Protestat në Mianmar për largimin e juntës ushtarake lanë mbi 30 të vrarë të tjerë, duke e çuar më shumë se 300 numrin e viktimave.
Shoqata birmane që ndihmon të burgosurit politikë tha se bilanci i viktimave në gati 2 muaj rebelim mund të jetë edhe më i lartë.
Vrasjet janë dokumentuar së pari në qytetin më të madh të vendit, në Jangon, por edhe në zonat kufitare ku jetojnë minoritetet etnike.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës veçuan përdorimin e dhunës fëmijëve që kanë mbetur viktima të forcave të rendit në këto javë.
“Jemi të skandalizuar nga dhuna e tmerrshme dhe brutale ndaj fëmijëve. Më e reja prej tyre, një 7-vjeçare u godit teksa rrinte në prehrin e të atit, që tregon se regjimi ushtarak po sulmon në shpërfillje të plotë të jetës së qytetarëve të vet,” tha Ned Price, përfaqësues i departamentin amerikan.
Ushtria njoftoi të martën se në vazhdën e protestave kanë mbetur të vrarë mbi 160 pjesëmarrës dhe 9 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Nga të dhënat e shoqatës birmane për të burgosurit politikë, 25 për qind e viktimave u goditën me plumb në kokë, 90 për qind ishin të gjinisë mashkullore dhe një e treta, nën 24 vjeç.
Gjatë ditës, selia partiake e ish-kryeqeveritares Aun San Su Çi ra pre e një sulmi me bombë molotov që në orët e para të mëngjesit.
Ajo u arrestua më 1 shkurt në kuadër të grushtit ushtarak, që ushtria birmane thotë se ka për qëllim vetëm të garantojë rendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.