fbpx

Aktualitet

Pse Deklarimi Vjetor është një taksim i ri i të varfërve





               Publikuar në : 19:33 - 19/11/19 |
Nga Klodian Tomorri

Nga Klodian Tomorri


Dëgjova drejtoreshën e Tatimeve dje të justifikonte detyrimin e qytetarëve të dypunësuar për të bërë deklarim vjetor, dhe rrjedhimisht për të paguar më shumë taksa, si një masë që nuk synon rritjen e barrës, por barazinë në treg.



Mirë shumë. Tani, mblidhni pak të gjithë mendimtarët që keni në qeveri dhe na zgjidhni pak këtë ekuacionin!


Rasti 1:

Një qytetar punon vetëm një muaj në vit dhe pjesën tjetër të vitit rri i papunë. Gjatë këtij muaji ai bën dy punë të ndryshme nga të cilat siguron në total 3.5 milionë lekë të vjetra. Për këtë nivel të ardhurash, taksa që ky qytetar do të paguajë në shtet është 616 mijë lekë të vjetra.

Rasti 2:

Një qytetar tjetër bën vetëm një punë, por punon në të gjithë muajt e vitit. Ai paguhet 300 mijë lekë në muaj ose 3.6 milionë lekë të vjetra në vit. Taksa që ky qytetar paguan në shtet është zero.

Pra, qytetari që merr 3.5 mln lekë rrogë në vit paguan 616 mijë lekë taksa. Ai që merr 3.6 milionë lekë rrogë në vit paguan zero taksa. Pyetje për qeverinë: Po kjo është e barabartë?

Morali i fabulës:

Taksa progresive dhe barazia nuk shkojnë asnjëherë më njëra tjetrën. Progresivizmi është trade-off mes barazisë dhe dhembshurisë. Është një konsensus, ku shoqëria cenon barazinë dhe drejtësinë për të ndihmuar pjesën më vulnerabël të saj, pra për të mos lënë njeri pas.

Koncepti strikt i barazisë është taksa lump sum. Madje as taksa e sheshtë nuk është, por lump sum, pra taksa për kokë ku çdo njeri paguan të njëjtën taksë fikse. Por meqenëse tregu, aftësitë, rrethanat dhe fati bëjnë që një pjesë e individëve të mbeten pas apo të bien në mjerim, shoqëria bën këtë konsensus. Dhembshuri në kurriz të barazisë dhe drejtësisë.

Ah dhe një gjë. Mos gënjeni më herë tjetër kur sillni shembuj me njerëz qe paguhen 2.5 milionë lekë në muaj. Sepse të gjithë ata që kanë pagë mbi 1.66 milionë lekë në muaj e kanë prej vitesh detyrimin për të bërë deklarim vjetor të ardhurash. Ky rregullimi i fundit është për taksuar fukarenjtë.

*****

*Autori është gazetar që mbulon çështje të ekonomisë dhe financave


Etiketa: , ,

Pas