Edhe në Shqipëri do të ndalohet fluturimi i avionëve Boeing 737-8 dhe 737-9 Max, pas aksidentit fatal që ndodhi me një tip të këtij aeroplani me shoqërinë ajrore “Ethiopian Airlines”, ku humbën jetën 157 persona. Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar e ka bërë publike këtë masë përmes një njoftimi për shtyp, ku sqaron se kërkesa erdhi nga Agjencia Europiane e Sigurisë në Operim të Aviacionit, e cila ka pezulluar udhëtimet me këto dy tipa aeroplanësh.
Ndalimi i fluturimit të avionëve të këtij tipi do të jetë pa afat, deri në daljen e një konkluzioni shkencor lidhur me defektin që shkaktoi tragjedinë e të dielës. Fluturimet e këtij avioni ndalohen të kalojnë edhe në hapësirën ajrore shqiptare.
Në Shqipëri nuk ka asnjë avion të tipit Boeing 737-8 dhe 9 Max që kryen fluturime, ndërsa vetëm një nga kompanitë që kryejnë fluturime në aeroportin tonë ka në pronësi 11 të tillë. Por edhe pse Aviacioni Civil thotë se në Shqipëri nuk operon asnjë avion i tillë, një Boing 737-8 Max u ul në Rinas para rreth dhjetë ditësh, siç tregon kjo foto e Mapo.al.
Edhe Presidenti Trump urdhëroi linjat ajrore në Shtetet e Bashkuara të pezullojnë avionët 737 Max 8 të Boeingut, duke anuluar një vendim të mëparshëm nga rregullatorët amerikanë për të mbajtur avionët në fluturim.
Por përse po rrëzohet ky model avioni, që ishte ndër më të suksesshmit në shitje?
Për të krijuar një avion sa më efikas në përdorimin e karburantit, kompania bëri disa ndryshime në aerodinamikën e avionit duke bërë një spostim nën krahë për vendosjen e motorit.
E pikërisht këtu nis problemi: Me zhvendosjen e motorëve, avioni ka tendencën që të ngrejë majën (hundën). Në rastin më të keq, kjo mund të shkaktojë efektin e çarjes së fërkimit me ajrin, pra ngadalësimin e motorëve dhe rrëzimin e avionit. Për ta shmangur këtë efekt automatikisht, Boeing ka instaluar sistemin e quajtur MCAS (Maneuvering Characteristics Augmentation System), që me të kuptuar situatën e vështirë të fluturimit, hunda e avionit ulet automatikisht e kësisoj i shmanget efektit të fërkimit me ajrin.
Megjithatë në fillim Boeing nuk ua komunikoi plotësisht këtë risi pilotëve dhe as nuk e instaloi atë gjatë stërvitjes së tyre me avionin e ri. Për këtë arsye, pilotët e shoqërisë ajrore indoneziane Lion Air në tetor 2018, pas nisjes nga Xhakarta, pa pasur dijeni për këtë sistem, luftuan minuta të tëra me avionin, që me sa duket gabimisht, e ulte vazhdimisht hundën në mënyrë automatike, ndërkohë që pilotët përpiqeshin për të kundërtën dhe tentonin të fitonin lartësi. Fundi ishte tragjik, avioni 737 Max 8 ra në detin Java, 189 njerëzit në bord gjetën vdekjen. Shoqatat e pilotëve në mbarë botën kritikuan mungesën e komunikimit nga Boeing, ndërkohë po vazhdon hetimi i shkakut përse është rrëzuar avioni.