Kryesore

Pse Endri Fuga është më i rëndësishëm për qeverinë se Shkëlqim Cani?








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:42 - 24/11/18 |
mapo.al

Nga Klementin Mile


Nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë, thoshte Herakliti, filozofi i shquar i antikitetit grek. Gjithçka në botë është në ndryshim të vazhdueshëm, asnjëherë nuk mund të përballesh me të njëjtën gjë. A nuk është e tillë edhe përvoja jonë me qeverinë Rama? Fushata kundër lojrave të fatit, fushata kundër kriminalitetit, fushata kundër kanabisit, fushata për pastrimin e ambientit, fushata për vendosjen e kasave fiskale, prapë fushata kundër lojrave të fatit etj etj… shkurt, një qeverisje me fushata.


Problemi i qeverisjes me fushata është se nuk e dimë më ç’lloj qeverie është ajo që po na qeveris. Qeveria i ndryshon trajtat ideologjike dhe nuk e ka aspak problem të kapërcejë ylberin nga njëra fushatë në tjetrën. Ashtu sikurse nuk mund të lahemi dy herë në të njëjtin lumë, nuk arrijmë të përballemi me të njëjtën qeveri. Banorët e Astirit po e shohin këtë gjë më qartë se të tjerët. Para disa vitesh kjo qeveri u premtoi legalizim, ndërkohë që tani po tërhiqet prej premtimit, madje po mohon që ta ketë bërë ndonjëherë atë premtim. Lumi qeveritar, me sa duket, ka kaluar nëpër të tjera ujëra dhe banorët e Astirit nuk po e njohin më.



Por qeverisja me fushata ka edhe probleme të tjera. Ajo e vendos qeverinë në pozicion reagues, duke pritur vazhdimisht që gjendja të rëndohet që pastaj të ndërhyjë. Por rëndimi i gjendjes jo vetëm që ka sjellë dëme të mëdha për shoqërinë, siç është rasti i tolerimit të fenomeneve si kriminaliteti, informaliteti, ndotja dhe bixhozi, por, duke qenë kaq i vonuar, edhe e bën gati të pamundur ndërhyrjen efektive. Gjithashtu qeverisja me fushata dëshmon për një vizion politik të fragmentuar, ashtu si ajo pasqyra e thyer që na tregon vetëm disa pjesë të figurës sonë, madje edhe ato të deformuara. Qeverisja me fushata është dritëshkurtër. Ajo mund të shërbejë për të bërë lajm në media, por nuk arrin t’i përqendrojë energjitë në zgjidhjen efektive të ndonjë problemi. Rasti më qesharak është ai i lojërave të fatit, për të cilat, pas dështimit të fushatës së parë, po organizohet një fushatë e dytë. Të dyja fushatat, megjithatë, kanë qenë sukses mediatik.


Ndoshta kjo e shpjegon qeverisjen me fushata të Ramës. Për të qenë e pranishme për publikun, i cili në demokraci është Zoti që vendos se kush do e ketë pushtetin, qeverisja duhet të ndjekë logjikën e medias. Prandaj, në vend të adresimit rrënjësor të problemeve, çka kërkon durim, analizë të thelluar, procese të ftohta dhe aspak spektakolare ligjbërjeje, qeveria zgjedh t’i trajtojë problemet për aq sa mund të bëhen pjesë e kronikës mediatike, shkurt, sipërfaqshëm, pa u futur në thellësitë e errëta të kompleksitetit të çështjeve.


Natyrisht, qeverisje me fushata pritej përderisa nuk u dha asnjë premtim gjatë fushatës elektorale. Këto fushata të qeverisjes duket të jenë një lloj kompensimi për faktin që vizioni qeverisës mungoi tërësisht në fushatë. Tepsia, timoni, kazani, skrapi nuk janë nocione politike dhe aq më pak mund të përdoren për të zhvilluar procese normale të sistemit politik, të tilla që do të lidhnin kërkesat dhe mbështetjen e popullit të qeverisur me vendimet dhe veprimet e qeverisë.

Qeverisja me fushata dëshmon që tashmë kemi të bëjmë me një politikë spektakli. Le të kujtojmë që kundërshtari i madh filozofik i Heraklitit në antikitet, Parmenidi, thoshte se, në fakt, nuk ndryshonte asgjë. Në këtë këndvështrim, fushatat qeveritare nuk janë veçse një fushatë e vetme permanente. Ato janë në përputhje me tezat e komunikimit politik, të cilat i rekomandojnë qeverisë të nisë fushatën sapo e merr pushtetin dhe të mos e ndalojë atë gjatë qeverisjes deri sa të vijnë zgjedhjet e ardhshme. Kështu qeverisja bëhet fushatë, logjika e veprimit politik shndërrohet në logjikë të lajmit mediatik dhe vizioni i lë vendin spektaklit. Prandaj Endri Fuga është shumë herë më i rëndësishëm për qeverinë se Shkëlqim Cani. Të gjithë e kanë parasysh Endrin, strategun mediatik të kryeministrit, madje vetë Rama e përmend sa herë i bie rasti, “nuk më lë Endri”, “ç’t’i bëj Endrit”, por thuajse të gjithë e kanë harruar shkëlqimin e shkurtër të ish-ministrit të financave Cani. Është spektakli, budalla!

*Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos


Etiketa: , , ,

Pas