, thotë Antonina, protestuese.

Pritet që konflikti në Bjellorusi të hyjë në një fazë të re. Në njërën anë, opozita synon largimin e zotit Lukashenko nga pushteti përmes protestave dhe me ndihmën e presionit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, qeveria shpreson që si rezultat i presionit të forcave të sigurisë dhe lodhjes nga protestat, përpjekja e opozitës gradualisht të shuhet./VOA/


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas