Misteri i rrëzimit të 40 avionëve anglo-amerikanë dhe fati i 200 ushtarakëve. Aleatët kërkuan bashkimin e LANÇ-it me Legalitetin
Historia më e mirë e më besueshme është ajo që vjen nëpërmjet fotove. Edhe nëse nuk di asnjë fjalë për rolin e forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore, fotoja e zbarkimit të tyre në Normandi nuk mund të të shlyhet nga kujtesa.
Një synim të ngjashëm kishte dhe ekspozita e hapur dje në Universitetin Europian të Tiranës nga gazetari Dashnor Kaloçi, ku fotot flisnin më shumë se çdo libër historie që u është ngulitur në kokë deri më sot shqiptarëve për Luftën e Dytë Botërore dhe pikërisht për rolin e aleatëve anglo-amerikanë në Shqipëri në atë kohë.
Fotot ku ushtarakët britanikë përfaqësues të UNRRA-s shfaqen pranë Enver Hoxhës dhe kjo foto daton dy vite pas çlirimit të vendit, më 1946-ën. Roli i anglo-amerikanëve për dy vite në vendin tonë është fshirë nga historia e propagandës komuniste, ndërsa edhe sot pas 24 viteve të rrëzimit të sistemit, kjo histori vazhdon të jetë në hije dhe e panjohur.
Gazetari Dashnor Kaloçi tha dje në ceremoninë e hapjes së ekspozitës se “kjo ekspozitë nuk është në kuadër të mbarimit të luftës, pra 29 nëntorit, por në kuadër të 68-vjetorit të përvjetorit të largimit të anglo-amerikanëve nga Shqipëria, më saktë më 17 nëntor të vitit 1946, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës largoi misionin e tyre që kishte dy vjet që sillte ndihma në Shqipëri”.
Sipas tij, “jo pa qëllim këtu në disa foto kemi zgjedhur misionet anglo-amerikane që janë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës, sepse kanë qenë këta që janë mohuar nga propaganda dhe historia zyrtare e para viteve ‘90, e cila e ka mohuar ekzistencën dhe rolin e tyre”.
Ekspozita u vlerësua dhe nga historiani, Prof.Dr. Luigj Gurakuqi, pedagog në UET, i cili theksoi se duhet rishkruar dhe duhet njohur jo vetëm roli i anglo-amerikanëve në Shqipëri, por dhe fakti që ata mbështetën njësoj të gjitha lëvizjet për çlirim në vend, si atë Nacionalçlirimtare, po ashtu dhe atë të Abaz Kupit të Legalitetit, dhe kishin synim që ti’ bashkonin të gjitha lëvizjet e shqiptarëve në synimin e përbashkët antifashist.
Misteri i 40 avionëve të rrëzuar dhe fati i 200 ushtarakëve
Gazetari Dashnor Kaloçi, përveç fotove që sillnin tablonë e misionit anglo-amerikan në Shqipëri gjatë kësaj periudhë, kishte sjellë edhe pamje filmike, si dhe dokumente të rralla të kohës. Ai tha se “dokumentet që shfaqim sot, flasin për 40 avionë anglo-amerikanë të rrëzuar në vendin tonë. Janë mbi 60 anglo-amerikanë të humbur, të cilët edhe sot e kësaj dite kërkohen që t’u gjendet varri. Gjithashtu janë mbi 160 ushtarakë të tjerë të kapur rob, që u janë dorëzuar gjermanëve”.
Këta avionë ishin ngritur mbi qiellin shqiptar për të bombarduar forcat gjermane.
“Nga jugu në veri janë rrëzuar plot 40 avionë luftarakë të aleatëve anglo-amerikanë, të cilët ishin në inkursione luftarake duke bombarduar forcat gjermane. Në këto 40 dokumente jepen të dhëna të hollësishme për emrat e pilotëve, gradat e tyre, vendi, data dhe orë kur janë rrëzuar.Po kështu, aty jepen detaje edhe mbi fatin tragjik të pilotëve dhe ushtarakëve anglo-amerikanë, ku pjesa më e madhe e tyre janë djegur bashkë me avionin, një pjesë tjetër figuron të jenë hedhur me parashuta dhe pothuaj të gjithë janë kapur nga forcat e xhandarmërisë vendase apo ushtria gjermane. Pra, në këto dokumente bëhet e ditur për rreth 200 ushtarakë anglo-amerikanë të vrarë dhe të kapur rob nga gjermanët. Dhe në këto dokumente që sapo citova, ka një vërtetësi absolute, gjë e cila është padyshim meritë e administratës së asaj kohe”, sqaron Kaloçi mbi këtë çështje.
UET mbështeti ekspozitën dhe kurimin e saj dhe për këtë mori vlerësimin dhe falenderimin e gazetarit Kaloçi, i cili shprehu keqardhjen që kjo ekspozitë nuk gjeti mbështetje nga institucionet zyrtare të historisë në vend.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është që të sjellë rolin e mohuar të anglo-amerikanëve, dokumente që s’kanë dalë para viteve ’90, por dhe më pas historiografia e tanishme dhe politika nuk kanë treguar vëmendje”, tha ai.
Rishkrimi i historisë
Është një histori e pashkruar ose e treguar keq, e treguar sipas interesave të një regjimi diktatorial, dhe më pas e lënë në harresë. Bilal Kola, Drejtor i Institutit të të Përndjekurve Politikë, thotë se ushtarakët britanikë që shërbyen në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë vdekur me pengje të mëdha, pasi kontributi i tyre nuk u kuptua dhe nuk u vlerësua asnjëherë ashtu siç duhet nga shqiptarët dhe Shqipëria.
“Asistenca britanike dhe ndihma britanike, qoftë në këndvështrim të trajnimit dhe nga pikëpamja logjistike ka qenë një përbërës, pa të cilin nuk mund të gatuhej dot lufta e shqiptarëve. Nuk mund të diferencohet lufta që kanë bërë partizanët, forcat nacionaliste, kryesisht ato të Legalitetit”.
Më tej Kola tha se “për sa i përket historisë, atë e shkruajnë fitimtarët dhe fitimtari i luftës në vitin 1944 ishte një kasap brutal, kështu që edhe shkrimi i historisë nga ai nuk mund të ishte përveçse brutal”.
Sipas Kolës, “ushtarakët britanikë kanë ndarë shumë kujtime personale dhe makropolitike dhe e vërteta është se misionarët britanikë bënë të pamundurën që të kishin një përfaqësim tek komunistët, ku u pa qartë se po tentohej një diktaturë, nuk gjetën të njëjtën përgjigje që gjetëm tek Greqia për ndihmën që Britania u dha atyre. Ata vdiqën me pengje ndaj Shqipërisë, pasi nuk u kuptua asnjëherë pozitivisht ajo që ata bënë”.