Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri zhvilloi një protestë të tensionuar një ditë më parë në Tiranë, duke kundërshtuar mbërritjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në kryqytetin shqiptar. Po ashtu ata kundërshtuan edhe ardhjen e Milorad Dodik, drejtuesit të Republikës Srpska në Bosnje.
Drejtuesi i VV në Tiranë, Boiken Abazi thotë se ata po protestojnë pasi mendojnë se Shqipëria po bie nën ndikimin e Serbisë.
“Ndoshta jemi vonuar me angazhimin sepse po shoh se Serbia ka shtrirë ndikimin jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. E ka bërë duket përmes biznesit e ekonomisë e përmes këtij ndikimi po ndikon edhe te udhëheqësit politikë të këtij shteti. Qytetarët e Shqipërisë duhet të vetëdijesohen. Ata kanë menduar se rreziku mund të vinte nga disa qasje ultra nacionaliste greke, e kurrë s’kemi menduar se Tirana zyrtare do të binte nën ndikimin e Beogradit e Republika Serbe. E papranueshme. Duhet të organizohemi t’i kundërshtojmë këto politika e ta mbrojmë shtetin, kombin e interesat tona të përbashkëta”, ka thënë ai.
Sipas tij, është shumë shqetësuese ftesa në Tiranë “e dy personave të përfshirë në planin për copëtimin e Kosovës”.
“Besoj se s’duhej të ishin ftuar fare këta shovinistë serbë. Është detyrë e institucioneve të Shqipërisë të kërkojë njohjen e Kosovës, dëmshpërblimet, mbi 1600 të zhdukur, përdhunimin e mbi 20 mijë grave, kthimin e fondit pensional, artefakteve. Këto duhet çdo institucion shqiptar t’i kërkojë me ngulm nga këta dy politikanë. Kjo është rruga e duhur, dinjitoze për të mbrojtur interesat kombëtare e jo nderimet shtetërore ndaj politikanëve që s’kanë shprehur pendesë”.