Publikimi që i bëri dje Zëri i Amerikës dosjes së përgjimeve ku dalin lidhjet e krimit me pushtetin, marrjet dhe dhëniet, blerja e votës nga bandat për interesin e mazhorancës dhe kthimi i favoreve ndaj tyre në forma të ndryshme, mpiu krejt opinionin publik.
Përmasat e skandalit doli se ishin shumë të mëdhaja, ndërkohë që ka ende dhjetëra CD me përgjime që nuk janë zbardhur.
Po ndërsa e gjithë media, portalet, u elektrizuan mbrëmë, pas orës 18 e 20, kur VOA lëshoi bombat, ishte politika që heshti. Një heshtje totale.
Më së shumti pritej që opozita të dilte e të ngrinte zërin, pasi shërbimi i Uashingtonit i jepte të drejtë kauzës së tyre dhe një argument më shumë për tezën që kanë shpalosur për zgjedhje të reja, pa lidhje me krimin.
Vetëm një gjysëm reagimi në FB, s’mund të quhet qendrim. Besohet se nuk pati dje një dalje në publik nga Opozita, pasi do të ketë vendosur që beteja për këtë skandal të zhvillohet sot në Kuvend, me idenë se do t’i jepte më shumë mundësi PD-se e do vinte më kollaj me shpatulla pas murit Ramën e qeverinë, që priten të jenë sot prezent në seancen plenare.
Heshtja nga ana e qeverisë mbrëmë është më e kuptueshme. Eshte shumë e vështirë të mbrohesh pas asaj që u publikua. Me siguri, orët që mbetën deri në fillim të seancës po zhfrytëzohen per të gjetur talkin point, si të reagohet pas sulmit që do bëjë sot opozita.
Për ironi, dje doli një lajm sikur Rama priste një telefonatë nga Shtëpia e Bardhë, ndërkohë që nga Uashingtoni mbërriti një tjetër kumt, por prej Zërit të Amerikës, dhe mjaft i hidhur.
Seanca e sotme parlamentare do të jetë një përplasje e fortë.
Edhe më tej, emisionet e darkës në të enjten e fortë të debateve pritet të kenë si temë pikërisht bombën që plasi mbrëmë në VOA.
Investigimi që trazoi një vend: Krimi i organizuar bleu votat