Editorial

Pse e harruam 1 Qershorin?






               Publikuar në : 08:58 - 11/06/19 |
Nga Erion Kristo

Nga Erion Kristo


Sepse ka kaluar ajo datë, sot është një ditë tjetër, – do ishte përgjigjja e shpejtë ndaj kësaj pyetjeje. Por nëse inteligjenca jonë na ofron vetëm kaq, duhet të na vijë turp për inteligjencën.

A nuk thuhet shpesh, sidomos nga ata njerëz që nuk i duan festat, me mëtimin se gjoja duan punën: Përse ta festojmë Shën Valentinin? Përse ta festojmë Festën e Nënës? Përse ta festojmë Festën e Shkollës? A nuk duhet që çdo ditë të jemi të dashuruar, apo të duam nënën, apo të duam dijen? Prapë duhet të na vijë turp për inteligjencën tonë. Dita e festës nuk është krijuar për të asgjësuar ndjenjat dhe situatat njerëzore, por për t’i theksuar ato, sipas parimit të bukur latin: çdo ditë nga një vijë (nulla diessinelinea). Janë ditë reflektimi mbi tema të mëdha. Kaq. E njëjta gjë është dhe për ditën e Fëmijëve. Duhej të ishte një ditë reflektimi, një ditë llogaridhënieje. Po nuk ishte diçka e tillë.

Madje po të mos ishte për botën, fëmijët tanë as nuk do të kishin festë. Po ja që vjen 1 qershori dhe kujtohemi që kemi fëmijë. Jo se nuk e dimë përditë, por 1 Qershori iku e vate. Përveç ca pak veprimtarive, më shumë të organizuara nga Bashkia dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, kjo festë nuk la ndonjë gjurmë. Asgjë për t’u shënuar si një arritje madhore në fushën e fëmijëve. Thjesht tullumbace dhe fjalime, tek-tuk ndonjë çmim për të talentuarit.

Në fakt, më mirë do të ishte të qe një ditë proteste se sa feste, sepse edhe në ditën e tyre fëmijët sërish u përdorën nga politika si dekor për të fshehur premtimet e pambajtura. Një qokë më tepër në agjendën e politikanëve dhe një symbyllje më tepër për kauzën e tyre, ngase quhet gjë e kryer.

Vjen 1 qershori dhe na bie ndër mend për dekorin më të bukur që mund të përdoret: një dekor human, një dekor të pafajshmish, një dekor humbësish. Fëmijët nuk e dinë, po ata e kanë humbur pafajësinë. Ata për shembull janë bërë fëmijë elektoralë, pra që përdoren si dekore elektorale. Ata janë bërë fëmijë qeveritarë: përdoren nga qeveria për të shpallur arritjet. Ata nuk e dinë se janë dhe fëmijë strategjikë: për ta ka një strategji shumë të bukur. Po atyre do t’u duhet kohë ta kuptojnë se çfarë është strategjia. Gjene, fëmijët nuk kuptojnë. E si mund të kuptojnë ata, kur prindërit e tyre nuk kuptojnë.

Dhe ndërsa mediat kujtohen në minutën e fundit të merren me fëmijët dhe përqendrohen në krahasimin mes periudhave, të drejtat e fëmijëve mbeten ende diçka e parealizuar dhe në fakt, e pasynuar. Mjafton të shikosh se sa intelektualë shqiptarë janë të angazhuar në çështjet e ndryshme fëminore (kur kemi shembullin e rilindësve tanë, që krahas kombit, vëmendjen maksimale e tregonin për fëmijët).

Por se si është gjendja e fëmijëve shqiptarë dihet mirë: është shtuar mbipesha, është shtuar kequshqyerja, është shtuar vdekshmëria në lindje, janë shtuar abortet sidomos mes moshave të vogla, është shtuar analfabetizmi, është shtuar braktisja e shkollës, janë shtuar të miturit që punojnë, janë shtuar fëmijët që lindin me probleme të shëndetit, janë shtuar rastet e humbjes së jetës së fëmijëve për shkak të aksidenteve të ndryshme, është shtuar moskujdesi spitalor për fëmijët, por mbi të gjitha është shtuar mungesa e dëshirës për të mësuar, për të lexuar, për të luajtur, për të krijuar, për t’u ushtruar, e shumë të tilla.

Të gjitha veprimtaritë njerëzore janë veprimtari që mund të kryhen edhe nga fëmijët. Ata shfaqin në mënyrë të mprehtë të gjitha problematikat tona sociale, më të mprehta madje, sepse janë më tragjike në vetvete: fëmijë që humbin, fëmijë që vjedhin, fëmijë që prostituojnë, fëmijë që dhunojnë, e kështu me radhë. Syrit të zakonshëm i shpëtojnë imtësi të tilla, por ato ofrohen fuqishëm nga realiteti ynë dhe bëhen objekt mediatik vetëm kur media ndërkombëtare i ngre si çështje (si në Angli apo Greqi për shembull, për fëmijët e humbur). Pra, në përgjithësi është shtuar heshtja për fëmijët.

Mjafton të shikojmë buxhetet bashkiake për fëmijët. Askush nuk di të përgjigjet. Komisione shtetërore dhe organizma shtetërorë ekzistojnë, madje kemi dhe Komision parlamentar të posaçëm, po vetëm si organe që paguhen nga buxheti. Premtime janë bërë, po pak janë mbajtur: fëmijët romë e ndiejnë, fëmijët minatorë e ndiejnë, fëmijët e të përndjekurve e ndiejnë, fëmijët me aftësi të veçanta (ata që dikur quheshin me aftësi të kufizuara) e ndiejnë, fëmijët e ngujuar e ndiejnë.

Dhe meqë ra fjala te fëmijët e ngujuar, çfarë ndodhi me atë nismën e ish-ministres së Arsimit? Apo u la në mes, si çdo gjë tjetër në këtë vend? Elita intelektuale shqiptare ende nuk e ka kuptuar. Edhe pse shumë çmime kinematografike apo shumë tituj dokumentarësh i janë kushtuar kësaj plage, përsëri Shteti, me SH, ende nuk po ndërhyn siç duhet. Të vjen çudi, sepse nisma është dhe nuk po përkrahet. Nëse mund të kishte një pikë të vetme ku palët politike të bashkoheshin, mund të ishte çështja e fëmijëve të ngujuar. Po ajo ofron vetëm lot krokodili parlamentarë, po jo zgjidhje konkrete dhe të prekshme. Fëmijët ende janë aty, brenda, në pritje të revolucionit mendor të shqiptarëve. Le që kot kërkojmë pajtim, këta politikanët tanë po na ngujojnë të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël, me politikat e tyre antishqiptare, ose po na largojnë.

Në Shqipëri ndodh paradoksi më i madh në botë. Jemi njerëzit që më shumë bëjmë për fëmijët dhe populli që urren më shumë fëmijërinë. Duam fëmijët tanë po jo fëmijët e të tjerëve. Fëmijët e sotëm shqiptarë rriten pa fëmijëri. Ata nuk kanë të drejtë të kenë hapësirat e tyre. Poshtë pallateve ka vend sa për të parkuar një Smart apo një biçikletë, por nuk mund të parkosh asnjë ëndërr fëmije. Si ka mundësi që shqiptarët u vodhën fëmijëve të tyre shansin për të pasur mjedise, duke vjedhur çdo truall që ishte paracaktuar për kënd lojërash, apo duke vjedhur çdo lulishte a park? Dhe kjo është bërë me dijeni të plotë të shtetit, që është shteti më armiqësor me fëmijët. Dhe nëse më përmendni Bashkinë Tiranë, që diçka ka bërë vërtet, unë do ju përmend 7 Xhuxhat e gjysmuar, jo si shenjë mohimi, por si shenjë mospajtimi.

Ku takohen sot fëmijët shqiptarë? Një pjesë e tyre takohen në lokalet tërë tym duhani (u kthye prapë tymi), ku nënat e çnatyruara, me cigare të gjata nëpër gishtat e lyer për merak, për të mos hequr dorë nga dozat e drogës-kafe dhe dozat e drogës-thashethem, pra nga zakonet e tyre bastarde, u mësojnë fëmijëve se çfarë është tirania prindërore, që pa dalë nga veza, qysh në bark madje. Fëmijët takohen në zyrat e pushtetarëve të lartë të shtetit, që ua hapin susamin, sa për t’u krijuar fëmijëve një realitet edhe më virtual, një realitet që kur të rriten do ta kuptojnë më së miri. Një vizitë në labirintet e politikës dhe le të pirdhen, ata dhe prindërit e tyre tërë kërkesa. Janë pikërisht këta pushtetarë që nuk bëjnë asnjë politikë për këta fëmijë, po thjesht mendojnë se kanë bërë gjëra titanike për ta. Po harrojnë se Titaniku përfundoi pa lavdi në fund të detit. Ashtu si ëndrrat e fëmijëve.

Po, ne kemi fatin e keq të kemi shtetin më armiqësor në botë kundër fëmijëve. Jo se shteti nuk punon. Shteti punon, po përgjithësisht për fëmijët në nevojë: jetimët, lypësit, fëmijët e dhunuar, të trafikuar, me pamundësi fizike etj. (Çudi që sa më shumë punohet për ta, aq më shumë shtohen ata dhe aq më keq janë – po kjo është çështje tjetër). Po, për gjithë pjesën tjetër të ajsbergut që qëndron nën ujë, përse nuk kujdeset shteti. E zëmë se janë 100 mijë fëmijë me probleme. Po për 1 milion fëmijë të tjerë kush kujdeset? Çfarë bëhet me këta fëmijë? Përse këta nuk e ndiejnë dorën e shtetit?

Jemi një vend ku fëmija që mëson shihet si poliagjent i superfuqive, ku fëmijët rrihen si qeni në duhan, ku të miturit përdoren për prostitucion, ku një fëmijë kushton më pak se sa një tabelë rrugore përpara shkollës. Fëmijët duhet të lodrojnë, po rrugët të terrorizojnë. Dhe fëmijët mund t’i mësojmë më mirë të zbatojnë rregullat e qarkullimit, se sa të rriturit e dalë duarsh. Ne në emër të tyre vjedhim, për ta rrëmbejmë, që ata të kenë çdo gjë të mundshme: që nga mercedesët luksozë te celularët superluksozë, kutitë magjike me lojëra vrastare, e kështu me radhë.

Me kaq e mbyllim këtë shkrim të parë, sepse triptiku vazhdon. Në këtë shkrim bëmë atë që kemi theksuar dhe herë tjetër: pickuam. Kemi vite që e bëjmë. Gjithsesi, është e mundur të japim më shumë shpresë, të ngremë më shumë institucione të posaçme kujdesi, t’i nxitim më shumë fëmijët, t’i dëgjojmë më shumë, dhe sidomos, ta festojmë 1 Qershorin edhe në datën 2, 3, e në vijim, sepse festa e vërtetë është puna e vërtetë për ta.


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas