Partia Socialiste përfshin në kalendarin e saj të veprimit politik zgjedhjen e kreut të shtetit nëpërmjet një procesi të hapur konkurrimi. Mbledhja e sekretariatit të kësaj force dy ditë më parë ka përcaktuar si pjesë të axhendës së saj të veprimit të ardhshëm politik edhe zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës në muajin qershor, duke evidentuar si rrugën më të mirë për këtë realizimin e një procesi konkurrues dhe të hapur për të gjithë ata individë që plotësojnë kriteret që përcakton Kushtetuta. Strategjia në fjalë është bërë pjesë e kalendarit të veprimit politik të kësaj force, i cili para se të konsiderohet si qëndrim zyrtar, duhet të marrë dhe votën e kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare që pritet të mblidhen brenda dy javëve të ardhshme.
Kalendari
Në projekt-kalendarin politik që do t’i paraqitet këtyre dy forumeve të larta vendimmarrëse për miratim, një vend të veçantë zë edhe zgjedhja e kreut të ri të shtetit. Megjithëse ky proces nuk varet plotësisht nga Partia Socialiste, pasi në fund mazhoranca pas tre raundeve të para mund të zgjedhë Presidentin e ri edhe me votat e saj, socialistët janë të gatshëm që t’i ofrojnë kundërshtarëve të tyre një mundësi për një proces konsensual. Në materialin e miratuar nga mbledhja e sekretarëve bëhet e ditur se për PS zgjedhja e kreut të shtetit nuk ka të bëjë me emra konkretë, por me një proces të mirëfilltë konkurrues për të përzgjedhur një kandidat me profil të qartë kushtetues, pra që të përfaqësojë së pari unitetin e kombit. Dhe kjo, sipas dokumentit në fjalë, mund të arrihet nëpërmjet një procesi konkurrues që të dyja palët duhet të zhvillojnë për të përzgjedhur emrin apo emrat më të pranuar prej tyre. Bëhet fjalë për një proces që t’i përngjajë atij që organizoi selia rozë për të zgjedhur Avokatin e Popullit. Dhe nëse pala tjetër e kundërshton këtë proces të përbashkët, atëherë PS sipas këtij dokumenti me shumë gjasa do ta zhvillojë atë e vetme, për të paraqitur edhe ajo një kandidat të sajin, por të përzgjedhur në mënyrë transparente.
21 janari
Përgatitjet për homazhet me rastin e 1-vjetorit të vrasjeve të 4 protestuesve gjatë demonstratës së 21 janarit të shkuar, do të jenë në fokusin e takimeve që kreu socialist Edi Rama do të zhvilloj këto ditë edhe me përfaqësues të partisë në bazë. Kështu gjatë ditës së sotme ai do të zhvillojë një takim me krerët e partisë në rrethe, me të cilët pritet të diskutojë masat organizative për homazhet që do të zhvillohen me këtë rast në datën 21 Janar në bulevardin dëshmorët e kombit. E njëjta temë pritet të jetë pjesë e diskutimeve edhe në takimin që Rama ka programuar nesër me kryetarët socialistë të bashkive qendër qarku. Homazhet siç edhe është përcaktuar tashmë, nuk pritet të jenë masive dhe ato do të nisin nga selia rozë për të vijuar me një ecje në heshtje përgjatë bulevardit dhe për të vendosur qirinj dhe buqeta me lule në vendet ku u vranë katër protestuesit. Ndërkohë që pritet që për këtë ditë drejtues të PS-së dhe të opozitës të bëjnë vizita në familjet e viktimave. Por jo vetëm kjo, pasi me ta Rama pritet të diskutojë edhe një pjesë të aksionit politik që PS ka vendosur të kryejë dhe që e ka bërë pjesë të kalendarit të saj politik për gjashtë muajt e ardhshëm.
Po presidente te vihet Monika Kryemadhi,shume mire nja grua. Kush eshte dakort te ngrene doren. Presidenti me votat e popullit.