Kryesore

PS: Do vazhdojnë turet e llogaridhënies, Iljazaj: Inerci, reformat kanë ngecur





               Publikuar në : 10:02 - 03/05/18 |
mapo.al

Partia Socialiste mblodhi sot kryesinë në selinë e saj. BalkanWeb raporton se mbledhja përfundoi rreth orës 09:25.


Në mbledhjen e kryesisë u miratua axhenda e turit të llogaridhënies. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.



U mor vendimi që turi i llogaridhënies do të zhvillohet në të 61 bashkitë e vendit. Turi nisi dje në kryeqytetit ku takimi i parë u zhvillua në kodrat e liqenit artificial.


Në kryesi u vendos dhe akordimi i axhendës parlamentare dhe të qeverisë.

Por drejtori i gazetës Mapo, Ervis Iljazaj shkruan në editorialin e ditës se turi i llogaridhënies është një inerci, ndërkohë që reformat kanë ngecur.

“Këto takime tregojnë edhe dy gjendje të momentit ku ndodhet qeveria.

E para është fushata permanente e Edi Ramës. Nuk ka rëndësi nëse jemi në moment zgjedhjesh apo në moment qeverisje, e rëndësishme është zhvillimi i fushatës konstante. Është e njohur nga të gjithë që Edi Rama, armën më të fortë tij ka komunikimin me publikun. Në këtë kuptim, sa herë që sebepet e komunikimit mbarojnë, kthehet te bashkëbisedimi me popullin. Por, komunikimi, edhe pse është pjesë shumë e rëndësishme e politikës së sotme, ka një vlerë të caktuar efikasitetit, është një armë që përtej një pike dhe limiti nuk ka asnjë vlerë. Sepse, herët apo vonë duhet të bësh llogaritë me realitetin.

E dyta janë ngecja e reformave të vërteta që i duhen vendit. Në mandatin e tij të parë, Edi Rama ndërmori disa reformat e rëndësishme, të cilat, për hir të vërtetës ishin edhe me kosto elektorale për qeverinë, por, që ishin të domosdoshme për vendin. Mjafton këtu të përmendim reformën e energjisë, të arsimit etj. Mandati i parë i Ramës u shënjua nga iniciativa të rëndësishme reformuese, por, në mandatin e dytë, qeveria e ka filluar me një filozofi totalisht të kundërt. Nga reformat ka kaluar te bashkëbisedimi me popullin. Pra, qeverisja ka pësuar një metamorfozë, nga reformuese në populiste, gjë e cila nuk shkon aspak në favor të shoqërisë, por vetëm të pushtetit. Po të shtosh këtu Reformën në Drejtësi, e cila është kushti thelbësor për hapjen e negociatave, që po has pengesa nga politika shqiptare, atëherë kuptohet fare lehtë, që populizma si takimet me popullin, janë thjesht një mënyrë për t’iu shmangur reformave të vërteta. E gjitha kjo histori, ngjan si një strehim te populli, sa herë që gjendesh në vështirësi qeverisje të vërtetë,” shkruan Iljazaj.

http://www.mapo.al/inercia-e-gju-me-gju-me-popullin-e-kryeministrit-dhe-ngecja-e-reformave-te-verteta/


Etiketa: , , , , ,

Pas