Aktualitet

Protesta në Mal të Zi pas arrestimit të peshkopit serb, turma përleshet me policinë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:04 - 14/05/20 |
mapo.al

Policia malazeze hodhi gaz lotsjellës të mërkurën mbrëma për të shpërndarë grupe protestuesish në Nikshiq dhe Plevle, të cilët u përleshën me forcat e rendit duke kërkuar lirimin e një peshkopi të Kishës Ortodokse serbe që u arrestua për shkeljen e masave kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit.


Peshkopi Joanikije dhe shtatë priftërinj u ndaluan të martën pas një liturgjie e cila u mbajt me gjithë ndalesën e tubimeve për shkak të koronavirusit. Policia e Malit të Zi tha në një postim në Twitter se të paktën 4 pjesëtarë të saj pësuan plagë gjatë përleshjeve të së mërkurës mbrëma.


Sipas policisë, qytetarët që u mblodhën në dy qytetet malazeze “hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike mbi forcat e policisë. Me këtë rast u plagosën 4 pjesëtarë të polícisë”, thuhet në njoftim sipas të cilit “arrestimi i atyre që janë përgjegjës për incidentet është duke u zhvilluar”.


Protestat pasuan një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë së Malit të Zi, për shkak të ligjit për liritë fetare që u miratua më 27 dhjetor të vitit të kaluar.


Ligji u kërkon bashkësive fetare që të ofrojnë dëshmi të qarta mbi pronësinë, dhe kjo kërkesë sipas Kishës Ortodokse serbe, është hartuar për t’i marrë pronat e saj. Udhëheqësit e kësaj kishe thonë se ligji i ri i mundëson Malit të Zi të konfiskojë pronat e saj, duke përfshirë manastiret, kishat dhe pasuri të tjera.

Këto pretendime janë mohuar vazhdimisht nga qeveria malazeze. Presidenti pro-perëndimor i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se po nxitë polítikat pro-serbe brenda vendit dhe po përpiqet të dëmtojë shtetësinë e tij.

Mali i Zi, një vend i vogël buzë detit Adriatik me 620 mijë banorë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2006. Në vitin 2017 u bë vend anëtar i NATO-s. Mali i Zi deri tani ka raportuat 324 raste të të prekurve nga koornavirusi, nga pasojat e të cilin kanë humbur jetën 9 persona dhe është vendi më situatën më të mirë sa i përket pandemisë në rajon.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas