Socialistët janë bindur më së fundi se të dhënat e ofruara nga Ministria e Brendshme për numrin e popullsisë në të gjitha qarqet e vendit për efekt të llogaritjes së ndarjes së mandateve të deputetëve në çdo zonë zgjedhore janë të sakta. Kjo lihet të kuptohet nga veprimi më i fundit i 3 anëtarëve të KQZ të propozuar nga opozita, të cilat, pavarësisht vendimmarrjes së djeshme të Kuvendit për ndarjen e mandateve sipas vendimit të 2009, kanë paraqitur një kërkesë zyrtare për thirrjen e një mbledhje të posaçme të komisionit ditën e hënë për të miratuar projekt-aktin e propozuar më parë nga administrata sipas të cilit ndarja e mandateve të bëhet sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Ministria e Brendshme. “Për thirrjen e mbledhjes së KQZ më datë 28.01.2013. KQZ, ditën e premte, më datë 28.01.2013, ora 11:00 zhvillon mbledhjen me këtë rend dite: Projekt-vendim: “Për caktimin e numrit të mandateve, për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”, – thuhet në kërkesën e firmosur nga tre anëtarët e propozuar nga majta, nënkryetari Denar Biba, anëtarët Albana Shtylla dhe Jani Jani. Më tej në projekt-aktin e paraqitur prej tyre ata ndërsa e quajnë vendimmarrjen e KQZ-së për të mos miratuar shpërndarjen e mandatave për mungesë votash si të pavlefshme, propozojnë që kjo çështje të rimerret dhe një herë në shqyrtim nga komisioni për sa kohë që afati brenda cilit duhet të kryhet kjo procedurë nuk ka mbaruar ende. “Ky vendim është absolutisht i pavlefshëm, pra “nul” dhe i paqenë. Vendimmarrja e KQZ për: “Caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013” është ende kompetencë e KQZ, ndaj edhe çështja rimerret në shqyrtim nga KQZ, pasi realisht, në kuptim e respekt të ligjit, asgjë nuk ka ndodhur, asnjë pasojë nuk ka ardhur. KQZ është ende brenda mundësive dhe afateve të parashikuara në Kod (data 7 mars është afati përfundimtar i miratimit të numrit të mandateve), si organi administrativ kompetent, për të patur një vendimmarrje të saj për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, dhe më tej përcjelljen e kësaj ndarje, si propozim për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, – shprehet propozuesit e këtij akti si në projektvendim ashtu edhe në relacionin që e shoqëron atë.Ndaj ata i propozojnë komisionit një vendimmarrje të posaçme për këtë çështje duke parashikuar që mandatet të ndahen njësoi si propozonte dhe administrata e KQZ-së në projekt-aktin që nuk u votua prej tre anëtarëve propozues të kësaj nisme, ku qarqeve Berat dhe Korçë t’i hiqet nga një mandat dhe ato t’i kalonin qarqeve Tiranë dhe Durrës. Megjithëse nuk sqarojnë në mënyrë të qartë se çfarë i bëri ata të ndryshojnë mendim dhe për më shumë të darovitë çdolloj hije dyshimi që ata kishin për shtimin e numrit të popullsisë në qarkun e Kukësit, ata e pranojnë të mirëqenë të dhënat e paraqitura nga ministria e Brendshme për numrin e popullsisë. Por megjithatë ata lënë të kuptohet në këtë projektvendim se auditi i propozuar nga nënkryetari Denar Biba për të monitoruar dhe kontrolluar të dhënat e numrit të popullsisë në Ministrinë e Brendshme dhe listat e zgjedhësve, ka konfirmuar vërtetësinë e përmbajtjes së shkresës së dhënë gjatë muajit nëntor nga Drejtoria e Gjendjes Civile. “Këta auditë tashmë kanë filluar punën e tyre, në përputhje me kompetencat që iu njeh Kodi Zgjedhor, dhe njëri prej tyre ka informuar ndonëse jo në mënyrë zyrtare, se ka evidentuar disa elementë të rëndësishëm, të cilët plotësojnë në respekt të ligjit, kërkesën e tre anëtarëve të KQZ, në lidhje me informacionin e kërkuar nga Ministria e Brendshme për Qarkun e Kukësit”, – thuhet në projektvendimin e propozuar nga tre anëtarët e opozitës në KQZ. Pavarësisht se ata janë të gatshëm që të pranojnë ndarjen e propozuar më parë nga KQZ, kjo nismë tashmë duket e vonuar pasi dje komisioni i Ligjeve miratoi një vendim për ndarjen e mandateve sipas skemës së vitit 2009.
Kjo ndodhe vetem kur e humb rrugen edhe ne fushe.