Dhjetëra qytetarë protestuan para ndërtesës së policisë në Tuz të Malësisë, pas vrasjes së 19-vjeçares Sheila Bakija.
Protesta u organiza nga shoqatat civile “Lëvizja Zhvillimore e Tuzit” dhe “Qendra për të Drejtat e Grave”.
Organizatorët bënë thirrje për një hetim të ngjarjes, ndërsa 19-vjeëarja u vra edhe pse kishte raportuar dhunën në polici. Kjo protestë sipas organizatorëve u zhvillua edhe për të parandaluar humbjen e jetëve të tjera për shkak të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Ngjarja ka ndodhur të premten në Tuz të Malësisë. Autori i dyshuar i vrasjes, Ilir Gjokaj shkoi në banesën e familjes Bakija duke qëlluar për vdekje 19-vjeçaren Sheila Bakija dhe duke plagosur rëndë babain e vajzës.
Mësohet se 19-vjeçarja, e cila bashkëjetonte me Gjokajn, e kishte denoncuar partnerin e saj për dhunë në gusht të këtij viti, por ai u la i lirë pasi prokuroria e Podgoricës vendosi që rasti nuk kishte vepër penale.