Aktualitet

Pse duhet ta paguajmë ne borxhin personal të Ramës ndaj Becchettit?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:05 - 02/04/21 |
Armand Maho

S’kish si ndodhte ndryshe! Francesco Becchetti, pronari i Agon Channel do marrë 110 milionë, nga buxheti i rrënuar i shqiptarëve. Gjykata e Arbitrazhit, i dha të drejtë biznesmenit italian i cili në vitin 2015 provoi në kurriz të gjithë trallisjen e një pushteti të papërgjegjshëm.






“Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente AgonCH, një sukses!”, do deklaronte Rama.
Historia e Becchettit, është e denjë për rrëfenjat e regjimeve autoritare.


Kryeministri që sot kërkon mandatin e tretë, asokohe ishte në gjysmë të të parit. Euforik për 1 milion votat që mori në 2013-ën iu vërsul me të gjithë arsenalin e pushtetit bizneseve, sipërmarrjeve apo individëve që nuk ishin në rreshtin e tij.







Pa marrë parasysh ligje e rregulla, ai urdhëroi sekuestrimin e Agon Channel që prej kohësh kishte një qasje kundërshtuese ndaj Rilindjes, nën akuzën se financohej nga pasuri të paligjshme. Vetë pronari i saj u shpall në kërkim nga pala shqiptare, por Anglia refuzoi ta ekstradonte. Sa për paratë Becchetti e provoi me një dokument se ato ishin marrë në formë kredie nga Dojçe Bank.



I ndodhur në këto kushte Rama do deklaronte se hetimet ishin kryer në bashkëpunim me palën italiane, gjë që më vonë rezultoi e pavërtetë. Vetë ambasada do deklaronte se hetimi ishte fund e krye shqiptar. Ose e thënë më troç një paçavure politike.
Kryeministri sot kërkon të bëjë strucin, qëllimshëm duke shmangur një prononcim publik për këtë çështje. Shqiptarët, dhe ai që sapo ka lindur, do i duhet të paguajnë 40 euro për sjelljen inatçore dhe dëshirën e pakontrolluar të Ramës, për të rrahur gjoksin përpara oligarkëve mediatikë, të cilët shikonin një konkurrencë të fortë tek investimet e Agon Channel. Në janar të këtij viti do e cilësonte si një turp, shkrimin e “Der Standart” të Austrisë, që lajmëronte për konfiskimin e aseteve të Shqipërisë nëpër botë. Por, turpi me sa shihet qëndron tjetërkund.

Lexo edhe :  Si po e shpall Edi Rama vetveten “persona non grata” në Kosovë


Sot jemi përballë një krimi me financat publike! Le të bëjmë një krahasim. Për pandeminë, dhe muajt e izolimit nga buxheti i shtetit u shpenzuan 120 milionë euro, një shifër shumë e afërt me atë që duhet të paguajmë për tekat kryeministrore. Në çdo vend normal tashmë qeveria do kishte dhënë dorëheqjen, dhe prokuroria do kishte filluar akuzat për të gjithë zinxhirin e personave përgjegjës. Por në Shqipëri, Rilindja e përfaqësuar nga Edi Rama, Ahmetaj, Balla&co ka ende cipën për të kërkuar mandatin e tretë.

Nga 25 prilli s’kanë mbetur më shumë se tre javë, dhe duket se numërimi mbrapsht për këtë pushtet ka filluar. Qeveria e ardhshme që do të vijë, më së paku duhet të amortizojë sa të mundet efektet financiare që rrodhën nga kjo sjellje skandaloze e Kryeministrit.

Gjithsekush që ka qenë pjesë e kësaj skeme ogurzezë të abuzimit me pushtetin duhet të paguajë. Një rast i tillë s’duhet të kalojë në heshtje, dhe Rama duhet të japë një shpjegim se si do i paguajë ato para, sepse janë borxh i tij personal dhe jo i shqiptarëve. Nëse nuk e bën, atëherë drejtësia duhet të flasë fort e qartë. Shqiptarët do bëjnë si do bëjnë dhe pa “më të mirin” e kryeministrave.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas