Mazhoranca shqiptare e pranon se nuk i ka 84 vota për Ligjin e Magjistraturës. Por kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja mendon se nuk do ketë dialog me kushte me opozitën.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve foli për mediat, duke deklaruar se “nuk ka kthim prapa” sa i përket Reformës në Drejtës. “Dialog me kushte për të zhbërë vetingun, harrojeni që do ketë”, tha ai.
Por pas mbledhjes së grupit, kreu demokrat Lulzim Basha tha se ka 7 pika për konsensus.
PIKAT
1. Zhbërja e të gjitha ligjeve që janë miratuar në mënyrë të njëanshme për Reformën në Drejtësi.
2. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e Prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm.
3. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në përzgjedhjen e anëtarëve të jashtëm të KLP dhe KLGJ duke futur në garë të gjithë kandidatët që ishin përjashtuar nga ONM.
4. Zgjidhja urgjente e ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Sa kohë që s’ka Gjykatë Kushtetuese, vendi është në një situatë grushti shteti.
5. Zgjidhja urgjente dhe gjetja e mekanizmit ligjor që të ngrihen sa më shpejt KLP dhe KLGJ në mënyrë që të fillojnë menjëherë funksionimin SPAK, Byroja e Hetimit, Gjykata Anti-korrupsion dhe Prokurori i Përgjithshëm.
6. Ecuria normale sipas Kushtetutës dhe ligjeve i procesit të vetingut. Ndërprerja e menjëhershme e ndërhyrjes së mazhorancës në proces. Sot për të njëjtën shkelje dikush mbahet në detyrë, e dikush shkarkohet nga detyra.
7. Komision koordinimi që e përcakton dhe Kushtetuta që të jetë i balancuar dhe i paanshëm që të mbikëqyrë ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.