Socialistët kanë hartuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që bëjnë rregullimet sipas hartës së re territoriale. ZAZ, mbi bazë njësie vendore. Propozohen të jenë 89 ZAZ, më e madhja në Fier, më e vogla ajo e Pusnecit
Ndarja e re territoriale ka imponuar dhe një ripërcaktim të Zonave të Administrimit Zgjedhor, si niveli i dytë i administrimit të zgjedhjeve. Për shkak se me ndarjen e re ka humbur koncepti i rrethit mbi të cilin ishte mbështetur ndarja e ZAZ-ve të mëparshme, mazhoranca e majtë ka përgatitur një sërë ndryshimesh ligjore në Kodin Zgjedhor, ku më së shumti merret pikërisht me këtë problem.
Tashmë sipas këtyre ndryshimeve, ZAZ nuk do organizohen më mbi bazë rrethi, por mbi bazë njësie vendore. Më konkretisht propozohet që juridiksioni territorial i ZAZ-ve si rregull të jetë i njëjtë me territorin administrativ të bashkive. Ndërkohë që bashkitë që kanë më shumë se 80 000 mijë shtetas me të drejtë vote, ndahen nga KQZ-ja në më shumë sesa një Zonë të Administrimit Zgjedhor.
Ndërkohë që për Bashkinë e Tiranës, secila nga njësitë bashkiake përbën zonë administrimi zgjedhor më vete. Zonat e Administrimit Zgjedhor miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Ndërkohë që KQZ-ja, jo më vonë se 5 muaj para datës së zgjedhjeve, mund të ndryshojë kufijtë e ZAZ-së. Klauzolë kjo që do të thotë se KQZ-ja nuk mund t’i ndryshojë më ZAZ për vendoret e radhës pas datës 21 janar. Çka në fakt e bën të pazbatueshëm këto ndryshime për këto zgjedhje, kur dihet që këto ndryshime që propozohen nuk janë miratuar ende, ndërkohë që edhe nëse miratohen nga Kuvendi në fillim të këtij sesioni, duan thuajse së paku edhe një muaj tjetër që të hyjnë në fuqi.
Ndaj këto ndryshime ose nuk do mund të zbatohen, ose në të kundërt do zbatohen në shkelje të afateve që ato vetë përcaktojnë. Por miratimi i këtyre ndryshimeve edhe në bazë të marrëveshjes së arritur në fund të sesionit të shkuar mes shumicës dhe opozitës nuk do mund të miratohen pa pëlqimin e kësaj të fundit. Pëlqim që opozita duket se nuk është e gatshme ta japë përsa kohë që nuk pranon të zhvillohen zgjedhje me këtë hartë zgjedhore. Për shkak të këtyre përcaktimeve të reja që bëhen në këto ndryshime në Kod, kandidatët për kryetar bashkie dhe listat për këshillin vendor të njësive të qeverisjes vendore, territori i të cilave nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme, do regjistrohen në KQZ.
Ndërkohë që edhe tabelat e rezultateve dhe kandidatin fitues për këto njësi që përbëhen nga më shumë se një ZAZ do ta shpallë KQZ. Po ashtu propozohet që jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve, prefekti i qarkut i paraqet KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të qarkut, që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj. Ndërsa në dispozitat kalimtare propozohet që përgjegjësitë dhe detyrat në procesin e administrimit zgjedhor të parashikuara nga Kodi Zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, për zgjedhjet vendore të vitit 2015 do të kryhen nga po të njëjtat organe vendore të zgjedhura sipas ndarjes administrativo-territoriale të vjetër.
Kjo gjithashtu mund të sjellë pengesa të tjera për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi krerët aktualë të njësive vendore nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë në këtë proces, aq më shumë që një pjesë e mirë e tyre e kanë kundërshtuar ndarjen e re territoriale në KQZ duke kërkuar referendume. Për këtë arsye ata mund të kthehen në një pengesë në përgatitjen e zgjedhjeve. Megjithatë, socialistët në amendamentet e paraqitura duket se e kanë marrë parasysh këtë faktor, pasi parashikojnë që në rastin kur krerët nuk përmbushin këto detyrime, atëherë detyrat i merr përsipër t’i bëjë KQZ-ja.
Bashkangjitur këtij projektligji është edhe aneksi me ndarjen e re të ZAZ-ve në të gjithë vendin, të cilat propozohen sërish të jenë 89, por duke ndryshuar numërtimin sipas njësive vendore. Kështu, bashkia Tiranë do ketë tashmë 13 ZAZ, ku 11 prej tyre do jenë për secilën minibashki. Ndërkohë që ZAZ-ja më e madhe do jetë në Fier me 78 mijë zgjedhës, ndërsa ajo më e vogla do jetë në Pusnec me vetëm 4 mijë zgjedhës.
Ndarja e ZAZ sipas projektligjit të ri
ZAZ Bashkia Zgjedhës
1 Malësi e Madhe 41031
2 Shkodër 64422
3 Shkodër 29724
4 Shkodër 29472
5 Shkodër 28820
6 Vau i Dejës 35883
7 Pukë 12406
8 Fushë-Arëz 9022
9 Tropojë 20763
10 Has 14503
11 Kukës 41806
12 Lezhë 78620
13 Mirditë 27707
14 Kurbin 52880
15 Mat 28692
16 Klos 15098
17 Bulqizë 28352
18 Dibër 55089
19 Krujë 57257
20 Durrës 64474
21 Durrës 52239
22 Durrës 54643
23 Durrës 52014
24 Shijak 32738
25 Vorë 26007
26 Kamëz 58211
27 Kamëz 27517
28 Tiranë 42689
29 Tiranë 38227
30 Njesi 1 39511
31 Njësia 2 61305
32 Njësia 3 34896
33 Njësia 4 48438
34 Njësia 5 65435
35 Njësia 6 49700
36 Njësia 7 54308
37 Njësia 8 32564
38 Njësia 9 46954
39 Njësia 10 24014
40 Njësia 11 47810
41 Kavajë 57922
42 Rrogozhinë 29560
43 Peqin 28179
44 Belsh 23460
45 Cërrik 33912
46 Elbasan 57180
47 Elbasan 33872
48 Elbasan 31508
49 Elbasan 31300
50 Gramsh 26607
51 Librazhd 31656
52 Prrenjas 23484
53 Lushnjë 54749
54 Lushnjë 42467
55 Divjakë 39406
56 Fier 71490
57 Fier 78684
58 Patos 32600
59 Roskovec 23096
60 Mallakastër 31214
61 Ura Vajgurore 28689
62 Kuçovë 42449
63 Berat 76050
64 Poliçan 13846
65 Skrapar 14751
66 Pogradec 68003
67 Maliq 47607
68 Pustec 4238
69 Devoll 32794
70 Korçë 33223
71 Korçë 71435
72 Kolonjë 15987
73 Përmet 16223
74 Këlcyrë 9556
75 Memaliaj 16601
76 Tepelenë 12556
77 Gjirokastër 41632
78 Libohovë 5694
79 Dropull 19777
80 Vlorë 42007
81 Vlorë 33854
82 Vlorë 37376
83 Vlorë 35380
84 Selenicë 26554
85 Himarë 21789
86 Delvinë 14674
87 Sarandë 42023
88 Finiq 28805
89 Konispol 10707
Gjithsej në total 3271885 zgjedhës