LEZHË – Dhjetëra qytetarë në Lezhë kanë dalë në rrugë, duke bllokuar superstradën Lezhë-Shkodër, aty ku pritet të kalojë kryeministri Edi Rama për të shkuar në Pukë ku ka planifikuar takimin e radhës në vijim të turit “Bashkia që Duam”. Banorët kanë dalë që herët në rrugë me synim moslejimin e eskortës së Ramës që të udhëtojë në drejtim të Pukës. Mësohet se në vend ka shkuar edhe Drejtori i policisë së Qarkut Ferdinand Mara për zgjidhjen e situatës dhe zhbllokimin e rrugës.
Protesta në Lezhë vjen një ditë pasi PD deklaroi zyrtarisht djegien e mandateve ashtu si të gjitha partitë opozitare, ndërkohë që të enjten është paralajmëruar një tjetër protestë e opozitës para parlamentit. Qytetarët të mbështetur edhe nga opozita kundërshtojnë qeverinë e kryeministrit Rama.
Në 16 shkurt opozita zhvilloi një protestë përpara kryeministrisë, ku protestuesit tentuan të hyjnë në kryeministri. Edhe pse kordoni i policisë u tërhoq, ishte Garda e Republikës ajo që përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve.
/Gazeta Mapo/