fbpx

Aktualitet

Pse jemi në situatë të vështirë ekonomike? Flasin ekspertët





               Publikuar në : 09:25 - 09/11/19 |
Adi Darsi

Problemet me buxhetin e shtetit 2019 dhe parashikimet pesimiste për programin buxhetor të vitit 2020. Ndikimi i ngadalësimit të ekonomisë në të ardhurat fiskale duke kushtëzuar shkurtimin e investimeve. Rëndesa e jashtëzakonshme me pagesat për koncesionet. Ku duhen ndërhyrje për të tejkaluar situatën e vështirë. Flasin për MAPO-n: Zef Preçi, Pano Soko dhe Gjergj Erebara.

***


Në një fshat të Klosit këto ditë, një grup nxënësish kishin frikë prej ujkut, që të shkonin në shkollë pasdite. Parë nga ekranet e Tiranës duket si një histori e zakonshme e një zone të thellë malore. Një lajm që shet. Banorët që jetojnë atje dhe ata që e njohin Klosin, në vijë ajrore vetëm 30 kilometra larg Tiranës, e dinë mirë se kjo është një plagë tjetër, shumë më e thellë se aq. Në 7 fshatra të asaj Bashkie këto 20 vite janë ndërtuar ose rikonstruktuar thellësisht 7 shkolla të reja. Pa llogaritur klasat e shkollave anekse të ndërtuara në disa fshatra më të vogla, tashmë të mbyllura, kapaciteti i tyre është për rreth 2000 nxënës.



Të gjitha fshatrat e marra bashkë aktualisht nuk kanë më shumë se 200 nxënës. Pra, 10 për qind e kapacitetit. Për të cilët deri tani janë paguar mësues sikur klasat të ishin plot. Mirëpo, do kishte një fund.


Njëra prej shkollave është mbyllur përfundimisht. Rrugë pa rrugë, (paratë e shpenzuara për shkollë shumë mirë mund të kishin shkuar për asfaltimin e rrugës) fëmijët duhet që pasdite të zbresin në qytetin Klos. Shkolla e fshatit rri bosh. Milionat e buxhetit kanë shkuar dëm dhe jo aty ku duhej. Si Klosi është pothuajse e gjithë Shqipëria.

2.

Anila Denaj këta dy muaj është më në hall se kurrë. Sot ajo e çoi në Kuvend buxhetin 2020. Tani do t’i duhet të përballet në komisionet parlamentare me taboret e deputetëve të cilët kërkojnë kush e kush më shumë nga paratë publike. Kjo është gjysma e shqetësimit.

Ndërkohë asaj po i rrëshqet toka nën këmbë. Buxheti i këtij viti nuk mjafton për shumë gjëra, për rritje pensionesh apo shpërblime në fund të vitit nuk bëhet fjalë më. Deficiti shqetësues në të ardhura bëri që buxheti të rishikohej me ulje. Ekonomia nuk po ecën sipas parashikimeve dhe sigurisht tatimet e doganat janë gropë. Statistikat tregojnë se për periudhën janar-shtator të ardhurat në buxhet ishin rreth 7.9 miliardë lekë më pak se plani.

Shto edhe keqadministrimin që është një sëmundje më vete dhe që vetëm sa i rrit borxhet. Sipas KLSH në fund të vitit të kaluar, borxhet e prapambetura të shtetit përfshirë ato të bashkive arritën në 42 miliardë lekë ose rreth 340 milionë euro. “Shqetësimi i borxheve të prapambetura është i të gjithëve, edhe i Ministrisë së Financave. Në këtë vit kemi projektuar në buxhet 19 miliardë lekë dhe kjo shifër nuk do të preket nga ecuria e të ardhurave. Për vitin tjetër do të shlyejmë edhe më shumë detyrime të prapambetura”, tha Denaj në fund të muajit tetor. Por…

3.

Kur në buxhet mungojnë paratë, më së pari e pësojnë investimet. Kështu ndodhi vetëm katër ditë më parë me rishikimin buxhetor. Ndërkohë sipas projektbuxhetit 2020, vitin që vjen investimet publike ulen në 83.7 miliardë lekë nga 88.8 miliardë që është shifra e programuar për këtë vit.

Kështu investimet publike bien në 4.7 për qind nga 5.2 për qind që është programuar për këtë vit. Tabelat e projektbuxhetit tregojnë se ulja me 5 miliardë lekë ose mbi 40 milionë euro e investimeve publike do të prekë thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Por në raport me buxhetin e këtij viti, shkurtimin më të madh të shpenzimeve kapitale e pëson sektori i mbrojtjes, ku qeveria vitin e ardhshëm do të investojë 6 milionë euro më pak. Investimet e qeverisë në arsim janë shkurtuar me 2 milionë euro, ndërsa ato në shëndetësi do të jenë vitin e ardhshëm 1 milion euro më pak nga niveli i programuar i këtij viti.

4.

Është e vërtetë se debati politik për koncesionet mund të ketë doza të forta mungese të sinqeritetit. Por ajo që ka bërë qeverisja e majtë me të ashtuquajturat PPP në këto 6 vite është e pashembullt. Është kthyer në një shqetësim të madh për të gjithë institucionet ndërkombëtare që bëjnë raporte e statistika për Shqipërinë, me në krye FMN e BB. Shifrat nuk lënë vend për shumë komente. Plot 14.6 miliardë lekë (120 milionë euro) është fatura e 2020 për 14 kontratat koncesionare me PPP. 15.8 për qind më shumë se këtë vit që planifikohet të paguhen 12.44 miliardë lekë.

Kryesojnë koncesionet e rrugëve (Rruga e Arbrit), ato të shëndetësisë (në krye me 1.6 miliardë lekëë shtë koncesioni i sterilizimit të pajisjeve mjekësore) e më pas skanimi në dogana.

Mjaftueshëm, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore. Aq shumë është tepruar me koncesionet, sa që tani edhe vetë zyrtarët kanë frikë ta përmendin emrin e tyre.

5.

Buxheti i shtetit i vitit 2020 ka një specifikë krejt të veçantë krahasuar me ata paraardhës. Përveç faktit se ai po hartohet në kushtet e ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik dhe të borive të alarmit për më shumë kujdes nga FMN e institucionet e tjera ndërkombëtare, ai ka fatin të jetë edhe pa oponencë. Opozita e vërtetë nuk është as në Kuvend e as në komisione parlamentare.

Në këto kushte askush nuk do të bëhet pengesë për të ndaluar orekse të pakontrolluara, apo edhe thjesht për të bërë më shumë transparencë për publikun. Të mendosh se opozita e re në Kuvend ka mundësi të përmbushë këtë mision më e pakta do të thotë të mos jesh realist. Sado që fjala e opozitës pak është dëgjuar në këto vite, mungesa e saj e plotë është e rëndë. Buxheti mbetet pa asnjë debat, pa asnjë alternativë, në kushtet kur aty përfshirja në to duhet të jetë sa më e gjerë.

Erik Brynjolfsson dhe Avinash Collis, dy profesorë të ekonomisë në Harvard, të shqetësuar se ekonomia digjitale nuk po matet mirë sugjeronin një model të ri, që politika dhe administrata amerikane të kishin mundësinë të merrnin vendime sa më të drejta dhe afër realitetit ekonomik. A kanë shans profesorët tanë të ekonomisë të sugjerojnë për politikën se si duhet vepruar në këtë rast me planifikimin buxhetor? Jemi shumë larg…

6.

Oligarkia ështënjë lloj pushteti ekonomik. Ngrihet kryesisht mbi pasuritë publike, pse jo edhe mbi paranë e buxhetit. Oligarkët nuk janë militantë partie, që kur dalin në opozitë mblidhen në kafe para selisë. Oligarkia gjithmonë përpiqet të jetë “bipartizane”. Ajo synon vazhdimisht të korruptojë për të siguruar fuqizimin e vet. Në këtë mënyrë as “Denaj” e opozitës që do të vijë nesër në pushtet nuk do ta ketë të lehtë. Te paraja publike presionet janë bërë aq të mëdha, sa çelësat e buxhetit të shtetit janë bërë një patate e nxehtë në dorë. Me shifra të përkeqësuara, të programuara për t’u rënduar më tej, nevoja për reforma të thella është sa ulëritëse aq edhe e vështirë.

7.

Gradualisht, për ditë e nga pak, situata vetëm është përkeqësuar. Pa vizion për zhvillim dhe me mungesë të frikshme eficience.  Keqadministrim dhe korrupsion në nivele të larta. Në Klos fëmijët i tremben ujkut. Në Tiranë ujqërit prej vitesh po e shqyejnë thesin e buxhetit. A po afron kthesa?

***

Pano Soko: Sinjalet janë të qarta, ekonomia është e sëmurë

1. Buxheti 2019 po përballet me probleme të shumta. Sipas jush a është kjo një “kronikë e paralajmëruar”?

Në thelb qëndron ekonomia shqiptare e cila është në kufijtë e stanjacionit. Rritja ekonomike anemike e regjistruar në 2 tremujorët e parë të 2019-ës dhe vijueshmëria e pritshme e saj në nivele të ngjashme, është një sinjal i qartë që ekonomia është sëmurë. Dhe kjo situatë ka pak shanse të ndryshojë dhe në 2020. Pavarësisht parashikimit optimist për efekte marketingu politik, prej 4% të rritjes ekonomike në 2020, nëse shikon parashikimet buxhetore, duket qartë që edhe vetë Qeveria e di që 4%-shi i rritjes është thjesht një iluzion. Dhe për t’i paraprirë të pashmangshmes ajo preferon të projektojë një buxhet konservator. 2019-a ishte një leksion i qartë për qeverinë që ekonomia është një subjekt rigorozisht ekzakt dhe nuk ndikohet nga asgjë përpos numrave. Qeveria e parashikoi rritjen e 2019 në fillim 4.3%, u detyrua ta ulë në 3.4% dhe do ta ulë prapë në fundvit për t’iu përafruar nivelit real prej 2.5-2.6%. E njëjta gjë do t’i ndodhte dhe në 2020, nëse projeksionet e të ardhurave buxhetore do të ishin të fryra. Problemi thelbësor pra është ekonomia e sëmurë.

2. Ngarkesa e buxhetit me koncesione a po impakton te gjithë treguesit e tjerë, përfshirë paga e pensione?

Patjetër që pagesat e koncesioneve janë një litar që po i shtrëngohet gjithnjë e më shumë në fyt financave të vendit. Niveli prej mbi 14 miliardë lekësh të programuara për t’u paguar më 2020, është asfiksues. Ato janë parà aq të nevojshme për shumë fusha të jetës ekonomike të vendit, por që kontratat kushtëzojnë që ato të alokohen në ca fusha që s’prodhojnë asnjë efekt pozitiv për ekonominë. Situata me koncesionet është ende në fillimet e saj. Ajo do të rëndohet më shumë në të ardhmen ku fatura vjetore e tyre të kalojë 20 miliardë lekët. Dhe këto lekë do t’i mungojnë drejtpërdrejt investimeve buxhetore, kësaj hallke kaq të rëndësishme për jetën e ekonomisë.

3. Sa optimiste e shikoni situatën buxhetore 2020?

Nuk është çështje optimizmi tashmë. Ajo që unë shoh është një ekonomi e atrofizuar që detyrimisht do të prodhojë një buxhet të atrofizuar. Dhe që edhe nga ky buxhet i atrofizuar, shkëputen copa të majme që shkojnë për fusha që s’prodhojnë asgjë. Sa optimist mund të jesh në këtë situatë?

4. Çfarë ndërhyrjesh janë të domosdoshme për të tejkaluar këtë situatë të vështirë në financat e shtetit?

Që të rregullohen financat e shtetit duhet rregulluar ekonomia. Që të rregullohet ekonomia duhen krijuar kushtet për rritje ekonomike. Që të krijohen kushtet për rritje duhen thithur investitorë të huaj, duhen stimuluar investitorët vendas dhe duhet rritur konsumi. Që të ndodhin këto të tria duhet mos kesh krizë politike, institucione që ekzistojnë dhe funksionojnë (sidomos gjykata), duhet të luftosh monopolet dhe çdo gjë tjetër që vret konkurrencën, duhet politikë fiskale e stabilizuar që nuk ndryshon çdo vit, aparat shtetëror profesionist dhe jo ryshfetxhinj të rëndomtë agresivë, qytetarë që kanë shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja, minimizim i korrupsionit mbytës dhe politika buxhetore të dobishme dhe jo klienteliste. Dhe që të ndodhin të gjitha këto duhet një klasë politike e përgjegjshme, profesioniste dhe që zgjidhet nga populli, jo nga dy-tre njerëz me interesa dhe për interesat e tyre. Shkurt muhabeti duhet demokraci politike, shtet ligjor dhe konkurrencë e ndershme. Vetëm kur të arrijmë këto të tria mund të shohim ndryshim kursi të ekonomisë. Në të kundërt, do të ecim me hap rreshtor drejt krizave dhe hemorragjisë së njerëzve.

***

Gjergji Erebara: Koncesionet, me pasoja më shumë se ekonomike

1. Buxheti 2019 po përballet me probleme të shumta. Sipas jush a është kjo një “kronikë e paralajmëruar”?

Buxheti po përballet me të njëjtat probleme që përballet buxheti i një qeverie të lodhur, e cila ka kompromentuar rëndë eficiencën e administrimit fiskal duke ofruar ulje të diferencuar për produkte apo sektorë klientelistë, gjë që në instancë finale krijon vrima në sistemin fiskal ku biznesi fiton dhe shteti humbet. Aktualisht Shqipëria është bërë një vend me tre shkallë TVSH-je, të cilat në instancë finale lejojnë apo favorizojnë krijimin e skemave mashtruese. Forca goditëse e autoriteteve ndaj skemave të tilla pengohet nga niveli i biznesit të përfshirë në to. Me pak fjalë, qeveria është e konsumuar nga shumë vite qeverisje dhe nuk ka çfarë të prodhojë më. Vështirësitë ekonomike janë në rritje, inflacioni është i ulët, gjë që sugjeron konsum të ulët dhe volumi i kredive të reja është i paktë. Në tërësi, kombinimi i inflacionit të ulët me rritjen ekonomike të ulët quhet stanjacion. Është një lloj problemi ekonomik ndoshta më i vështirë për t’u zgjidhur se sa recesioni.

2. Ngarkesa e buxhetit me koncesione a po impakton te gjithë treguesit e tjerë, përfshirë paga e pensione?

Koncesionet kanë një efekt të dyfishtë. Përveç që hanë resurset që mund të përdoreshin me eficiencë gjetkë, ato përqendrojnë paranë e paktë në pak duar joproduktive. Të dhënat e buxhetit tregojnë se inceneratori i Fierit ka ngrënë sakaq miliona euro por unë nuk kam dëgjuar të ketë ndodhur ndonjë zhvillim në atë drejtim. Dhe ndërsa miliona eurot përqendrohen në duart e një kompanie me aksionerë të fshehur në Holandë, këto para njëkohësisht hiqen nga ekonomia dhe nga qarkullimi normal ekonomik. Pasojat e kësaj janë më shumë se sa ekonomike. Ato janë sociale. Nëse heq investimet në arsim e shëndetësi për t’i bërë koncesione të kushtueshme dhe pa produkt, ose me produkt të panevojshëm në fund do të kesh një popullsi me shëndet të keq dhe të paarsimuar.

3. Sa optimiste e shikoni situatën buxhetore 2020?

Bërja e parashikimeve për ekonominë shqiptare është tashmë më e vështirë se sa në të shkuarën. Në përgjithësi plani i buxhetit 2020 është i përmbajtur në parashikimin e të ardhurave, gjë që pakëson rrezikun e ndonjë tronditjeje. Dhe pavarësisht se sa koncesione po jep qeveria, për vitin e ardhshëm dy koncesione të mëdha, rruga Milot-Balldren dhe ajo e Dukatit kanë aspak ose pak fonde në dispozicion. Mbi të gjitha, aftësia e shtetit për të marrë hua jo vetëm që nuk është prekur nga gjendja e financave, por përkundrazi është përmirësuar. Volumi relativisht i lartë i kërkesës për tituj borxhi i lejon qeverisë të respektojë deficitin buxhetor pa shumë mund.

4. Çfarë ndërhyrjesh janë të domosdoshme për të tejkaluar këtë situatë të vështirë në financat e shtetit?

Problemi kryesor në krahun e të ardhurave buxhetore lidhet me vrimat fiskale të hapura përmes skemave me TVSH me shkallë 6, 10 dhe 20% si dhe, në një masë më të vogël por nga pikëpamja sociale të rëndësishme, në tatimin e biznesit të vogël. Nëse mbani mend, Rama hoqi taksën e biznesit të vogël më 2013 në emër të përmirësimit të klimës së biznesit. Në fakt ajo që ndodhi ishte krijimi i një vrime që shfrytëzohet nga mjekë apo profesionistë të ndryshëm për të paguar një minimum sigurimesh shoqërore e shëndetësore për të ardhura deri në 2 milionë lekë. Por skema kryesore lidhet me TVSH-në 6% në shitje (dhe 20% në blerje) për disa produkte e shërbime, skemë që ka krijuar hapësirë për evazion fiskal. Në krahun e shpenzimeve, vështirë se mund të shpresohet në ndonjë farë mënyre për përmirësim. Nuk mundesh të presësh që tenderët të bëhen me korrektesë dhe prokurimet të bëhen për punë reale dhe të nevojshme për qytetarët. Vendi do të vijojë të shpenzojë në ajër për fasada e beton, vlera e të cilave në ekonomi është negative.

***

Zef  Preçi: Buxheti 2020 nuk u përgjigjet sfidave të ekonomisë kombëtare

1. Buxheti 2019 po përballet me probleme të shumta. Sipas jush a është kjo një “kronikë e paralajmëruar”?

Problemet me të cilat ndeshet buxheti nuk janë as të reja dhe as të panjohura. Mjafton një lexim i shpejtë i raporteve periodike të institucionit kushtetues suprem tëauditit (KLSH) për të kuptuar “sëmundjet” nga të cilat vuan sistemi ynë fiskal dhe përse kemi këtëperformancë të ulët të ekonomisë sonë kombëtare në tërësi. Ndërkaq, probleme të tilla si mbledhshmëria e ulët e taksave në krahasim me vendet e rajonit duhen parë sa në dështimet e politikat e gabuara të ndjekura gjatë viteve të fundit (anti-informaliteti, përshkallëzimi i pastudiuar i pagesës së TVSH-së, shtrirja gati epidemike e PPP-ve etj.), aq edhe në ndikimin e faktorëve rrënues joekonomikë, siçështë qarkullimi në shkallë të gjerë i parave të pista që burojnë nga aktivitetet kriminale (droga, trafiqet etj.). Është pikërisht ky grup faktorësh që kanëçuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike, për rrjedhojë në zvogëlimin e investimeve me të gjithë pasojat që sjell ky fenomen. Në këtë kuptim, situata e sotme buxhetore e vendit është një “kronikë e paralajmëruar”…

2. Ngarkesa e buxhetit me koncesione a po impakton te gjithë treguesit e tjerë, përfshirë paga e pensione?

Edhe pse zyrtarisht Ministria e Financave deklaron se në parashikimet e buxhetit për vitin 2020 do të respektohet rregulli fiskal respektiv për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare edhe/ose PPP, përsëri vihet re qartë se këto përbëjnë një barrë të rëndë për shtetin, mbeten bizneset me normën më të lartë të fitimit dhe me risk zero (shteti nuk falimenton dhe kontratat e operatorëve ekonomikë me të janë të garantuara) për klientët e qeverisë, si dhe përbëjnë mekanizmin më vrastar tëkonkurrencës së lirë. Për rrjedhojë, efektet e këtyre kontratave do të ndihen edhe për disa dekada dhe përdorimi i Kuvendit të Shqipërisë dhe vendimmarrjes kolegjiale të vetë qeverisë si “notere” për këto kontrata/afera dëshmon se jo vetëm po “blindohen” juridikisht ato, por edhe de facto po amnistohen vendimmarrësit e tyre, duke u bërë “untouchable” edhe për SPAK-un apo organet e reja të drejtësisë në vend, edhe sikur këto të fundit të ishin vetë laboratori i “drejtësisë së kulluar”. Nuk po flas për praninë e gjerë dhe në rritje të kompanive off-shore dhe interesat okultë dhe korruptivë me dyshim të bazuar për shkelje ligjore e procedurale. Për të gjithë këto arsye, burimet financiare të krijuara nga kontributet e taksapaguesve dhe bizneseve po destinohen dhe do të destinohen edhe për disa dekada në xhepat e oligarkëve, apo të sipërmarrësve të pasuruar duke grabitur “me ligj” arkën e shtetit…

Për rrjedhojë, përherë e më shumë, qeveritë shqiptare po shndërrohennë llogaritare të këtyre të fundit (oligarkëve), d.m.th. në një aparat represiv që mbledh tatim-taksat nga qytetarët që varfërohen përditë dhe bizneset e vogla dhe të mesme që mezi mbijetojnë për të pasuruar një grusht pasanikësh që sigurojnë fitime maksimale dhe ushqejnë korrupsionin, pengojnë ngritjen e sistemit të drejtësisë, bashkëjetojnë në simbiozë me sistemin politik të deformuar dhe krimin e organizuar. Për të gjykuar për pritshmëritë që sjell buxheti i një viti fiskal, mund të përdorim edhe një optikë tjetër. E kam fjalën për listimin e disa sfidave kryesore të ekonomisë sonë kombëtare dhe pastaj për të gjykuar nëse ndonjëra prej tyre merr ndonjë përgjigje, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga ky plan i qeverise për vitin 2020. Sfida të tilla mendoj se janë: ezaurimi i faktorëve ekstensive të rritjes ekonomike; shfrytëzimi ende minimal i potencialeve që ofron ekonomia jonë kombëtare në degë të tilla si bujqësia dhe turizmi; rritja e prodhimit vendas dhe shtimi i aftësive konkurruese të kësaj ekonomie në rajon dhe në vendet e BE-së; rritja e shkallës së përpunimit në vend të lëndëve të para bujqësore, minerare etj., për të siguruar një furnizim më të mirë cilësisht dhe me kosto të ulët të tregut të brendshëm dhe për të rritur volumet e eksporteve shqiptare; rritja e mundësive të punësimit brenda vendit, sidomos tëtë rinjve si dhe përmirësimi i aftësive profesionale të personelit, menaxherial dhe tëtë punësuarve nëçdo fushë të veprimtarisë sipërmarrëse etj.Nëse disa apo të gjitha këto dhe të tjera si këto janë sfida për ekonominë tonë kombëtare, për fat të keq, në dokumentin e draft-buxhetit të shtetit për vitin 2020, ato nuk marrin përgjigjen e duhur.

Ndokush mund të thotë se kjo ekonomi është në pjesën më të madhe të saj private, dhe se është tregu që i rregullon nevojat dhe zgjidh sfidat e saj. Siç tregon edhe përvoja e transformimit të ekonomive të centralizuara gjatë tri dekadave të fundit, kjo është e vërtetë nëse sistemi kushtetues dhe juridik në vend garantojnë lirinë e tregut, mundësojnë zbatimin në tërësi të ligjit dhe japin një siguri juridike të kënaqshme të pronës, ndërsa burimet buxhetore përdoren për të mbuluar nevojat e përbashkëta bazë të shoqërisë në arsim, shëndetësi, mbrojtjen e vendit, diplomaci etj.I përmenda këto sfida, për të tërhequr vëmendjen në faktin se siçështë arsimimi sot, është novacioni dhe konkurrenca nesër; siçështë politika e pagave dhe e pensioneve sot, është frenimi i braktisjes së vendit dhe statusi i “moshës së tretë” nesër etj. D.m.th., në vartësi me vizionin e qeverisë dhe motivimin ose jo nga interesat publikë të saj, roli i buxhetit të shtetit është shumë i madh në nxitjen e përparimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, apo në krijimin dhe thellimin e pabarazisë sociale, moszhvillimit, favorizimit dhe klientelizmit politik, korrupsionit etj.Në një terren më konkret, mungesa e një politike të konsoliduar pagash dhe pensionesh, që përfshin një sistem pagash eficient dhe transparent në sektorin publik, indeksimin e detyrueshëm të pagave në sektorin publik dhe atë privat për efekt të inflacionit, njohjen dhe përcaktimin e minimumit jetik dhe ndërveprimit të tij me pagën minimale dhe pensionin minimal, mbështetjen buxhetore për formimin dhe reformimin profesional, stimulimin e arsimimit në degët/profesionet e konsideruara si “të vështira” apo për të cilat do të ketë interes në periudhat që vijnë, përbëjnë mangësi serioze të këtij projekt-buxheti. Po kaq problematike mendoj se është edhe politika e bllokimit të rritjes së pagave në sektorin publik dhe rritja “me pikatore” vetëm në prag zgjedhjesh apo për segmente të diskutueshme të caktuara të këtij sektori, të lidhura më shumë me ushtrimin dhe mbajtjen e pushtetit dhe jo aq me ofrimin e shërbimeve publike bazë (policia etj.).Është koha që ligjbërësit dhe vendimmarrësit të kuptojnë se mungesa e rritjes sistematike të pagave prej dekadash në sektorin publik ka bërë që shumica e punëdhënësve të rrisë intensitetin në punë mbi të punësuarit duke çuar në përkeqësimin e statusit social-ekonomik të tyre. Po kështu, edhe shërbimet publike bazë duket se janë përkeqësuar dukshëm edhe për shkak të korrupsionit galopant që sundon në menaxhimin e fondeve publike.

3. Sa optimiste e shikoni situatën buxhetore 2020?

Në fakt, përveç një përsëritjeje të dobët gjatë vitit 2020 të vitit paraardhës në aspektin fiskal, nuk besoj se ka shumë vend për optimizëm. Kjo lidhet me klimën e pafavorshme të investimeve dhe mungesën e investimeve të reja nga vendet e BE-së, me shtimin epresionit për rritjen e taksave, me përkeqësimin e situatës buxhetore të pushtetit vendor dhe shërbimevepublike (ujë, energji, etj.).Ndërkaq, sipas gjykimit tim janë të gjitha gjasat për mundësinë që 2020 të jetë edhe një vit elektoral, gjëqënuk mund të mos ndikojë më tej negativisht në treguesit bazë tëperformancës së financave publike si p.sh. kryerjen e prokurimeve publike me vleftën e plotë apo disavjeçare, përzgjedhjen klienteliste dhe korruptive të operatorëve ekonomikë që ofrojnë mallra dhe shërbime publike, kryerjen e investimeve publike ineficiente, të panevojshme apo që nuk janëprioritare për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit etj. Kjo situatë rrezikon tëçojë në mosrealizimin e theksuar tëtë ardhurave buxhetore, në mbajtjen e një niveli të lartë të evazionit fiskal, në shtrëngimin e qeverisë për të shkurtuar investimet publike në kushtet kur detyrimet e kontraktuara të PPP-ve pritet të rriten dhe janë të garantuara etj.

4. Çfarë ndërhyrjesh janë të domosdoshme për të tejkaluar këtë situatë të vështirë në financat e shtetit?

Është vështirë të japësh këshilla në kufijtë e një interviste… Pavarësisht kësaj, mendoj se rezerva kryesore për futjen e vendit në binarët e rritjes ekonomike të qëndrueshme drejt rritjes së dëshiruar dyshifrore mbetet përmirësimi i klimës së biznesit. Nga ana e saj, përmirësimi i klimës së biznesit lidhet me garantimin juridik të investimeve, zgjidhjen e çështjeve të pronës mbi tokën dhe trojet, me garantimin e përmbushjes së detyrimevekontraktuale, me kthimin e besimit për mundësitë e zhvillimit të vendit me qëllim që të zgjerohet kreditimi i ekonomisë reale, me shtimin e investimeve publike dhe private në fushën e edukimit dhe të formimit profesional, me fuqizimin e infrastrukturës bazë të nevojshme për të bërë biznes etj.Kuptohet se po kaq të rëndësishëm janë edhe faktorët që lidhen me krijimin e mundësive të punësimit në vend dhe rikthimin e besimit për të frenuar braktisjen e tij. Kjo sepse numri i konsumatorëve dhe fuqia blerëse e tyre mbeten në bazë të projeksioneve të investimeve etj.

D.m.th. kudo ku buxheti i shtetit “takohet” me faktorë të tillë mund të ndikojë në përdorimin më efektiv të burimeve financiare të vetat dhe të huajtura në dispozicion, pa lënë mënjanë edhe reforma të tjera tëlidhura me rolin e qeverisësiçështë reformimi i administratës publike për të mundësuar depolitizimin, rritjen e kapaciteteve dhe të ekspertizës së saj, si dhe rritjen e garancive juridikepër funksionimin sipas ligjit të kësaj administrate.Nga pikëpamja e përparësive, mendoj se qeveria duhet tëheqë dorë nga të gjitha llojete PPP-ve, të forcojëmbikëqyrjen e zbatimit rigoroz të kontratave të nënshkruara deri më sot, të publikojë menjëherë këto kontrata veçanërisht sa u takon treguesve tëperformancës dhe detyrimeve të palëve.Me qëllim rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies së qeverisë para Kuvendit dhe qytetarëve në përdorimin e parave publike, mendoj se projekt-buxheti i shtetit për vitin 2020 duhet të shoqërohet edhe me një listë të plotë të veprave publike qëjanë në proces dhe atyre të reja dhe që do të financohen me fonde shtetërore apo me kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare.

/Gazeta MAPO

 


Etiketa: , , , , ,

Pas