Pas protestës së maturantëve në lidhje me shqetësimin për testimin e matematikës, Ministria e Arsimit ka marrë një vendim në favor të nxënësve.
Në një videomesazh, ministrja Kushi thotë se është vendosur që të ulet kufiri minimal i pikëve për çdo notë.
Pas provimit të matematikës ministria ka ngritur grupe pune të pavarura, me ekspertë të fushës së matematikës, mësues me përvojë dhe maturantë, të cilët kanë analizuar në detaje dhe vlerësuar me shumë vëmendje çdo pyetje në test, përputhshmërinë me programin, saktësinë shkencore dhe nivelin e vështirësisë.
“Nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve, dhe pa dyshim duke konsideruar situatën e një viti jo normal e të vështirë të pandemisë, ku pavarësisht se maturantët në të gjithë vendin kanë qenë çdo ditë në mësim në shkollë, përveç 10 bashkive me risk të lartë ku për 6 javë mësimi u zhvillua online, kemi vendosur të plotësojmë kërkesën e maturantëve për të ulur kufirin minimal të pikëve për çdo notë”, thote Kushi.
Ministrja gjithashtu nënvizon se pas përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore 2021, MASR do të bëjë një analizë të thellë, me qëllim identifikimin e të gjitha problematikave të mundshme dhe rishikimin e plotë të të gjithë procesit të maturës, akteve rregullatore për këtë proces dhe administrimin e tij.
Maturantët protestuan duke bllokuar rrugen e Durresit ku ndodhet edhe ministria. Kërkesa lidhej pikërisht me uljen e pikëzimit pasi sipas tyre provimi ishte shumë i vështirë.
Edhe pasditen e sotme ata kishin paralajmeruar nje proteste, por mbetet per tu pare nese do te grumbullohen serish pas ketij vendimi apo jo.