TIRANË Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka filluar mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar me përshtypjet që ai mori gjatë vizitës së zhvilluar në Luginën e Preshevës. Gjatë fjalës së tij, Rama informoi se PS-ja do të jetë afër tyre si në opozitë, por edhe kur të jetë në pushtet, duke theksuar se roli i socialistëve në politikën rajonale të Shqipërisë do të vijë duke u rritur. Për këtë arsye, Rama ka propozuar politika të reja që duhet të adresojnë strategji të qarta për faktorin shqiptar kudo në rajon. “Në këndvështrimin tim, sot ka një domosdoshmëri për të plazmuar një vizion të kthjellët shqiptar për të ardhmen e shqiptarëve në rajon dhe të vetë rajonit, përmes politikash të reja, të cilat duhet të adresojmë me një strategji të qartë dhe të dakordësuar mes gjithë faktorëve shqiptarë, sipas specifikave të çdo territori ku shqiptarët jetojnë të ardhmen. Programi ynë i ri ‘Për një Rilindje Shqiptare’ ka një kapitull që i kushtohet ribashkimit me Europën, në frymën e gjithë përpjekjes historike të shqiptarëve për të qenë pjesë e pandarë e Europës. Ky kapitull do të shtjellohet e plotësohet në rrugën e programit dhe do të kthehet në një angazhim të detajuar qeverisës të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, – tha dje Rama. Ndërkohë, ai shtoi se nuk ka kohë për të humbur, ndaj propozoi që kjo të fillojë me Luginën e Preshevës. “Duhet të vihemi në lëvizje për të mundësuar një ndihmë të parë krejt të mundshme për bashkësinë shqiptare të Luginës së Preshevës. Kujt mund t’i duken vogëlsira një maternitet i ri dhe të paktën dy shkolla të reja shqipe në atë zonë për të cilat shteti ynë duhet të financojë sot, jo nesër nga buxheti i tij, unë i them të parafytyrojë më parë se të gjitha nënat e reja shqiptare të asaj zone duhet të ikin larg nga aty për të lindur fëmijët e tyre…“, – tha ai, duke propozuar një nismë ligjore parlamentare me qëllim vënien e këtyre financimeve në dispozicion të administratës vendore atje.
Eh, sikur të ishte çështja kaq e thjeshtë sa gjetja e parave për të financuar ndërtimin e dy-tri ndërtesave atëherë lehtë do ta besonim sinqeritetin e Ramës.
Shkoi Rama n'Preshevë, promovoi librin e vet e kësaj udhe kqyri t'i fitojë zemrat e njerëzve dhe sa më shumë që të jetë e mundur të fitojë edhe kredi patriotike.
Demagogjia në veprim apo demagogjia mprehu shpatën, kështu mund ta pagëzojmë "inkursionin patriotik" të Ramës.Ky është një gjahtar i ri në pyjet e Preshevës, të Kosovës e të Maqedonisë por me ambicie të mëdha për pushtet. Nëse do të arrijë ta marrë timonin edhe shqiptarët do ta kenë Millosheviqin e vet që disave do tu duket si Enveri, disave si Berisha e disave …