Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama shkoi në Fier për të festuar 8 marsin me gratë e këtij qyteti. Këtë event PD-ja e priti me protesta.
Megjithatë, Rama vijoi festën me gratë e vajzat, ndërsa mbrëmjen e djeshme policia ka shoqëruar disa nga personat që protestuan.
Ish-deputeti Luan Baçi, që mban edhe postin e drejtuesit të degës së partisë Demokratike në këtë qytet denoncon se policia ka bërë kontrolle gjatë natës në banesat e personave që morën pjesë në protestë duke shoqëruar disa prej tyre.
Sipas kreut të PD-së në Fier Luan Baçi në Patos dhe Roskovec ka pasur disa shoqërime nga radhët e anëtarëve dhe simpatizantëve të PD dhe LSI. Një gjë të tillë e konfirmon edhe policia. Janë më shumë se 50 të shoqëruar nga Policia. Ndaj tyre pritet të ngrihet akuza për protestë të paligjshme, bllokim rruge dhe kundërshtim i punonjësve të Policisë.